Krijim

Jetojmë bashkë, por u përkasim dy botëve të ndryshme

“Para pasqyrës ulem përsëri. Unë buzëqesh, por qenia nuk lëviz. Në fakt, shoh një lot që me ngurim rrjedh në faqe, për të zbritur më pas në mjekër dhe të kryejë vetëvrasje.”

Jetojmë bashkë, por u përkasim dy botëve të ndryshme.


Qëndroj para pasqyrës duke vështruar një qenie që vesh fytyrën time. Zgjas dorën dhe e prek lehtë. Ajo zhduket, dhe përpara meje qëndron një skelet.        


Largohem. Pa e kthyer kokën pas, mbyll derën e dhomës duke lënë aty mendimet e mia. Kjo është arsyeja pse ato nuk zhduken kurrë. Në fund të ditës kthehem përsëri aty dhe i shoh tek më presin krahëhapur. 


Para pasqyrës ulem përsëri. Unë buzëqesh, por qenia nuk lëviz. Në fakt, shoh një lot që me ngurim rrjedh në faqe, për të zbritur më pas në mjekër dhe të kryejë vetëvrasje. 


Ngrihem dhe filloj të kërcej. I them vetes se jam e lumtur, por qenia prapë nuk lëviz. E shoh se i ndjen gjymtyrët e lodhur. Ashtu e mpirë nuk mund të lëvizë. 


Ndaloj dhe i them se është e bukur. Ajo më shikon ftohtë. Nuk ka nevojë të flasë për të më treguar se nuk më beson. 


Më kujtohet se dikush më tha se isha shumë e talentuar. Ngazëllimi më pushtoi. I'a thashë edhe këtë. I thashë se kisha një arsye për të jetuar. Se isha e lumtur. 


Më në fund, ajo hapi gojën dhe më tha se nuk duhet të gënjeja veten. Më tha se besonte në mënyrë të plotë fjalët shkatërruese të thëna dikur. Më tha se duhet të hiqja dorë nga gënjeshtrat dhe të kthehesha në realitetin e hidhur. 


I mbyta lotët me mundim. Ky mundim më lodhi, por qëllimin e arrita. Asnjë pikë loti nuk rrodhi prej syve të mi, në kundërshtim të plotë me lotët, që rridhnin si të marrë, nga sytë e qenies, që mbante veshur fytyrën time. 


I thashë se ajo gënjente, ndërsa ajo ma kthehu se unë gënjeja veten. Dielli përfshiu dhomën time, por sado që u mundua, pasqyra e kthehu mbrapsht rrezatimin e tij dhe si për inat, u mbulua me hijen e frikës, mosbesimit dhe vetëshkatërrimit. Këto të fundit ishin aq të plota në vetvete sa askush nuk mund të depërtonte në to, madje as unë. 


Fillova të kisha frikë, dhe vetëm atëherë qenia u lumturua. U zgjat drejt meje, më puthi lehtë në ballë, pastaj më përqafoi. Ajo ndihej një me mua, kurse unë ndieja veç neveri. 


E shtyva tutje me përbuzje dhe i buzëqesha, për t'i treguar se kurrë nuk do të kthehesha në një të fshehur dhe të harruar si ajo. Qenia u frikësua prej meje, dhe me një kërcim u fsheh përsëri në pasqyrë. 


E di se ajo është mikja ime më e mirë, pasi nuk më lë kurrë. Ajo nuk më harron. Çdo ditë më pushton dhe më kërkon të bëhemi një. E unë çdo ditë refuzoj. 


Më pëlqen dielli. Më pëlqen dashuria, mirësia. Qenia, në të kundërt, e do me zemër errësirën, perden e frikës e ruan me kujdes dhe nuk harron të fshihet.


Ky cikël përsëritet çdo ditë. Jetojmë bashkë, por u përkasim dy botëve vërtetë të ndryshme....


(Ana Zoto, Portali Shkollor)

1,422 Lexime
5 vjet më parë