Talent

Nxënësja Leonita Maliqi, autore e pikturës “Vajza me plis”

Leonita Maliqi, nxënëse në shkollën e mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan, është autore e pikturës “Vajza me plis”, e cila akoma qëndron në hyrjen e SHFMU “Thimi Mitko”, ku ajo ka përfunduar shkollimin fillor një vit më parë.

Leonita Maliqi,  nxënëse në shkollën e mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan, ka treguar për Portalin Shkollor se është marrë me art që nga mosha 6-vjeçare. Lënda e artit ka qenë gjithmonë lënda e saj e preferuar. Ndihmesë për të ka qenë profesoresha e saj Jyksele Gjinolli, e cila, siç thotë Leonita, e ka shtyrë gjithmonë të provojë diçka të re dhe i ka dhënë shumë mësime rreth artit.


“Kur nuk kam qenë e sigurt në vetvete, profesoresha ime më ka motivuar dhe më ka frymëzuar të vazhdoj më tej. Ajo ka zbuluar talentin tim”, thotë Leonita Maliqi për Portalin Shkollor. 


Edhe pse Leonita tani ndjek shkollën e mjeksisë dhe është në klasën e 10-të, ajo thotë se nuk mendon ta lërë artin anash. Kur është pyetur se çfarë rëndësie ka arti për të, artistja Maliqi është shprehur kaq bukur për Portalin shkollor: 


“Arti për mua është shpresë, guxim, inspirim, e motiv i jetës. Është terapia më e mirë për mua. Arti thjesht i jep kuptim jetës sime. Është kënaqësi për mua, poezi, këngë e lumturisë, një libër që do e lexoja edhe po të mos kishte mbarim, është rruga që do ecja edhe po të ishte e mbushur me gjemba. Sepse kur unë bëj art, unë qetësoj shpirtin tim, ndjenjat e emocionet lë në të.”



Leonita thekson se inspirimi për pikturën “Vajza me plis” i ka ardhur në prag të festës së 28 Nëntorit. Për artisten Maliqi, vajza me plis përfaqëson kombin tonë dhe vlerat tona shqiptare. 


“Kam menduar të bëj diçka me shumë ngjyra, normalisht me ngjyrat që i përshtaten kombit tonë. Procesi ka qenë pak i vështirë, dhe ka marrë kohë pak si shumë, por prapë ia kam arritur qëllimit dhe ka dalë ashtu si unë kam dashur.”

Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

791 Lexime
4 muaj më parë