POEZI

Ndërgjegjja dhe Njeriu

Kjo është një poezi e shkruar nga mësuesja e fillores Drita Topjana, e cila përveç artit të mësimdhënies ka pasion edhe të shkruarin përmes vargjeve. Poezia e saj veçanërisht vë në dukje sjelljen e individit.

Ndërgjegjja dhe Njeriu


Tha ndërgjegjja të sfidoj,

çdo betejë e fitoj.

Thotë njeriu mendjendritur,

  jam i fortë dhe luftoj.


Tha ndërgjegja mendo mirë,

ndaç për t`u ripërtërirë.

Thotë njeriu mendjehollë,

jam zgjuar, jam me shkollë.


Tha ndërgjegjja zgjohu,

mos shko larg, se ke humnerë.

Thotë njeriu grykëmadh,

s`më mjafton, dua prapë.


Tha ndërgjegja a të sfidova,

në luftë me veten të lëshova.

Ia kthen njeriu zemërvrarë,

kësaj lufte s`i bëj dot ballë.


Tha ndërgjegjja kthehu,

miqësohu me shpirtin e rrëfehu.

Thotë njeriu s`kam rrugë tjetër,

luftën më të madhe e kam me veten.


Tha ndërgjegjja tjerre maskën,

maska është armiku yt.

Kthen njeriu zemërmirë,

nis me drejtësi e bamirësi. 


Kur njeriu u zgjua,

filloi shpirti u madhështua,

iu hap udha e besimit,

u shtuan  degët e ullirit.


Autori:  Drita Gjaci Topjana, mësuese e arsimit fillor



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,679 Lexime
3 vjet më parë