Fotografi

Jeta përmes lenteve të një fotografi të verbër!

Eckret është shprehur se në momentin që ai rregullon objektin për ta fotografuar e ka të fiksuar në kokë se si duket, imagjinata e ka ndihmuar shumë, e ndërsa shumë prej fotografive të Eckertit janë bërë në shtëpinë e tij, disa nga imazhet...

Kur Pete Eckert u verbua, ai vendosi të kanalizonte ndjenjat e tij të humbjes së shikimit në art. Gjatë asaj kohe, Eckert do të kalonte ditë të tëra duke përgatitur vizatime grafit dhe forma me dru, më pas i kërkonte gruas t’i përshkruante rezultatet.


Por ky procesi siç thotë edhe ai “po e çmendte gruan time”. Pra, në kërkim të një mediumi më të menjëhershëm, ai zgjodhi fotografinë.


“Kur e fillova, ekzistonin akoma dyqanet e fotografive, aty shkova disa herë, bleva disa filma dhe pyesja në lidhje me fotografinë”, - kështu Eckret mësoi disa gjëra.


Ndërsa tani më shumë se dy dekada pasi humbi plotësisht shikimin nga një sëmundje  e syve, Eckert ka krijuar një karrierë të suksesshme si një fotograf i vetëshpallur.


Imazhet e tij mbresëlënëse dhe shpirtërore janë kërkuar nga revista Playboy, si edhe kompania Volkswagen, e cila kohët e fundit ka angazhuar Eckert për të fotografuar makinën e saj të re për një fushatë reklamuese, shkruan CNN.


Gjatë ekspeditave të tij të para për fotografi, Eckert shkoi në ekskursione natën me një person për mbrojtje. Ai filloi duke fotografuar statuja, edhe pse shpejt kërkoi lëndë më interesante.


“Për të bërë fotografi të skulpturave nuk është e drejtë, sepse arti është tashmë atje”, - tha ai. 


“Ajo që kërkova ishte një mënyrë për të treguar grafikisht se çfarë është verbëria.”


Eckret është shprehur se në momentin që ai rregullon objektin për ta fotografuar e ka të fiksuar në kokë se si duket, imagjinata e ka ndihmuar shumë, e ndërsa shumë prej fotografive të Eckertit janë bërë në shtëpinë e tij, disa nga imazhet e tij bashkojnë figura të ngjashme me fantazma me sfonde të jashtme.


“Unë dëgjoj në mënyrë aktive gjërat dhe pastaj shkoj t’i prek, kështu që unë mund ta imagjinoj se si është ai objekt realisht. Unë ngadalë po ndërtoj një gjuhë zëri për t’u shoqëruar me objektet. Është si një fëmijë që mëson të shohë. Kur lindin foshnjat nuk mund të shohin aspak. Kur mësojnë të shohin, duhet t’i lidhin fjalët me objekte dhe ato bëhen më reale”.


Fotografitë e Eckert nuk janë thjesht metafora për verbërinë. Shumë prej tyre janë bërë për të përfaqësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që e sheh mendja e tij, duke u ofruar njerëzve një vështrim bindës për botën e tij.

(Portali Shkollor)

1,950 Lexime
6 vjet më parë