ESE

Në mes të errësirës ka dritë

Ese nga nxënësja Lunida Luca e cila ka mbaruar klasën e dhjetë. Edhe pse e vogël në moshë nëpërmjet këtij krijimi ajo transmeton pozitivitet për jetën. Mes rreshtash frymëzohesh për të kapërcyer çdo “errësirë” dhe për të pasur më shumë forcë.

...

Ndodh që secili nga ne, shpesh herë të përballet me vështirësi, me sfida sepse sfidë është vetë jeta. Ata të cilët mendojnë se kohët e mira zgjasin përgjithmonë, ose nuk e njohin jetën ose mendimet e tyre nuk kanë pika takimi me kohën dhe realitetin. Të tillë njerëz e kanë të vështirë rezistencën ndaj vështirësive dhe si rrjedhojë i nënshtrohen pengesës më të vogël pa u përpjekur dhe përballur me sfidën. 


Ngritjet dhe ngjitjet e jetës gërshetohen me dështimet dhe sukseset, lumturitë dhe zhgënjimet. Jeta nuk është lëndinë trëndafilash, ndaj edhe gjembat e saj thumbojnë fort, por në jetë duhet të jesh i fortë. Mendimi për të qenë i fortë dhe për t`ia dalë mbanë gjithçkaje me guxim nuk do të ishte kurrë zgjidhje fitimtare. Pse? Është aq e thjeshtë, por edhe e komplikuar. Njeriu do forcë, sigurisht, se dobësia e bënë të ligë edhe njeriun më të mirë. Guximi kurrë nuk ia ka dalë pa shpresën. Shpresa me frikë është dobësi. Frika vjen  vetëm nga mendimet e frikshme të dështimit. Duke menduar njeriu harron të shpresojë dhe kështu ndodh që s`ndodh ajo e bukura që pret jeta. Është mungesa e shpresës që thyen shpirtin tonë më shumë se dhimbja.


Unë, adoleshentja e botës gri nuk mund të pres nga jeta të më servirë ëndrrat e mia. Jeta nuk ka asnjë obligim të më japi atë që unë pres. Jeta ka servirjet e saj e ato janë meny të ndryshme. Kurrë nuk e kisha menduar se në pranverën e bukur do të mbylleshim, dhe me frikë do të qëndronim dhe me familjarët. Kurrsesi nuk imagjinoja që të qëndroja larg njerëzve, t`i shihja dhe të mos i takoja...Apo të mendoja se ka armik të tillë që vret në këtë mënyrë si COVID-19.


Dhe sa e sa mistere ka jeta. Nuk dimë asgjë, madje jemi asgjë në këtë jetë nëse mendojmë se dimë gjithçka. I vetmi mendim që nuk mposht jeta është se çdo gjë e ka një fillim dhe një fund dhe fundi ka të mira dhe të këqija. Ndaj pikërisht këtu është thelbi i jetës. Të menduarit pozitivisht, besimi dhe shpresa. Trinomi i  lumturisë së jetës, busulla orientuese të jetës sonë.  


Njeriu lind, jeton dhe vdes duke besuar. I vetmi burim energjie për jetën. Keni parë njerëz të dobët?! Ata besojnë pak dhe nuk e kanë këtë rreze drite brenda zemrës. Kur vyshken mendimet besimi zbehet dhe mbetet shpresa. Shpresa vdes e fundit - thonë. Ja pra që njeriu duhet të jetë i fortë e të qëndrojë duke vepruar.


Unë jam e fortë! Guxoj! Bota vërtetë është gri dhe jeta bardhë e zi, por unë jetoj siç dua vetë duke i dhënë çdo gjëje ngjyrat e duhura. Shpesh kujtoj thënien e gjyshit: “Sado e fortë të jetë era, mali nuk lëkundet”. Sado i fortë të jetë problemi apo i pamundur, unë nuk rrëzohem e as nuk dorëzohem. Çdo vështirësi kapërcehet. Nuk kanë thënë pa mend se Zoti të mbyll një dere dhe të hap një dritare.


Momentet që po kalojmë dhe situatat që sa vijnë e po vështirësohen më kujtojnë betejën. Unë jam një adoleshente e cila me forcën time dhe mundësitë quhem një ‘hiç’, por askush nuk mund ta marrë me mend se unë mund të ndryshoj botën me mendimet e mia, ja me një situatë të vështirë jete. Pavarësisht shkallës së vështirësisë së problemit që ne po jetojmë dhe humbjet e kësaj beteje nga shumë njerëz, mendimi se nesër do të jetë më mirë, dëshira për të rindërtuar një ditë më të bukur, të gjitha këto hapin një faqe të re që kuron plagët e së shkuarës dhe ngjall shpresë për të jetuar lumturisht e për të realizuar këtë gjë bazohemi te shpresa dhe besimi. Kështu ngrihesh përsëri në këmbë dhe kap kohën e humbur. Dështimi në jetë vjen nga mungesa e besimit të fortë.


E kush do ta dëshironte jetën të tillë, pa punë, pa shkollë, njëzet e katër orë online, pa njerëz, pa asgjë të domosdoshme?! Kush do ta donte jetën të rrezikuar nga momenti në moment?! Askush…Askush…Kohën e humbur në këtë situatë duhet të përpiqemi ta vjedhim çdo ditë e nga pak. Po si? Vetëm duke marrë pozitiven e ditës, të bukurën e çastit, ta rrëmbejmë sot me shpresën dhe besimin që do ta gëzojmë nesër.


Koha sot na ka vërë një kusht: TË JETOJMË. E shkuara është ikje pa kthim…E nesërmja nuk duhet parë si e pamundur…Në libra kam lexuar se nuk duhet të strukem përballë të panjohurës apo vështirësisë. E më vjen në mendje thënia e Angele Martin… “Të jesh sypatrembur do të thotë të duash sikur nuk je lënduar kurrë më parë”. Të jesh sypatrembur do të thotë t`i kapësh mundësitë, kudo që janë, të çash rrugën përmes errësirës për të mbërritur te drita. Besimi, shpresa dhe mendimi pozitiv janë ngjyrat, busullat, zëri i jetës që na thërret…Nesër agon dita...


Lunida Luca



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,917 Lexime
1 vit më parë