ÇMIMET KOMBËTARE TË LETËRSISË

“Ninulla e zemrës”, libri më i mirë për fëmijë i vitit nga Anila Kadija

Çmimi Kombëtar i Letërsisë, për kategorinë "Libri më i mirë për fëmijë i vitit" ka shkuar po për një botim të ALBAS. "Ninulla e zemrës" nga Anila Kadija është vlerësuar me këtë çmim për figuracionin e ligjërimin e pasur, që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqiptare.

Me Çmimin Kombëtar të Letërsisë për kategorinë “Libri më i mirë për fëmijë i vitit” u vlerësua Anila Kadija me librin “Ninulla e zemrës”, për një vepër me figuracion e ligjërim të pasur, që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqiptare. 


Autorja Kadija u shpreh për Portalin Shkollor Albas se edhe kandidimin e veprës së saj botuar nga ALBAS e ka përjetuar si fitore. 


“Ka qenë një surprizë e mrekullueshme qysh me kandidimin e librit! Vet kandidimin e përjetova edhe si fitore, pra më mjaftonte edhe aq, pasi të radhitesh përkrahë me zërat më të mirë dhe të njohur autorësh në zhanrin e letërsisë shqipe është një fitore. Kur mora ftesën, për të qenë në ngjarjen e ndarjeve të çmimeve, mendova të isha e pranishme për të ndarë këtë kënaqësi pavarësisht kush do të fitonte. Atje ku janë librat dhe autorët atje gjen gjithmonë momente cilësore dhe njerëz me horizont shpirtëror dhe pasurohesh”, është shprehur kështu Anila Kadija, e cila ndër të tjera jep kontributin e saj për ruajtjen e gjuhës shqipe prej shumë vitesh në Diasporë. Sipas saj libri “Ninulla e zemrës” është ninulla e Diasporës. 

Më tej autorja na ka rrëfyer se si nisi ideja e botimit të këtij libri ndërsa ka folur edhe për ndjesinë e mbrëmjes që e shpalli fituese. 


“Të gjithë ishim fitues për mua! Të gjithë kandidatët kishin bërë një punë të shkëlqyer. Atmosfera që ishte krijuar në hollin e Akademisë së Arteve atë natë ishte vërtetë emocionuese.  Ninulla e zemrës u realizua nga një eksperiencë 15 vjeçare që unë kam me fëmijët në diasporë dhe poezitë e saj janë interpretuar fillimisht përpara se të përmblidheshin në këtë libër ndër vite.

ALBAS, një shtëpi botuese e cila ka një sensibilizim të veçantë ndaj gjuhës shqipe e përkrahu menjëherë idenë time për t’i dhënë në dorë lexuesit të vogël, një mundësi të mirë fëmijëve, ninullën e gjuhës shqipe në vargje. 

Krenare dhe e nderuar, për mesazhin që kërkova të përhap me këtë libër, për mënyrën meritokratike me të cilën u kandidua dhe fitoi. Kane fituar se bashku me të me dhjetëra e dhjetëra fëmijë të cilët i kanë mësuar me shumë dëshirë poezitë e këtij libri. Poezitë e tij kanë fituar konkurse dhe kanë dominuar skena kudo nëpër Diasporë. Kanë qenë edhe vet mësuesit e diasporës, kolegët e mi të nderuar, që e kanë përzgjedhur si librin me poezi të dashura motivuese për nxënësit e tyre. (Mbretëri e Bashkuar, USA, Kanada, Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, Bavari, Austri, Suedi etj.) Një libër i cili u realizua dhe u shpërnda, pa qëllime fitimprurëse, por falas në tirazhin e parë të 200 kopjeve për 2021-2022. Do të jetë në ribotim përsëri nga kërkesat e shumta të ardhura prej prindërve, mësuesve dhe shkollave ku mësohet gjuha shqipe kudo. Më ka emocionuar dhe prekur thellësisht motivimi i çmimit nga juria e cila ishte e një nivelit të lartë teknik, profesional në lëmin e letërsisë: 

‘Për një vepër me figuracion dhe ligjërim të pasur që përcjell dashurinë për gjuhën dhe botën shqipe’

Ky ishte qëllimi im! 

‘Ninulla e zemrës’ është ninulla e Diasporës, por jo vetëm, ajo është Ninulla e djepit ku lindin brezat që kurrë nuk duhet ta harrojnë dorën që i përkundi”, ka thënë Anila Kadija.

Në garë për çmimin e veprës më të mirë për fëmijë ishin dhe Natasha Poroçani me “Bëmat e Estes dhe Kokosë - Ditari i Estes”;  Rudina Çupi  me “Piratë dhe paratë”;  Sazan Goliku  me “Kërkimi” dhe Xhahid Bushati me “O trumcak, bredharak”.


Përzgjedhja është bërë nga juria, e udhëhequr nga akademikja Floresha Dado e anëtarët: shkrimtari Virion Graçi, akademiku Kujtim Shala, zv.dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT, Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Esmeralda Kromidha.



Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021 dhe veprat finaliste nga shtëpia botuese ALBAS


Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, shtëpia botuese ALBAS kishte vepra finaliste në kategoritë e mëposhtme:

“Vepra më e mirë studimore letrare e vitit"

  1. “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” - Persida Asllani, Dhurata Shehri (fituese)
  2.  “Arti i poezisë” - Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja 

“Përkthimi më i mirë i vitit”

  1. “Teposhte”, Herta Muller, përktheu Anna Kove 
  2.  “Shtatë të çmendurit”, Roberto Arlt, përktheu Erion Karabolli 

“Libri më i mirë për fëmijë i vitit”

  1. “Ninulla e zemrës” - Anila Kadija (fituese)
  2. “Bëmat e Estes dhe Kokosë - Ditari i Estes” - Natasha Poroçani 
  3. “Kërkimi” - Sazan Goliku




Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

896 Lexime
1 vit më parë