Ese

“Lufta, fataliteti i jetës njerëzore” ese nga nxënësi Roen Raço

Me rastin e “Tetori i librit”nxënësit e shkollës “Protagonisti”, në lëndën e gjuhës shqipe, nën drejtimin e mësueseve përkatëse, krijuan ese me tematika të ndryshme, të cilat i përzgjodhën ata vetë. Njërën nga esetë më të mira të cilën e shkroi nxënësi Roen Raço nga klasa e 6-B, kemi dëshirë ta ndajmë me ju.

Me rastin e muajit tetor, si muaj i librit, nxënësit e shkollës “Protagonisti”, në lëndën e gjuhës shqipe, nën drejtimin e mësueseve përkatëse, krijuan ese me tematika të ndryshme, të cilat i përzgjodhën ata vetë. Vlen për t’u përmendur serioziteti, përkushtimi dhe kreativiteti i nxënësve.  Nxënësit i krijuan esetë gjatë orës së mësimit. Aktiviteti u zhvillua në sallën e koncerteve, ku esetë më mira u lexuan nga vetë nxënësit që i krijuan për të pranishmit. Njërën nga esetë më të mira të cilën e shkroi nxënësi Roen Raço nga klasa e 6b, kemi dëshirë ta ndajmë me ju.


Eseja e nxënësit Roen Raço, klasa 6-B, shkolla “Protagonisti”

 “Lufta, fataliteti i jetës njerëzore”

    

Lufta është një pjesë përbërëse kaq e ndjeshme, por edhe aq fatale e kësaj bote ku ne jetojmë. Lufta është një nga dy gjysmat që balancon moralet e njerëzve, bashkë me paqen që mbulon botën në një dritë miqësore e të shenjtë. Por ne nuk po flasim për paqen, këtë temë kaq të bukur e pozitive. Ne po flasim për luftën.


Lufta shkatërron e sheshon qytetërime. Ajo le po aq njerëz të vdekur e të lënduar, sa le edhe të dëshpëruar, në krizë dhe në pozitë të vështirë në jetë. Miliona qajnë për të afërmit e tyre, që shfarosen nga ky… virus, kjo murtajë që është lufta. Edhe sa thjeshtë që shpërndahet madje! 


Një pjesë e pavarur toke, një gënjeshtër ose mosmarrëveshje e krijuar nga media, një rebelim i disa të çmendurve që mendojnë se kanë mjaftueshëm fuqi për të triumfuar mbi këtë grusht të hekurt që është qeveria, këto sjellin konflikte mes këtyre tiranëve që kanë fuqi absolute mbi ne.


Ata duan t’i provojnë “lodrat” e tyre të vogla mbi gjithçka që nuk pëlqejnë. Ata mendojnë se çdo konflikt është një mundësi e shkëlqyer që nuk duhet lënë pa shfrytëzuar. Sa hap e mbyll sytë, një qytet plotësisht paqësor e i blertë kthehet në një zonë të shkretuar lufte. Ndërtesat bëhen rrënoja, qiellgërvishtësit bëhen copa betoni, pemët kthehen në hi e njerëz të pafajshëm bëhen skelete ose mbijetues të gatshëm për të ngrënë njëri-tjetrin që të mbeten gjallë në atë ferr. Kaos e kasaphanë mbulojnë një tokë të pandotur, nga pasojat e konflikteve të tilla.


Këta presidentë e qeverisës të mëdhenj nuk e kanë gjithë fajin. Lufta ndodh edhe për shkaqe të tjera, si racizmi, varfëria e problematika që na ndajnë ne si shoqëri në pjesë. Përshkallëzime të krizave brenda një shteti, si një akt terrorist, një bandë që ka dëshirë të shfarosë një grup të caktuar njerëzish gjithashtu mund të shkaktojnë luftëra. Edhe pse ata, si gjithë të tjerët, vetëm duan të jetojnë, një ngacmim i vogël i shtyn këto shtete të mëdha të krijojnë luftë. Ata nuk e kuptojnë që lufta inkurajon luftën. Dy gjëra të gabuara nuk bëjnë një të saktë.


Por ne mund t’i ndalojmë këto gjëra të gabuara. Është e nevojshme të pranojmë se njerëzit janë ashtu siç duhet të jenë dhe se ne duhet t’i respektojmë. Të qënit pjesë e një grupi tjetër etnik nuk e ndan botën por vetëm i shton asaj larmi. Pse duhet t’i keqtrajtojmë këto shtete, këto grupe, këta njerëz e popuj para të gjithëve, kur ajo që po bëjmë në të vërtetë është se po tregojmë mungesën tonë të vetësigurisë?! Ne njerëzit, si speciet më të avancuara të këtij planeti duhet të bashkëveprojmë. Nëse ne e pranojmë njëri-tjetrin siç jemi dhe nëse ne bashkekzistojmë, atëherë mund të parandalojmë një shkatërrim të botës të ardhur nga gabimet tona.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

692 Lexime
1 muaj më parë