“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj

“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” është shkrimi letrar i Marçela Tafilaj, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Një mëngjes i bukur plot shkëlqim e diell...

Në klasën time hyri një zonjë me fëmijën e saj për dore. I përshëndeta të dy, nënën dhe fëmijën. E pyeta dhe për emrin e të birit, por çuditërisht nuk mora asnjë përgjigje. Sa më shumë i afrohesha, aq më tepër zmbrapsej deri në agresivitet...!


Ishte e para herë që përballesha me një sjellje të tillë. E ëma e fëmijës nisi të më shpjegonte diçka rreth të birit. 


Menjëherë reagova duke shmangur praninë e fëmijës në kasën time. Të gjitha fjalët që thoshte e ëma fluturonin dhe fshiheshin nga kujtesa ime, por në kujtesë më ngeli psherëtima e saj tronditëse.     

            

Kudo që shkojmë na mbyllen dyert.


Pikërisht në atë çast, më duhej të mendoja fillimisht si nënë, e më pas si mësuese.


Ime më, (edhe ajo mësuese në profesion) më thotë shpesh:

-Dëgjoji me kujdes dhe kuptoji prindërit e fëmijëve. Vëre veten në pozicionin e tyre, që t’i kuptosh ata. Të dëgjosh dikë është njëlloj si ta shërosh atë nga dhimbja e shpirtit.

Në mendje më fluturonin një sërë pyetjesh dhe pasigurish. Pastaj, një zë i brendshëm më foli: 

-Stop!... E ke zgjedhur këtë profesion për t’u shërbyer nxënësve dhe familjarëve dhe jo për të shmangur diskutimet me ta, sa herë që të del një sfidë përpara. Është e drejta e çdokujt të arsimohet dhe të përfshihet në shoqëri. 


Dhe pas këtij reflektimi diç ndryshoi në mendjen time:

Po...e pranova atë fëmijë në klasën time, por bashkë me të pranova edhe një sfidë, një ngërç, një pamundësi. 

Para meje tashmë u shfaq një rrugë e gjatë dhe e panjohur. Për herë të parë në përvojën time pesëmbëdhjetëvjeçare shfaqej një sfidë e tillë. 


Fatjoni ishte një fëmijë me spektrin autizëm, një 5-vjeçar ta shihje në pamjen e jashtme, por një 2-3 vjeçar në aspektin e zhvillimit mendor. I pari dhe i vetmi fëmijë i një familjeje të mrekullueshme. Një djalë i vetëm, që për dy prindër ishte gjithçka. Kishin munguar pikërisht sytë e qeshur, fjalët dhe belbëzimet që pret një prind nga fëmija i tij. Belbëzimet e para, kushedi ku ishin ngatërruar në errësirën pa dritë. 

Ëndrrat e këtyre dy prindërve i kishte prerë në mes një fjalë e vetme “autizëm”. 


Një grusht i padukshëm shkërmoqi ëndrrat, planet që ata thurnin gjatë rritjes së Fatjonit. Sa më shumë rritej aq më shumë zbeheshin ëndrrat e prindërve.

Vërtet ëndrrat ishin shkërmoqur, por dashuria, shpresa dhe këmbëngulja triumfonin te këta dy prindër. Ata kishin trokitur në shumë dyer, por u ishin mbyllur. Kësaj here trokitën tek ne, duke pritur që fija e një shprese të merrte pakëz dritë...

Ia nisëm së bashku me prindërit e tij këtë rrugëtim të gjatë dhe të panjohur.


Dy muajt e parë ishin tejet të rënduar, si për mua ashtu edhe për fëmijët në klasë. Fatjoni vraponte pa pushim nëpër klasë, bënte lëvizje të pakontrolluara, dhunonte veten dhe shokët, ndjente pasiguri dhe frikë njëherazi. Shpesh tërhiqesha dhe luftoja brenda vetes, më dukej sikur zemra ngrinte krye dhe më thoshte: 

-Nesër vjen një ditë e re plot diell. Bëhu ti syri, që u përcjell dritën dhe ngrohtësinë e diellit syve të Fatjonit.


