Albas në panairin e Librit në Selanik

Rëndësia që morën botimet ALBAS në Panairin e Librit në Selanik dhe botimi i librit “Vrima” në greqisht

Botimet Albas nuk kanë munguar as këtë vit në Panairin e Librit të mbajtur në Selanik. Botuesja Rita Petro mirëpriti të interesuarit për të folur veçanërisht rreth botimeve për Diasporën. Gjithashtu në këtë eveniment Znj.Petro ka promovuar librin “Vrima” të përkthyer në greqisht nga poeti Nikos Katsalidas.

Me rastin e ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Selanik, në mjediset e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë, është organizuar një takim gjatë të cilit të interesuarit kanë pasur mundësinë të takojnë nga afër botuesen Rita Petro, për të diskutuar për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët në Diasporë.


Gjatë këtij takimi, ku të pranishëm ishin shumë lexues, studentë, mësues e shkrimtarë, Konsulli Z. Arqile Sota, u ndal te çështja se si  mund të gjendeshin mënyrat më të mira për ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët shqiptarë që jetojnë në Selanik dhe një nga këto padyshim është vlera që ka libri. 

Për këtë u vlerësuan si ndihmë e madhe botimet e ALBASIT, për shembull: “Abetarja Mbarëkombëtare”, paketa për fëmijët në diasporë “Gjuha dhe kultura shqipe”, seria me personalitete shqiptare “Më quajnë”, librat e klasikut për fëmijë, Bedri Dedja, “Legjenda e vende shqiptare”, “Në botën e pikturës shqiptare” etj.

Botuesja Rita Petro gjithë organizmin e ka konsideruar tepër mikpritës teksa ka veçuar mesazhin se libri fshin kufijtë, libri na bashkon. 


“Një pritje dhe një bashkëbisedim aq i ngrohtë në mjediset e Konsullatës Shqiptare në Selanik me rastin e Panairit Ndërkombëtar të Librit që mbahet çdo vit në këtë qytet. E falënderoj Konsullin, Z. Arqile Sota për mikpritjen dhe nderimin. Përshtypje të mrekullueshme më lanë disa studente, të cilat ndonëse kishin lindur në Selanik e flisnin aq kulluar gjuhën shqipe. Po kështu u ndjeva aq mirë që shumë miq atje ishin të interesuar për librat e mi dhe firmosa për ta. Ishte kaq bukur kur i dhuruam libra në shqip e në greqisht njëri-tjetrit.  Do të veçoja zonjën Ardiana Sota për dashamirësinë e treguar dhe interesin ndaj librave. E në veçanti, mikeshën dhe bashkëpunëtoren Aurela Kondurin, jo vetëm për përkushtimin ndaj aktiviteteve e promovimeve gjatë panairit të librit, por dhe për gjithçka bën si pioniere e mësuesve në diasporë që janë aq të përkushtuar me shpirt e punë konkrete për ruajtjen dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe. Libri fshin kufijtë, libri na bashkon”, ka thënë Petro. 


Por përveç këtij aktiviteti me rëndësi për ruajtjen e gjuhës shqipe në Diasporë, në Panairin e Librit në Selanik u shënua një ngjarje e veçantë për letrat e spikatura shqiptare të përkthyera në greqisht. Këtë herë si poete dhe autore, Rita Petro ka marrë pjesë në përurimin e librit të saj "Vrima" i cili  sapo është botuar në gjuhën greke. Vëllimi me poezi është përkthyer në greqisht nga poeti Nikos Katsalidas ndërsa është botuar nga Saixpirikon. 

Pas botimit në Francë të librit “Vrima” nga shtëpia botuese “L’Harmattan” dhe botimit në Rumani nga shtëpia prestigjioze botuese “Corint”, poemat e Rita Petros tashmë i ofrohen edhe lexuesve në Greqi. 


“Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Selanik, te stenda Shekspirikon, e njohur për botimet e serive poetike të poetëve bashkëkohorë, është tashmë dhe libri ‘Vrima’ përkthyer mjeshtërisht nga Nikos dhe Aris Kacalidhas. Libri është i shoqëruar nga fotot e Feliks Bilanit që i përkasin shfaqjes së famshme ‘Penetrimi i shpirtrave’ me regji të Arian Sukniqit. Faleminderit Dorina Basha dhe Eleana Ziakou për kujdesin e tepruar që ky libër të dilte kaq bukur. Përkthimi dhe botimi është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Rita Petro


.  


N.Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

683 Lexime
11 muaj më parë