Romani "Shtatë dritaret" i Virion Graçit në fokusin e shkollave nga Floreta Gjino

Floreta Gjino, mësuese e Gjuhës shqipe-Letërsisë në gjimnazin jopublik “Numani” në Fier, i është përgjigjur thirrjes për të sjellë zëra dhe mendime frymëzuese. Ajo ka përgatitur një përmbledhje mbi romanin “Shtatë dritaret” të Virion Graçit, autor që duhet njohur më gjerësisht në shkollat e mesme.

Libri Shtatë Dritaret i autorit Virion Graçi, kur doli në treg më tërhoqi vëmendjen. Si titulli, me idenë që jep, ashtu edhe autori, ishin të njohura për mua. Megjithatë, përditshmëria e ngarkuar me ritmin e zakonshëm, nuk më la hapësirë për të lexuar me qetësi pasi e bleva librin. Prandaj e ruajta për pushimet verore që ta shijoja leximin.


Ky roman më solli ndër mend Kronikë në Gur të Ismail Kadaresë, ku të dy autorët janë gjirokastritë: njëri lindur në lagjen karakteristike të Palortosë, në rrugicat me kalldrëm të organizuar, tjetri nga Kolonja e Laberisë, ku guri është i pranishëm, por i egër, që të vret këmbët kur ecën. Kjo më bëri të ndjej se Gjirokastra tashmë vjen më e plotë përmes njohjes së penës nga dy shkrimtarë, të cilët sjellin mjedisin gjirokastrit me këndvështrime të ndryshme, por plotësuese të njëra-tjetrës. 


Romani i ndarë në tri pjesë trajton fatin e individit dhe familjes shqiptare nën regjimin komunist, përplasjen me mendësinë e kohës, përjetimet njerëzore, peshën e kujtesës dhe rrënjët e identitetit që ndjekin individin edhe përtej sistemit. Autori jep një rrëfim të dhimbjes, por jo për ta zhytur lexuesin në pesimizëm,përkundrazi ai dëshiron që dhimbja të këndohet, dritaret mund t’i kuptojmë si simbol i dritës, vëzhgimit të jetës dhe reflektimit të brendshëm.


Në pjesën e parëtë romanit përshkruhet jeta në fshat gjatë sistemit komunist, mendësia e kohës, vështirësitë, humanizmi i disa njerëzve dhe servilizmi i të tjerëve që mbështesnin sistemin. Përshkrimi është rrjedhshëm, i ndjeshëm dhe ngjan si një rrëfim i ngrohtë që të sjell në mend dashurinë e gjyshërve dhe jetën në një mjedis rural tipik shqiptar, para viteve ‘90-të.


Personazhi kryesor, fillimisht fëmijë e më pas i rritur, tashmë pedagog, na njeh me përjetimet e tij emocionale në një kohë ku liria ishte e kufizuar, kishte shtypje të saj, ku familja e tij përjeton ndëshkim, internim, përndjekje herë të kuptueshme, herë absurde. Nëpër fletët e romanit, lexuesit do të gjejnë veten duke ndjerë dhimbjen, ëndrrat e lëna pezull dhe pendesën e heshtur të heroit kryesor kundrejt prindërve të tij. 


Libri nuk lë pa përmendur as traditat, zakonet e zonës dhe ritualet që shoqërojnë jetën, përfshirë edhe vdekjen. Një portretizim i qartë i fshatit nën komunizëm: një fëmijë që ndalohet të rritet e zhvillohet, përpjekjet për ta penguarnë një arsimim dinjitoz, të mbajturit fshehur të potencialit të tij, thjesht sepse sistemi e ndëshkon për qëndrimet e prindërve dhe të paraardhësve të tij. Rruga e tij është e mbushur me ëndrra të shtypura dhe dhimbjen e prindërve, të cilën ai e përjeton bashkë me ta, duke u bërë pjesë e tyre, për të mos i lënë të vuajnë të vetëm.


Ironia e hollë dhe thumbuese është e pranishme, sidomos në pasqyrimin e personazheve që ndonëse kishin kontribuar për vendin, nuk morën kurrë mirënjohjen që meritonin, përkundrazi shpesh u mohua kontributi i tyre. Ndërkohë të tjerët, që pretendonin se kishin luftuar për atdheun, merrnin meritat. Stina e dimrit është përshkruar me një realizëm emocional aq të fortë,sa drithërohesh e të pushton ankthi si lexues se diçka nuk do të shkojë mirë, ndjen ftohtësinë, pasigurinë dhe dhimbjen që rëndon mbi personazhin kryesor. 


Gjatë leximit të romanit zbulohet rëndësia e personave, të cilët merrnin vendime për të tjerët, për individin, duke u përpjekur t’u ndryshojnë rrjedhën e fatitedhe atë të personazhit kryesor kur ishte fëmijë, por dhe i rritur. Personazhi fëmijëdhe pegagog, është “farkëtuar” me durim, duke mos u dhënë pas kënaqësisë së momentit. Romani shpalos mendësinë e ngushtë të sistemit, përpjekjen për të zhveshur njeriun nga rrënjët, për ta detyruar të harrojë përkatësinë familjare për të lulëzuar gjatë atijsistemi. Por autori nuk harron, mëson atë që i ofrohet dhe vazhdon mëtej se duhet vetëm të “matet me më të mirët”.


