Oseku, fituesi i konkursit të fotografisë “Colours of Albania”

Juristi nga Gjakova Nëntor Oseku është fituesi i konkursit të fotografisë “Colours of Albania” i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Juristi nga Gjakova Nëntor Oseku është fituesi i konkursit të fotografisë “Colours of Albania” i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë dhe British Council në Tiranë.

Konkursi synonte që përmes fotografisë dhe rrjeteve sociale të përcjellë në gjithë botën imazhin e bukurive të natyrës shqiptare, me qëllim që Shqipëria të bëhet një nga destinacionet kryesore në Ballkan për investime dhe për turizëm.

Stafi Colours of Albania bashkë me anëtarët e Jurisë dhe stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë foton e Nëntor Osekut e kanë shpallur foton më të mirë të këtij konkursi.

Bukuritë e Shqipërisë do të promovohen për herë të parë në mënyrë digjitale kudo në botë. Fotografitë më të mira të përzgjedhura në konkursin e fotografisë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, British Council në Tiranë dhe Ambasada Norvegjeze do të përmblidhen në një katalog, i cili do t’u shpërndahet falas përfaqësive diplomatike në botë.

Portali Shkollor ka kontaktuar me Nëntor Osekun dhe në ditët në vijim do të realizojmë së bashku një intervistë.

1,413 Lexime
8 vjet më parë