“Të vërtetat e pathëna”, nga Dhurata Agalliu

“Të vërtetat e pathëna” është shkrimi letrar i Dhurata Agalliut, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ka shumë për të thënë, por sidomos për t'i mos thënë kurrë disa të vërteta...

Mësuesi, shpirti brilant që në çdo fjalë zemre portretizon sytë e nxënësve të tij, mimika e buzëqeshje njëra pas tjetrës sikurse një galeri ngjyrash, ndjesish e ëndrra pafajësie që veç fëmijët apo të rinjtë mund t'i kenë...


Duke u regjur lëkura, koha kalon pa u ndier dhe bashkë me të treten komplekset, frikërat, paragjykimet dhe... le ta marrin vesh të gjithë se si ndihet secili prej nesh në disa detyrime të fundvitit, edhe pse asnjëherë ndoshta s'do ta pranonit... me këtë shkrim mund t'më kryqëzoni po vetë ju, kolegët e mi.

Makth i përvitshëm procesi i administrimit të provimeve të VANAF-it, të PL-së, por sidomos i MSH-së.

Si në të tilla organizime, secili prej administratorëve shoqëroi në ambientin përkatës nxënësit dhe iu përvesh punës me seriozitetin dhe përkushtimin maksimal për t'ia dalë me sukses...

Nxënësit shihnin gjithandej, majtas-djathtas, flisnin me njëri-tjetrin pa e vrarë hiç mendjen ku ishin e për çfarë ishin; të qeshura, lëvizje pa sens, a thua vetëm se në shkollë nuk ishin...

Ato që binin në sy ishin pikërisht disa vajza, veshja e të cilave fliste më shumë se qëndrimi i tyre (pantallona super të shkurtra xhins, veshje dekolte dhe transparente, thonj të vënë...)

Për momentin u turbullova, por "Kujdes!" i mërmërita ndërgjegjes.- Përshëndetje sërish nxënës, - u mundova të stabilizoja situatën, - besoj jeni njohur me udhëzimin për provimet nga mësuesit apo Komisioni i posaçëm për të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë gjatë provimit.


- Po! - e thënë aq fort dhe goditëse nga ata.

- Bukur, atëherë le të respektojmë veten dhe njëri-tjetrin duke treguar vërtet vlerat dhe qëndrimet tona më dinjitoze.


...Ishte gati e pamundur ta menaxhoje vrullin dhe egoizmin e tyre, nuk përmbaheshin...

Ndihesha aq e dobët dhe e pazonja, por për të mos rënë “pre” e tyre, ndryshova strategji.


- Nëse vazhdoni kështu, qoftë edhe për një lëvizje, do të marr fletë-testet në moment!

Kuptova, me keqardhje, që vetëm frika mund të disiplinonte papërgjegjësinë e disave prej tyre.

Aty më gjeti belaja!(?)


Një vajzë filloi të qante duke ngritur zërin:

- Po ushtron dhunë psikologjike! Unë e kam 10-të...

"Ç'më gjeti?" - regëtinte në kokën time.

- Ju lutem, më mirëkuptoni, nuk lejohen biseda, lëvizje, zhurma... ju i dini më mirë se unë rregullat...


Është momenti kur empatia, altruizmi dhe filantropia ndërthuren me njëra-tjetrën, por s'duhet të ndodhë asnjë prej tyre, secili nxënës duhet të marrë atë që meriton. Të mendosh pastaj që secili prej nesh ka firmosur mandatin e tij “ …nëse nxënësi kopjon... mbaj përgjegjësi deri në largim nga puna...”


Bëra si bëra, me thënë të drejtën shumë herë, gjoja nuk shihja kur ata jepnin e merrnin me njëri-tjetrin, me ankth e pasiguri prisja të përfundonte koha ligjore, sepse ata pretendonin se tashmë kishin përfunduar dhe se s’kishin çfarë të bënin më.


Dëgjohej gati nga çdo ambient zhurmë e zëra të pandërprerë, dhe ne, mësuesit e gjorë, që shkëmbenim në heshtje, nga ndonjë kënd i dyerve vështrimet e rënduara ...supet e ngritura... buzët e mbledhura...

Duhej edhe gjysmë ore të përfundonte koha, nxënësit kishin dorëzuar testet dhe situata linte për të dëshiruar, pothuajse në gjithë katin.


Është momenti kur gjërat mund të shkojnë për inerci...


E gjithë trupa administruese, me durim e profesionalizëm gjeti një “truk” për t'ia dalë mbanë edhe këtë herë, duke u bërë palë e çapkënllëqeve të nxënësve sa me një debat, sa me një pyetësor apo pyetje të hapura ku më “çapkënët” të gjenin veten deri diku.


- Simulojmë një situatë, - u sugjerova nxënësve. - Çfarë të dëshironi ju... p.sh., “Pushime në mal apo në det?” apo “Barazia gjinore, mit apo e vërtetë?”.


Duket se tema e dytë u ngjalli interes (pra, kisha dalë “pa dashje” nga korniza ligjore).

Secili u përfaqësua me gjithë intelektin e vet, sikur të ishin analistë të mirëfilltë dhe u befasova për inteligjencën dhe arsyetimet e holla për të mbrojtur atë çka mendonin, por sidomos për të rrëzuar atë që nuk besonin në debat me njëri-tjetrin.