Atëherë m’u desh të gjeja gjuhën e duhur për të ndihmuar si Fatjonin ashtu edhe fëmijët e tjerë; m’u desh të vëzhgoja sjelljet dhe dëshirat e tij, që të kuptoja pikat e forta dhe të dobëta; ato cingërima që murosnin ndjesitë e tij, teksa kishin ngritur një mur të lartë dhe të pakapërcyeshëm për të, duke e fundosur në atë errësirën e pamëshirshme të vetmisë.

Pas shumë përpjekjesh, me mbështetjen edhe të fëmijëve të tjerë, arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët. 


-E merrni dot me mend cila mund të ishte ajo gjuhë?!...


                     MOTIVIMI I VAZHDUESHËM DHE DASHURI PAFUND


Teksa derdh tërë botën dhe ndjesitë e mia shpirtërore në përcjelljen sa më të kujdesshme të çdo copëze mallëngjyese të kësaj ndodhie rrëqethëse, përjetoj në çdo çast imazhin virtual të Fatjonit, i cili në çdo situatë ofron një sfidë të re, e për rrjedhojë dhe një zgjidhje të re. 

Në xhepin e përparëses sime të punës, struket një bllok i vogël, i emërzuar “blloku i Fatjonit”. Çdo reagim të tij dëshiroj ta dokumentoj aty brenda, e më pas ta analizoj, ta studioj pa më kaluar asnjë detaj nga vëzhgimi. Shpeshherë e nxjerr atë nga xhepi edhe Fatjoni vetë, duke ma zgjatur të shkruaj në të. E kupton që i përket atij, reagon dhe e shfleton me një buzëqeshje që shuhet sa hap e mbyll sytë. Herë e mbështjell me sytë e përhumbur kushedi se ku, herë e tund me dy duart e tij të bukura, si për të nxjerrë prej andej tymësirën dhe errësirën, në të cilën ka humbur.


Çdonjëri prej nesh mëson dhe kupton shumë gjatë jetës. Kështu më ndodhi edhe mua. Më duhej të shfletoja dhe të mësoja shumë për këtë rast.


Takimet mëngjesore janë vërtetë tejet tërheqëse. Të gjithë fëmijët përshëndesin:

-Mirëmëngjesi!

Kurse Fatjoni përshëndet me fjalën:

-Të kam xhan! Dhe me krahët e tij të vegjël të mbërthen plot dashuri!


Aq shumë më përfshin brenda vetes, saqë prezencën e tij virtuale e marr kudo me vete. Sa herë që kthehem në shtëpi, fëmijët e mi më pyesin për të dhe sjelljet e tij. Është kjo, një eksperiencë e re dhe e panjohur edhe për ta.


Prezenca e këtij fëmije në klasën time, e ndau përvojën e punës në dy faza: faza e sfidës me veten dhe me profesionin dhe faza e lumturisë për veten dhe aktorët e tjerë pjesëmarrës. 


Ky  mjedis i përbashkët i kopshtit i dha Fatjonit lumturi, qetësi, siguri, i dha mundësi të respektohet, të dëgjohet të arsimohet. Nuk është më e ëma që copëtohet mëngjeseve për ta sjellë në kopsht, por është Fatjoni që tërheq dorën e saj duke i treguar me gisht kopshtin. 

Jo të gjithë e kuptojnë gjuhën e tij, por e ëma është mësuar të lexojë dhe të kuptoj sytë, shpirtin dhe zemrën e tij. Një gjuhë që vetëm ata të dy e njohin, gjuha “nënë e bir”. 

Tashmë edhe ai, si gjithë fëmijët e tjerë është i përfshirë në shoqëri, ashtu siç ai është, dhe jo ashtu siç duan të tjerët ta shohin.


Prindërit e këtyre fëmijëve përballen çdo ditë me sfida dhe vështirësi. Ky shkrim do të ndez një dritë jeshile në tunelin e errët. 

Të kthesh buzëqeshjen te një prind i pashpresë është lumturia më e madhe që më ka ndodhur në punën time si mësuese! 


Sot sheh prindin e Fatjonit, si shtyllën mbështetëse gjatë veprimtarive me të, buzëqeshja që na jep çdo mëngjes e ëma e tij, mua dhe fëmijëve të klasës, është një burim i pashtershëm energjie.  

