Refleksion

“Panairi i librit, një mundësi e artë për të kuptuar veten dhe tjetrin”, nga Evans Drishti

Prej vitesh “pritet” që nxënësi “t’i” afrohet bibliotekës me moton klasike “libri është miku më i ngushtë”, por ja që në të shumtën e rasteve nuk po arrihet vënia në praktikë e kësaj thënieje. Po ç’mund të bëhet në këtë drejtim?

U mblodhëm në orarin e planifikuar në bibliotekën e shkollës me të gjithë grupin e lexuesve, të cilët kishin ardhur natyrshëm me të gjitha mjetet e duhura dhe detyrat e kryera. 


Ishte një zhvillim tashmë i kthyer në traditë në shkollën tonë realizimi i një panairi të librit në ambientet e shkollës, ku:

• nga njëra anë prezantoheshin librat që ndodheshin në “arkivën” e shkollës, që padyshim përbënin një thesar të vyer që zotëronte shkolla prej vitesh, 

• nga ana tjetër vetë qeveria e nxënësve kishte shpallur një nismë për të gjithë nxënësit e shkollës, sipas së cilës çdo nxënës do të sillte tituj librash të ndryshëm nga biblioteka e tij personale apo edhe nga gjetje të tjera. 


Megjithatë nuk ishim mjaftuar vetëm me këto, përkundrazi “klubi i lexuesve” prej ditësh kishte hulumtuar libra të ndryshëm duke nxjerrë fragmente apo fraza të fushave të ndryshme shkencore dhe sociale dhe duke i skicuar në formatin e një ekspozite, pikërisht në ditën e prezantimit të panairit. 


Dita afroi menjëherë dhe prezantimi pati një efekt tepër pozitiv për të gjithë të pranishmit, pasi nxënësit u njohën më nga afër me tituj të ndryshëm të veprave poetike, historike, shkencore etj dhe u krijua mundësia e një diskutimi të gjerë rreth tematikave që ofronin librat e panairit. 


Funksionimi i bibliotekës së shkollës “historikisht” është perceptuar dhe kuptuar si një ambient ku nxënësi mund të gjejë mundësinë të marrë ndonjë libër “natyrisht” letrar, madje nga ata që u thonë “mësimdhënësit” e lëndës së Gjuhës dhe letërsisë shqipe. 


Për rrjedhojë raporti i nxënësit me bibliotekën nuk është se ka gjetur një gjithpërfshirje duke hasur në luhatje të shumta përgjatë procesit mësimor dhe edukativ. Gjatë kësaj periudhe kanë qenë “evidentë” ata nxënës që i janë drejtuar bibliotekës së shkollës. 


Është koha e ndryshimit të raporteve 


Prej vitesh “pritet” që nxënësi “t’i” afrohet bibliotekës me moton klasike “libri është miku më i ngushtë”, por ja që në të shumtën e rasteve nuk po arrihet vënia në praktikë e kësaj thënieje. 

Po ç’mund të bëhet në këtë drejtim? 


Së pari: 

Është një domosdoshmëri që biblioteka të “nxirret” përjashta duke ua prezantuar titujt e librave të ndryshëm të gjithë nxënësve të shkollës dhe stafit pedagogjik nëpërmjet një “panairi” që mund dhe duhet të realizohet në ambientet e brëndshme apo të jashtme të shkollës. 

Puna në këtë drejtim ndihmon së tepërmi që: 

  • Nxënësit e kategorive të ndryshme të njihen më nga afër me “pasurinë” e bibliotekës” duke i shfletuar librat e ndryshëm që ofron biblioteka;
  • Nëpërmjet prezantimit të fushave të ndryshme të librave vihet re më qartë edhe “prirja që shfaq nxënësi për fusha të ndryshme të jetës;
  • Ka shumë domethënie takimi i mësuesit me nxënësit dhe librat në një atmosferë përtej laboratorit të klasës, ku hapen diskutime të larmishme që bëhen më tërheqëse për çdo natyrë të brezit të ri;
  • Me përgatitjen e posterave të ndryshme nxënësit dhe stafi pedagogjik njihen më nga afër me tematikat që ofrojnë libra të ndryshëm për mosha të ndryshme; 
  • Nxënësit kuptojnë se libri nuk i përket vetëm fushës së letërsisë, por çdo shkence që zhvillohet në institucionet tona të arsimit parauniversitar;
  • Nëpërmjet një ekspozite të prezantimit të përmbajtjeve dhe titujve të ndryshëm nxënësit kuptojnë dimensionin e gjerë dhe alternativat e shumta që ofron “leximi” i një libri;
  • Me reflektimin e pikëpamjeve të ndryshme nxënësit arrijnë të gjykojnë më qartë edhe natyrën e tyre vetjake edhe karakteret përkatëse dhe si rrjedhojë nisin të ndryshojnë edhe sjellje apo veprime “të pakontrolluara” ndoshta që më parë. 


