ESE

Romantizmi shqiptar e ka të huaj dukurinë e pikëllimit botëror

Ese: Argumento përmes ngjarjeve dhe ideve që përcjell poema e Milosaos. Përgatiti Jonart Hadri, klasa XI, shkolla “Ernest Koliqi”.

Përgjatë kalibrit penëndritur të veprave letrare, sidomos në periudhën e romantizmit, njihemi me portrete heronjsh, ndjenjat e të cilëve u shpërfaqën në sfera të ndryshme. Ashtu të qashtra e të pastra, këto ndjesi, në thelb tropare plogështimi, nuk mbetën si përsiatje emotive të egos personale, por u glorifikuan në simbolin e përbotshëm romantik, që himnon të bukurën.


Kështu, pasi u ngjiz në unin e artdashësve europiane, kjo rrymë, apo më mirë të themi, ky revolucion, hodhi rrënjë edhe në Shqipëri. 


Po kush ishin heronjtë tanë? Karaktere që vajtojnë dëshpërimisht fatin e tyre? Të humbur që lëngojnë nga dhimbja? Mërgimtarë të zhgënjyer dhe princër aventurierë? 


Nuk do të thoja kështu. Protagonistët e romantizmit shqiptar në veprat e De Radës, Pashko Vasës, Naimit, Mjedës e Çajupit, nuk stepen nga lëndimi, as përpiqen "të arratisen". Përkundrazi, saga e personazheve të shek.XIX, mëtoi të lartësonte motive dhe ideale sublime, pikësynim i cili për bashkëkohësit europianë, nuk shprehte ndonjë rëndësi fort të madhe, për sa kohë ata i mëshonin shprehjes estetikisht të pështjellimeve emocionale dhe jo zgjidhjes së tyre. Ky qëllim i romantikut shqiptar, s'mund të arrihej ndryshe, veçse me përpjekje për të rrokur atë metamorfozë shpirtërore, e cila kthen zhgënjimin në shpresë, dhimbjen në forcë jete...  


Nëse për Gëten apo Bajronin ky ekspresivitet pasqyrohet nëpërmjet të himnuarit e natyrës, largimit nga atdheu apo arratisjes në dimensione e kohë të tjera, për De Radën me shokë, ajo shpaloset përmes një kontrasti tepër të furishëm: përballëvënies së dhimbjes njerëzore me rendjen pas lumturisë. 


Pa dyshim, duke u ndikuar edhe nga fryma atdhetare e kohës, heroi Milosao, e vendos mozaikun e melankolisë në një plan të dytë, duke u vetëflijuar për tokën mëmë, siç thotë edhe në poemë: "Domosdo, të vdekur ne mbi shtrat do të shtrihemi, në mos duke bërë luftë përpara shtëpive tona!".


 A do të themi pra, se heroin nuk e shqetësonin mendime të errëta? Që nuk dashuronte dhe ai një vashë?


Patjetër që jo, madje Milosao u kthye në vizionarin e parë që na njohu me idealin demokratik, përpos atij filozofik: luftës ndaj pabarazisë, paragjykimeve dhe mentalitetit regresiv. Prandaj dhe figura komplekse e romantikëve shqiptarë duhet vendosur në piedestal. Jo sepse arritën të rroknin të pamundurën, por sepse zotëruan forcën që të shndërronin ndjenjat, duke mbetur gjithmonë predikues të romantizmit. 


E njëjta natyrë ku po zhvilloheshin beteja të përgjakshme e ku dergjeshin lipsane martirësh, për Milosaon ishte vetë Parajsa  me kopshtet e saj mbresëlënëse, me "vreshtat verdhullore e yjet pranë së bardhës hënë". Parajsa ku Milosao gjeti dashurinë e jetës, ku dëgjoi belbëzimet e birit të shtrenjtë, ku dëfrente hareshëm me njerëzit e zemrës. Parajsa ku flijonte lëngatat për t'u mbushur me frymë jete. Parajsës qe s'i largohej,  por i gëzohej aty,  ku "ulet por s'do të flejë". 


Vëzhguar si një parabolë, kjo poemë i ngjason edhe shëmbëlltyrave biblike, tipar të cilin jo pak romantikë shqiptarë e përdorën në veprat e tyre. Duke filluar me vetë fshatin baritor e jetën në të, të ngjashëm me mjediset e Judesë, duke vazhduar me tragjedinë personale të largimit nga atdheu (Jona, Ruthi e profetë të tjerë), me tragjedinë kombëtare të luftërave, qëllimin e Milosaos për të shenjtëruar fshatrat, vatrat e fiset duke i bashkuar e deri në motivin final: rendjen drejt Shqipërisë së lirë, atë të cilën folklori shqiptar e sheh si "Tokën e premtuar", e cila mbrohej vetëm me gjak. 


Kështu, poemat romantike shqiptare janë poemat e jetës! Në to mpleksen ndenja të forta e komplekse, të cilat, nën petkun e dashurisë, lumturisë, lirisë dhe shpresës, arritën të perifrazonin frymën romantike në një rrafsh të ri: atë që i këndon mbrothësisë e dashurisë përmes alegorisë së jetës njerëzore.



Nga Jonart Hadri,  klasa XI - shkolla “Ernest Koliqi”

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,557 Lexime
2 vjet më parë