Lumturia dhe buzëqeshja ka përfshirë edhe fëmijët e tjerë të grupit. 


Teksa ditët e para të kopshtit dëgjoje nga fëmijët dhe prindërit e tyre vetëm ankesa dhe fjalë jo të hijshme të tilla si: 

-Pse erdhi Fatjoni te klasa jonë mësuese?

-Pse ai është ndryshe nga ne dhe sillet kështu?

-Pse duhet të ulet Fatjoni afër meje?

 ...tani dëgjon nga zërat e pastër dhe të mrekullueshëm të fëmijëve kërkesa të tilla:


-A të ulem unë afër Fatjonit?

-A t’ia jap këtë lodër Fatjonit?

-A të kapem unë sot te rreshti me Fatjonin?

-A do vij sot Fatjoni në kopsht se na mori malli?

Ata mësuan një përvojë të re. Mësuan të njohin, të përkrahin dhe ta bëjnë pjesë të tyren në klasë një natyrë njerëzore ndryshe prej tyre. Ata stërvitën veten e tyre sot, për të qenë qytetarë të denjë për shoqërinë e së nesërmes. Ishin ata që vendosën një dritare në rrugën e Fatjonit dhe i zgjatën duart për ta hapur së bashku.


Programi parashkollor është një fazë shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës. Fëmija këtu fillon të hedh themelet fillimisht drejt edukimit social dhe më pas drejt atij akademik. 


Kjo eksperiencë 1-vjeçare e punës sime me Fatjonin, ka sjellë më shumë lumturi se të gjitha vitet së bashku.

Theu rutinën e një përvoje pesëmbëdhjetëvjeçare, ditë dhe vite të zakonshme. Më shtyu të shfletoj, të mësoj dhe të praktikoj njohuri të reja, pa të cilat vështirë se mund t’ia dilja. Më mësoi të jem me e qetë, më krijuese, më motivuese dhe më bashkëpunuese me këdo. Më mësoi të shmang nga profesioni im fjalët “nuk di”, “nuk mundem” dhe t’i zëvendësoj ato me: “këmbëngulje”, ”dëshirë”, dhe “bashkëpunim”.

Është i madh gëzimi, kur shikon ndryshime tek ty Fatjon. 


Ti erdhe si ajo dallëndyshja e vogël që përplas krahët andej - këndej për të gjetur strehëzën e saj. 

Ti gjete veten dhe ne të gjetëm ty i dashur Fatjon. Ti mësove prej nesh, por ishim ne që mësuam më shumë nëpërmjet teje. Ndryshimet fillimisht ishin të vogla, milimetrike, të papërfillshme.


Ato ishin të vogla në dukje, por të mëdha edhe për mua, për ty, për familjen tënde, për shoqërinë. Prezenca jote më mësoi se të qenurit ndryshe i jep kuptim dhe larmi ditës, punës dhe tërë jetës. 

Prezenca jote më mësoi se në jetë ekzistojnë shumëllojshmëri lumturish, por disa nga ato janë unike, se të mbushin plot me energji dhe shpresë për të nesërmen.


Të falënderoj Fatjon

për gjithçka që më mësove,

që u bëre pjesë e eksperiencës në punën time,

që më mbushe me copëza lumturie...!




Marçela Tafilaj

Marçela Tafilaj ka lindur në Durrës më 23 mars 1976. Është diplomuar në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë për Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Në vitin  2012 -   2013 ka kryer Master   Profesional DND në Fakultetin “A.Moisiu” në Durrës. Nga viti 1995 deri më 1997 punoi si mësuese e lëndës Gjuhë shqipe në shkollën 9-vjeçare “Toshkës”. Vitet më pas ka punuar si mësuese e parashkollorit në disa shkolla në qytetin e Durrësit, por që nga viti 2014 deri më sot ushtron profesionin e saj në shkollën “Abedin  Dino”. Ka zhvilluar shumë trajnime dhe specializime duke u integruar në mënyrë profesionale në fushën e saj të mësuesisë.  




©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,276 Lexime
8 muaj më parë