Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor e përsosje morale
“Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor e përsosje morale”, ese nga Devin Koçeku, nxënës i klasës së X, shkolla e mesme “Ernest Koliqi”.
Njeriu përgjatë shekujve është zhvilluar shpirtërisht dhe shkencërisht. Këtë gjë ai e ka arritur me përpjekjen e tij të vazhdueshme të ndjekur nga kërshëria për të zbuluar botën. Dante Aligeri, si një shkrimtar rilindas evropian i ka vlerësuar dituritë dhe virtytet e njerëzve.
Përmes Uliksit, i cili flet : “Prej ç’ fare jeni s’duhet ta harroni: Ju s’keni lindë sa me ngranë si shtasë, po që virtyt e dituni t’i doni.” , ai shpreh idealin me të cilin njerëzit kanë ecur ndër vite. Të vëna këto fjalë në gojën e një aventurieri të guximshëm e të etur për zbulime, marrin edhe më tepër kuptim.
Njeriu bëri ndryshimin nga shtaza që në kohën e antikitetit. Veglat e vjetra prej guri, vizatimet e gjetura nëpër shpella, tregojnë qartësisht që njeriu kërkonte zhvillimin që në lashtësi.
Shkencëtarë e filozofë të shquar mund të përmendim që në kohën e antike greko-romake. Demokriti ishte ai që formuloi idenë se çdo gjë që ekziston përbëhet nga thërrmija shumë të imta, të quajtur më vonë atome. Herakliti hodhi idenë se çdo gjë që ekziston është në proces lëvizjeje e formimi të pandërprerë. Ndër të tjerë, mund të veçojmë Aristotelin, quajtur ndryshe si korifeu i mendimit filozofik antik, ai sistemoi dijet në shumë shkenca të ndryshme. Letërsia po ashtu pati zhvillim të veçantë. I pari që hodhi tablonë e jetës antike e mitologjike në letër, qe Homeri. Nga Eskili mund të veçojmë veprën “Prometeu i lidhur”, nga e cila mësuam se njerëzit mund të bëjnë edhe pa zotat, mjafton të kenë zjarrin e përpjekjes. Euripidi solli veprën “Medea”, ku ne, si spektatorë, mësuam për rolin e gruas në shoqëri dhe për familjen si bërthama e shoqërisë.
Megjithatë njerëzimi nuk ka qenë gjithmonë në zhvillim të pandërprerë. Në Tokë pllakosi një hije e zezë, e quajtur Mesjetë. Në Mesjetë njerëzit e humbën besimin në aftësitë e tyre, e humbën zjarrin e kureshtjes, që i shtynte të zbulonin. Shumë shkencëtarë pasionantë e guximtarë, i shprehën zbulimet e tyre, duke e ditur fatin që do t’i priste nga kisha. Galileo Galilei ishte shembulli perfekt. Ai pranoi se Toka ishte e rrumbullakët, duke vuajtur më pas dënimin barbar të kishës.
Në Evropë u vunë re disa ndryshime thelbësore në ideologji dhe besim. Njerëzve iu kishte rilindur zjarri i brendshëm për ta çuar botën përpara. I pari që shërbeu si urë lidhëse midis Mesjetës dhe kësaj Kohe te Re, qe Dantja. Me veprën e tij “ Komedia Hyjnore” , ai vuri në qendër njeriun me mëkatet dhe virtytet që e karakterizojnë. Doli kundër idealit mesjetar, duke dënuar në Ferrin e tij dantesk edhe papë. Tranzicioni nga Mesjeta në Rilindje, u bë e mundur edhe nga shpikje të tjera. Gutenbergu me shtypshkronjën e tij, hapi rrugën e dijes për popujt. Shpikja e busullës, e anijeve me vela solli zbulimin e tokave të reja.
Nismëtarë të këtyre zbulimeve ishin: Magelani, Ameriko Vespuçi, Kristofer Kolombi etj. Të gjithë këta me kërshërinë dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar njerëzimin, përbënin idealin e Rilindjes.
Rilindja Europiane pasoi zhvillime të tjera të rëndësishme, revolucionet industriale ishin përparimet më radikale në historinë e njerëzimit, ku puna me dorë u zëvendësua me makineritë.
Në ditët e sotme, revolucioni teknologjik e ka bërë jetën e njerëzve shumë më të lehtë. Inxhinierë të mëdhenj si: Steve Jobs, Elon Musk, Bill Gates, Mark Zuckerberg etj. , sollën inovacion në jetën e njerëzve.
Njeriu dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për përparim shkencor e përsosje morale, ka ekzistuar gjithnjë. Të gjitha të mirat që shohim e shijojmë sot, kanë ardhur si pasojë e mundit dhe e djersës të hedhur nga paraardhësit tanë, mbi të gjitha kureshtjes dhe kërshërisë, joshjeve nga e panjohura dhe tundimeve për misteret e universit dhe të botës ku jetojmë. Një i tillë, dua të jem dhe unë, largpamës dhe inovator, që me mund e me dëshirë, ta çoj njerëzimin përpara.
Punoi Devin Koçeku, klasa X, shkolla e mesme “ Ernest Koliqi”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Letër falenderimi për mësuesen time