Një rrëfim shumëdimensional i Rita Petros në Athinë
Artistë, poetë, gazetarë, muzikantë, diplomatë dhe artdashës të komunitetit shqiptar, u takuan në ambientet e Ambasadës Greke, për të shijuar mbrëmjen letrare “Një rrëfim i Rita Petros”.Poetja dhe shkrimtarja bëri një skaner të shoqërisë shqiptare dhe një reflektim objektiv për individin, familjen, shoqërinë.
Artistë, poetë, gazetarë, muzikantë, diplomatë dhe artdashës të komunitetit shqiptar, u takuan në ambientet e Ambasadës Greke, për të shijuar mbrëmjen letrare “Një rrëfim i Rita Petros”.
Në një rrëfim shumëdimensional, Rita Petro e dashuruar me prozën, bëri një skaner të shoqërisë shqiptare, perceptimin e saj për fenomenet që shoqërojnë të përditshmen tonë dhe një reflektim objektiv për individin, familjen, shoqërinë.
Në vlerësimin që Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga i bëri profilit të autores, theksoi midis të tjerave se, një emër i konsoliduar i letrave shqipe si Rita, promovon dhe inkurajon brezin e ri, i cili përveç lirisë së të shkruarit dhe lirisë së mendimit të ketë brenda vetes edhe artin e të shkruarit për të qenë frymëzimi i gjeneratës që përfaqëson.
Ndërsa për profesorin e Universitetit të Prishtinës z. Ag Apolloni, i cili kishte ardhur enkas nga Kosova për këtë event, Rita Petro është shkrimtarja e poetja që thyen tabutë e të shkruarit që ka sjellë në frymë të re në krijimtarinë shqiptare, madje duke bërë edhe revolucion në letërsinë e dekadave të fundit.
Autorja iu përgjigj edhe interesit dhe kureshtjes së artdashësve për krijimtarinë e saj artistike.
“Është pak të them se sa e mrekullueshme ishte mbrëmja në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Athinë, mes zonjave e zotërinjve nga fusha e diplomacisë, aktiviste të shoqatave të gruas dhe të arsimit, gra e burra që kanë krijuar identitetin e tyre profesional dhe kanë ndërtuar një jetë të mirë në Athinë, intelektualë, të rinj, dashurues të librit. U zhvillua si një bashkëbisedim për kulturën e librin shqip, u pyeta rreth sfidave të mia personale, profesionale si botuese dhe artistike si shkrimtare. Është e habitshme se si edhe me njerëz që takon për herë të parë, të gjesh aq pika të përbashkëta shpirtërore. Sa bukur është të shkëmbesh aq mirësi e humor dhe sa e rëndësishme është të krijohet kjo atmosferë nga ambasadorja, Zj. Luela Hajdaraga, të cilën e takova për herë të parë dhe më la mbresa aq të jashtëzakonshme për modestinë, ëmbëlsinë, autoritetin, sharmin dhe mënyrën si e transmetonte dashurinë për kulturën shqiptare. Më duhet të falënderoj mikun tim të veçantë dhe kolegun e letrave shqipe, Ag Apollonin, për fjalën që mbajti dhe analizën profesionale në lidhje me mesazhin estetik të artit në përgjithësi dhe timin në veçanti. Falënderoj mikun, shkrimtarin dhe përkthyesin e librit tim ‘Vrima’ në greqisht, Nikos Katsalidas. Falënderoj Eliverta Radomin për moderimin e veçantë, që e bëri bashkëbisedimin aq të këndshëm e provokues për të pranishmit. Falënderoj Ambasadorin e Kosovës në Athinë, Z. Fitim Gllareva, për praninë e tij në këtë aktivitet”, tha poetja e shkrimtarja Rita Petro.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Edukimi përmes së djeshmes, së sotshmes dhe vizionit për të ardhmen
Junila Lala, ndër mësueset e gjuhës shqipe në Greqi që u shpërblye nga shteti shqiptar pas disa vitesh vullnetarizëm