Koment mbi librin “Kufiri” nga Latif Ajrullai

Një reflektim i ndjerë mbi romanin “Kufiri” të Latif Ajrullait, nga Sibora Goga, anëtare e Klubit të Leximit Albas. Mes dashurisë, mallit dhe rebelimit ndaj normave, libri shpalos kufijtë gjeografikë, shoqërorë e ata që i vendosim vetes, duke na ftuar të mendojmë mbi lirinë dhe identitetin.

Nga Sibora Goga, anëtare e Klubit të Leximit Albas 


Librin "Kufiri" e nisa në një kufi dhe krejt rastësisht mu desh ta përfundoja teksa isha përtej, jo një, por shumë kufijve të tjerë, ku dhe unë si autori ndieja mall e afeksion për diçka, a thënë më mirë, dikë që e kisha lënë pas në brendinë e kufijve të origjinës. Për fatin tim të mirë, këta kufijtë e mi, ishin krejt të hapur, të kalueshëm me fare pak peripeci e me një mall të zhveshur prej ankthit me të cilin ishin të mbarsur kufijtë midis Shqipërisë e Maqedonisë së viteve ’90. Ndoshta pse përjetova një fije të asaj për të cilën lexova, ky libër mu bë aq i dashur. 


Ndërsa e lexoja, fillimisht me drojën e fillimit, e mandej me vrullin që nuk di të ngopet të lexuesit kapërceva herë duke qeshur, herë duke qarë, e herë me çehren të zbutur prej adhurimit të një “love story” që denjësisht mund të quhet e tillë, pasi rrallë ndodh të shijosh, qoftë edhe prej së largu, puqjen e yjeve të dy njerëzve që duhen kaq barazisht në pasionin e tyre. 


Ama "Kufiri" nuk mund kurrsesi të jetë veçse një roman dashurie. Ai është më shumë se aq. Duke eksploruar me endje aventurat dashurore të dy personazheve tona dhe të personazheve të tjerë anësore, të cilët po ashtu duhej të navigojnë marrëdhëniet romantike përkatëse, të krijohet mundësia për të medituar edhe mbi kufijtë metaforik e jo vetëm mbi ata gjeografik. Ndryshe nga kufijtë gjeografik tashmë të pranuar me fare pak apo aspak kokëçarje, zor se të bie mendja te kufijtë që lindin prej normave shoqërore, norma këto të cilat o e prangosin individin në një sens vetveteje të rreme, ose që sfidantin e flakin tutje kur ky i fundit nuk pranon të jetojë konform tyre. Autori ngre shpesh kritika të ashpra kundër "parisë" së konformizmit: 


"Nëse nuk bën sikur shkon në xhami apo mban Ramazan – domethënë, nëse nuk bën si të gjithë – atëherë je jashtë regjistrit. Edhe po të jesh profesor i madh, mjek i madh, psikolog i shkëlqyer, madje edhe fitues i Çmimit Nobel, prapë je jashtë. Edhe Pikaso apo Ajnshtajni, po të jetonin këtu, do të ishin jashtë regjistrit… Njerëzit, edhe kur nuk kanë kufij, i vendosin vetë."


Në një shoqëri që pak interesohet se kush je ti e se çfarë ke për të ofruar, vendimi për t’u rebeluar a për të mbetur i petëzuar në një linjë të ngushtë "normaliteti" te stisur krejtësisht prej interesave, mund të shndërrohet në një burg moral fare lehtësisht. Ama njeriut nuk i lind e keqja vetëm prej shoqërisë ku është stacionuar, por edhe prej vetvetes. Nuk është e pazakontë për ne që të mpakemi nën dritën e limiteve të vetë imponuara, për tu mbrojtur prej gjërave, të cilat dhe për ne vetë shpesh mbeten të paqarta. Bëhet gati absurde kaskada e kufijve që ne i imponojmë vetvetes, sikur liria të ishte një alergjent vdekjeprurës.


Pa liri, nën brengën që shkaktojnë kufijtë, njeriu nuk mund të jetojë, nuk mund të marrë veçse një frymë të vagullt, astmatike, nuk mundet as të dashurojë. Këto janë dukuri, të cilat dalin përtej kufijve gjeografik, shoqëror e personal. Të pranosh të mbetesh i ngujuar brenda tyre është ndoshta mëkati më i rëndë i njeriut që nuk guxon e për një popull ku kanë lulëzuar shprehje të tipit “Shtriji këmbët sa ke jorganin”, ky roman shërben si një forcë që duket sikur kërkon me forcë të na e tërhiqi këmbën e ngrohur jashtë mbulesave, edhe kur kjo nuk është idealja. 


Një roman i cili arrin njëkohësisht të na mbajë frymën e që na kumbon në kokë idenë e lirisë dhe identitetit vetjak e kolektiv, në një kohë kur kjo linjë mendimi ende mbetet shterpë, është një roman që nuk duhet hequr nga dora e lexuesit.


"Sepse një jetë e kaluar duke dashur dikë është pak, e njëkohësisht është gjithçka."



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

126 Lexime
4 orë më parë