“Kaq të mençur, - mendoja, - por, pse kaq rebelë!?”

Pa dyshim mosha, por edukimi lë për të dëshiruar…, lë gjurmë gati të pashlyeshme në karakterin e çdo njeriu.


Çuditërisht, disa nga vajzat ishin turbulencat e së tërës rreth të cilave vërtitej forca e rëndesës...

Ra zilja dhe sikur të mos mjaftonte e gjitha, u dëgjua me tërbim zëri i drejtoreshës së shkollës duke ngjitur shkallët e katit të dytë (ligjërisht, ajo s'duhet të figuronte në shkollë atë moment):


- Cili ishte administratori i ambientit Y?

(Paskësh qëlluar mësues i rreptë filani dhe i duhej tërhequr veshi tamam...)

Pamë njëri-tjetrin vjedhurazi dhe, ashtu... i thamë të gjitha.

Sapo dola nga shkolla, dëgjoj një zë kërcënues:


- Kush është “filanka”? E di çfarë të bëj unë ty, di nga je, ku banon, ku jep mësim, di gjithçka për ty!

Turli mendimesh m'u përplasën dhe kolapse rrahjesh zemre në të mijtat e sekondës.

- Përshëndetje zonjë! Çfarë problemi ka, - i thashë e hutuar, - si mund t'ju ndihmoj, ju lutem!

- Keni ushtruar presion psikologjik mbi mbesën time, - gulçoi, - m'i tha të gjitha sapo doli.

Më kaloi nëpër mendje gjithë shiriti i telenovelës së testimit “Vajza që qau...”

- Nuk është e vërtetë... - u mundova me shpirt t'ia shpjegoja të gjithën dhe isha gati t'ia plasja të qarit, por ç'rëndësi kishte!?


Zonja e moshuar nuk donte të dëgjonte asnjë shpjegim, vetëm përsëriste duke kërcënuar dhe zgjatur duart drejt meje.


- Të njoh mirë, vetëm ti nuk i lë nxënësit të kopjojnë. Kam qenë mësuese edhe vetë, nuk do të jesh kurrë më mësuese, të premtoj, inshallah nuk merr mbesa 10-të... t'më njohësh mirë kush jam unë...

Çuditërisht qëndrova e qetë dhe në gjithë këtë vetëm kaq më doli automatikisht nga goja:

- Qetësohuni, zonjë, mbesa juaj u emocionua paksa në fillim të testit... por... të siguroj që i bëri të gjitha. Ju lutem... do marr forcat e rendit... më lini të kaloj!

"Mësuese! Si mund të ketë qëndrime të tilla një mësuese për mësuesen, mendo dikush tjetër që s'di çfarë heq lëkura e një mësuesi!?"

Ndoshta e gjitha çfarë ndodh janë pasojë e një lemerie procedurash menaxhimi e vlerësimi!?

"Aaaaah', sa do donim të ishte si dikur, ku secili merrte atë që meritonte me aspak kosto nga të gjitha palët!"

(S'e di, kjo e fundit është kaq shumë e dëshiruar dhe është bërë tashmë pjesë e lutjeve të përditshme të mësuesit)...


Kuptova që inteligjenca emocionale s'ishte asgjëkund, madje kishte vdekur pa qenë ndonjëherë rreth e përqark, sidomos për brezat që mund të kishte kaluar zonja në fjalë.

Koleget prisnin diku në dalje të shkollës për të bërë një copë rrugë së bashku, por sidomos për t'i thënë të gjitha frustrimet e pazakonta që ndodhin rëndomë në kësisoj rastesh; të lodhura, jo aq shumë nga temperaturat e larta, por me ankthin. “Do Zoti, s'më del emri në provimin e radhës”.


(Shënim nga redaksia: raste të tilla nuk janë përgjithësuese, por duhet mbajtur një qendrim kritik për herët kur shfaqen.)


Dhurata Agalliu (Totaj)


Dhurata Agalliu ka lindur më 15 shkurt të vitit 1969 në Plashnik, fshatin e rrethit të Beratit ku ka kryer edhe arsimin 8-vjeçar. Bukuria dhe madhështia gjeografike e këtij qyteti me sa duket i dhuruan frymëzimin për të shijuar vargjet e para për vendlindjen botuar në gazetën lokale të qytetit "Kushtrimi" me të cilat fitoi disa çmime "Almanaku letrar" të akorduara nga D. Agolli, I. Kadare dhe Z. Çela.

Dhurata Agalliu ka kryer arsimin e mesëm ekonomik në Berat dhe studimet e larta në Elbasan për Gjuhë- Letërsi. Motoja e punës së janë kreativiteti dhe të punuarit me projekte, si një zgjedhje praktike për formimin dhe edukimin e nxënësve.

Me iniciativën e saj ka botuar libër dhe gazeta me studime e kërkime me të cilat janë njohur nxënësit dhe komuniteti mbi vendlindjen e trevës ku ka punuar në vitet e para të punës.

Ka punuar si mësuese në shkolla të ndryshme, nëndrejtore e drejtore në shkollën Sheqëz dhe aktualisht punon mësuese në shkollën 9-vjeçare Velabisht, Berat. Ka marrë çmimin Finaliste e Çmimit Kombëtar "Mësuesi i Vitit në Shqipëri 2017" në konkursin "Mësuesi i Vitit 2017". 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,842 Lexime
10 muaj më parë