Së dyti: 

Organizimi i projekteve kurrikulare në ambientin e bibliotekës ofron mundësi të shumta për nxënësit e natyrave të ndryshme të bashkëveprojnë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me “librin” që ofron laboratori i bibliotekës.

Nxënësit në bashkëpunim me mësuesit përkatës të lëndëve të ndryshme tërhiqen së tepërmi nga atmosfera që ofron biblioteka duke zhvilluar një “intuitë” të qartësuar tek nxënësit për të ofruar tema të larmishme mbi bazën edhe të titujve të larmishëm. 


Së treti: 

Biblioteka s’duhet kuptuar gjithnjë si një ambient ku “lexuesit” e rregullt paraqiten të tërheqin ndonjë material të “detyrueshëm” për lëndën dhe procesin, përkundrazi është një domsdoshmëri që proceset mësimore të lëndëve të ndryshme të zhvillohen herë pas here në ambientin e bibliotekës së shkollës. Pra jo vetëm një “orë letërsie”, por edhe “orë gjeografie”, “orë historie”, “orë arti pamor”, orë filozofie” etj  

Një gjë e tillë u jep mundësi të gjitha natyrave të nxënësve, edhe “lexuesve të rregullt” edhe “të distancuarve nga leximi” që të gjënden më pranë librit, qoftë ky letrar, historik, gjeografik, kulturor apo edhe të shkencave të ndryshme. 

Le ta mendojmë se ka aq shumë nxënës që nuk janë “futur” kurrë më parë në ambientin e një biblioteke, për rrjedhojë kjo do të përbënte një “risi” edhe për ta edhe për funksionimin me sukses të një procesi mësimor dhe edukativ. 


Së katërti: 

Organizimi i tryezave të rrumbullakëta qoftë në ambientin e bibliotekës qoftë edhe në ambiente të tjera brënda dhe jashtë shkolle, ku në shërbim të tematikave që trajtohen nxënësve u vihen në vemendje edhe tituj të larmishëm që kanë të bëjnë edhe me tematikat në fjalë. 

Nëpërmjet një diskutimi të lirë nuk u jepet mundësia të flasin vetëm “të zakonshmëve’ të diskutimeve, përkundrazi të gjitha nivelet gjejnë rastin të shprehen lirisht dhe brënda kontureve të një logjike të shëndetshme për tematikat në shqyrtim. 


Nxënësit me këtë rast e shohin veten 

  • Të përfshirë 
  • Të njësuar 
  • Të komunikueshëm 
  • Diskutues 
  • Të pranueshëm 
  • Të vlerësuar 
  • Të respektuar 


Gjithashtu: 

Panairi i librit na mundëson të kuptojmë: 

  • Titujt e larmishëm të librave 
  • Autorët vendas dhe të huaj 
  • Hapësirat ku ndodhin ngjarje dhe evente 
  • Personazhet dhe raportet e tyre me realitetet dhe jetët 
  • Fjalët dhe frazat kyçe si një pasuri e patjetërsueshme e shqipërimit dhe shqiptimit 
  • Shprehjet e figurshme dhe urtësitë popullore si busulla orientuese të njohjes së kulturës popullore dhe jo vetëm 
  • Duke gjykuar mbi këto aspekte ne arrijmë ta vëmë veten në pozicione të ndryshme duke u qartësuar për pjekurinë, identitetin edhe vizionin që zotërojmë. 
  • Në raport me “tjetrin” gjykojmë identitetin e personazheve dhe raportet e tyre me realitetet. Origjinaliteti dhe vlerat humane na kthjellojnë drejt një ndjeshmërie dhe përgjegjshmërie për të pranuar një “retrospektivë” dhe duke kuptuar “thelbin” e ekzistencës si qenie njerëzore.




 

Nga Evans Drishti



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,499 Lexime
2 vjet më parë