Pjesa e dytë e romanit zhvillohet pas viteve 2000. Tashmë familja jeton në një sistem të ri, ku traditat, zakonet mbeten të gjalla, jepet ritualit i pirjes së duhanit nga "prijësi i familjes", një zakon i trashëguar ndër breza vetëm për burrat që marrin përsipër barra të rënda mbi supe. Kjo pjesë është e ngarkuar me reflektime të personazhit, autorit për jetën, për vdekjen, pendesë për atë që nuk e ka bërë apo nuk e ke bërë mirë, ndjesi që çdo njeri i përjeton gjatë jetës.


Autorina sjell personazhe realë, të prekshëm, të njohur për lexuesin shqiptar si gjyshi, babzoti të cilët ndryshe nga "Kapedani" në film, nuk bëjnë kompromise për të vërtetën e tyre. Ata i qëndrojnë besnik vetes, me gjithë barrën e kohës dhe vështirësive që i nuk i përkulën. Në këtë pjesë të romanit, jo më nën sitemin komunist, paraqitet një tjetër formë skllavërimi, ajo moderne, ku punëtorët, emigrantët shqiptarë punojnë në kushte të mjerueshme, të keqtrajtuar, por pavarësisht kësaj në çdo kohë jeta duhet të vazhdojë, cikli jetësor ka kuptim kur ka martesa, lindje, trashëgimi, në perceptimin e paraardhësve të tij.


Në libër ndjen pendesën e djalit të rritur, pedagogut, përballë vdekjes së prindërve, një ndjesi universale, dëshira për të kërkuar falje për mundin, sakrificat që prindërit kanë bërë për rritjen dhe edukimin e tij, një ndjesi e thellë, vlerësimi, respekti për ata që hedhin rrënjët e jetës, e ushqejnë, e rritin, pa u ankuar pavarësisht sakrificave që kalojnë, për prindërit.


Romani lexohet si një rrëfim emocional, jo thjesht si përshkrim. Më shumë e ndien sesa e sheh. 


Në pjesën e tretë pedagogune ritakojmë në qytetin e tij,ku ka munguar për më tepër se dekadë e gjysmë, e cila jepet në një ritëm që nuk ndjek ritmin aktual, por një kohë tjetër, të ngadaltë, të thellë, ashtu siç e përshkruan edhe Kadare te “Kronikë në gur”, një qytet ku “thyhen ligjet e urbanistikës”, këtu thyhet ritmi i kohës. Dhënia e realiteteve të ndryshme, në kohë të ndryshme gjatë rrugëtimit të tij, me ndryshime jo të zakonshme gjatë komunizmit, ndryshimi i sistemit me traumat nëpër qytetet e vogla. Janë këto përvoja që e kanë ndihmuar fëmijën pedagog të plotësohet me asetet të cilat i kanë dhënë ngjyra rrugëtimit të tij. 


Rikthimi i autorit në vendet ku ka jetuar (Korçë dhe Tiranë), e ndihmon të përjetojë afrimitetin që kishte me të afërmit e tij, duket sikur kështu do të mbajë gjallë mendimet e tij, pavarësisht sfidave, në një vend ku i ishte shkatërruar fëmijëria, jeta e prindërve e gjyshërve, besimi te njerëzit nga të cilët kishin frikë, pavarësisht ngjashmërisë. Lexuesi kupton se ndëshkimi që mori familja e tij në komunizëm, sikur u trashëgua nga njëri brez te tjetri. Një dënim i heshtur, që nuk u shua me ndërrimin e regjimit.


Graçi na njeh me njerëzit e këtij vendi në një mënyrë tjetër, të drejtpërdrejtë, të zhveshur nga idealizimet. Ai shpreh nevojën e njeriut për të zbuluar rrënjët e tij, për të kuptuar veten, për të pranuar dhimbjet e përvojat si pjesë të identitetit.


Rrugëtimi i tij është i mbushur me humbje, pengesa dhe dhimbje, por nuk ndien kurrë dëshirën për hakmarrje. Ai vetëm tregon me sinqeritet, me dhimbje edhe me art, sepse, siç thotë Homeri: “Zotat na i dhanë dhimbjen që ta këndojmë.”


Virion Graçi, përmes Shtatë Dritareve, nuk shkruan vetëm për të kaluarën, por për një plagë që ende dhemb. Ai i jep zë atyre që nuk patën zë. Në këtë mënyrë, ai i përmbahet misionit më fisnik të letërsisë: jo të ndryshojë botën, por të mos lejojë që bota të harrojë.


Sepse, në fund të fundit, siç thotë autori përmes zërit të vet:

"Është endës i ëndrrave, i jetës dhe i plagëve të tij."



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

552 Lexime
5 ditë më parë