Ese

Shumë studiues dhe kritikë të letërsisë e konsiderojnë Medean më tepër si një personazh modern

Ese nga nxënësi Hermes Hoxha për tragjedinë “Medea”. Klasa X, shkolla “Ernest Koliqi”.

“Medea” është një nga tragjeditë më të bukura dhe të fuqishme të Euripidit, por edhe të të gjithë antikitetit. Në këtë vepër, Euripidi trajton të gjitha pasionet, ndjesitë dhe psikologjinë “e koklavitur” të natyrës njerëzore. Kjo gjë është shumë e rrallë për dramaturgët e kohës, të cilët i kushtonin më shumë rëndësi perëndive, sesa njerëzve. Euripidi ishte ndër të parët që i humanizoi personazhet dhe i solli më afër letërsisë moderne.


Medea është një grua e egër dhe mbi të gjitha, shumë hakmarrëse. Ajo, njësoj si Antigona dhe Akili nuk dorëzohet kurrë dhe nuk e duron dot faktin që armiku ta shikojë me përçmim. Në këtë vepër ne, si spektatorë, nuk e shikojmë Medean si një magjistare, por si një njeri të thjeshtë, një nënë dhe një grua.


Unë i bashkohem mendimit të studiuesve dhe kritikëve, të cilët e konsiderojnë Medean një personazh modern. Ajo i del kundër shumë traditave dhe mendësive të atëhershme. Medea kundërshton  martesën  monogame, tradhtinë dhe dhunën ndaj gruas. Ajo revoltohet kur burri i bën një padrejtësi dhe nuk rri e përulur ose e mënjanuar si gratë e tjera korintjane. Medea e kupton që institucioni i martesës mban një shtet në këmbë dhe se martesat “e sëmura”, lëndojnë gjithë shoqërinë. Kjo tregon një nivel të lartë emancipimi dhe një mendësi që e kalon atë të kohës antike.


Në vepër, Medea gjithashtu, del dhe mban një fjalim përpara grave korintjane. Ajo kundërshton padrejtësitë që i bëhen dhe revoltohet kundrejt burrave tipikë të asaj periudhe. Medea përpiqet të bindë gratë për gjendjen e mjerueshme të shoqërisë greke dhe në të njëjtën kohë, Euripidi do t’ju tregojë spektatorëve se gruaja është shumë e rëndësishme në shoqëri. Me gra të përdhosura, edhe shoqëria i ka ditët e numëruara.


Në momentet para se Medea të vrasë bijtë e saj, dallohet qartë konflikti kryesor i tragjedisë, ai midis Medeas si nënë dhe asaj si grua. Kjo është një tjetër cilësi, që e afron atë më tepër me personazhet modernë, me konfliktet e brendshme që ndodhin brenda nesh, me konfliktet midis dashurisë dhe urrejtjes, konfliktet midis hakmarrjes për atë që e tradhtoi dhe faljes për hir të mirëqenies së fëmijëve. Të gjithë këto “luftëra” aktuale, që secili prej nesh i përjeton të paktën një herë gjatë jetës së tij, e bëjnë Medean një heroinë që tejkalon kohën.


Pavarësisht këtyre, ajo që bëri Medea është e pafalshme. Ajo nxori në pah një antivlerë, që fatkeqësisht është shumë e pranishme në ditët tona sot, mbizotërimi i hakmarrjes. Ajo zgjodhi të vriste fëmijët, një akt makabër dhe i paimagjinueshëm, vetëm e vetëm në mënyrë që të mos dukej e dobët përpara armikut. Mbi të gjitha, Medea tregon natyrën e vërtetë njerëzore, komplekse dhe të padeshifrueshme. Kjo është një sfidë e vërtetë për psikologët anë e mbanë botës.


“Medea” është një nga veprat e para, që nxit emancipimin e gruas në shoqëri dhe zhvillimin e figurës së saj. Pa Medeat e historisë, shoqëria nuk do të kishte arritur këtë zhvillim që ka sot. 




Nga Hermes Hoxha, klasa X, shkolla “Ernest Koliqi”

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,714 Lexime
1 vit më parë