KRIJIM

Tregimi me titull "Shkrimtarja"

Pasioni i Anisa Nebiut, nxënëses së gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, është të shkruarit. Ajo lëvron më së shumti prozën. Tregimi “Shkrimtarja”, është një nga tregimet e saj, shkëputur nga cikli i tregimeve të shkruara.

Diku kam lexuar se një shkrimtar nuk mund ta harrojë dot kurrë herën e parë, kur merr para apo lëvdata në këmbim të ndonjë historie, kur letërsia e bën realitet emrin e tij të shtypur në një copë letër, sepse tashmë shpirti i tij e ka një çmim. Hera ime e parë ndodhi në një ditë të largët vjeshte të 1934-ës. Isha 17 vjeç, jetime dhe punoja për Filipen, një nga botuesit më me emër të Italisë. Pa familje tjetër, përveç atij qyteti të errët dhe shtatoreve misterioze që herë dukeshin si shenjtore e herë si demonë, gazeta u bë streha dhe bota ime. 


Mes tymit që mjegullonte rrugicat me kalldrëm, territ dhe ajrit të helmuar prej gjakut, dhunës dhe shthurjes, unë gjeta strehë në librarinë e vetme të qytetit. Ishte vendi im i shenjtë.. Aty ku ulesha e sodisja e mrekulluar rradhën e gjatë të librave. Vendi ku ushqeja një ëndërr sa të vjetër dhe universale.. Të bëhesha shkrimtare. Librashitësi më linte të ulesha në një qoshe dhe të lexoja pa kërkuar kurrë diçka në këmbim të librave që merrja në dorë. Por kur nuk më vinte re, une i lija mbi banak monedhat që kisha ruajtur për muaj të tërë dhe ndërsa largohesha derdhja lot se po të varej prej meje do të rrija të jetoja aty. Pikërisht në atë labirint që kundërmonte letër të vjetër, pluhur e magji u njoha me Filipen. Nuk e di ç’e shtyu të më fliste.. 


Gjithmonë më pat thënë se e kuptoi menjëherë teksa më shihte tek lexoja, që isha nga ato gra të afta të shndërrojnë shpirtin e tyre në mish. Më mori në mbrojtjen e tij dhe shumë shpejt ishte lexuesi im i rregullt. Më mësoi çdo gjë që dinte dhe një ditë vendosi ta bënte ëndrrën time realitet. Më dha mundësinë të shkruaja tregime për gazetën e tij. Por duhej t’i vërtetoja se mundesha. Atë natë nuk vura gjumë në sy. Luftova me çdo frazë fjale e çdo germë sikur të ishte e fundit që shkruaja. Shkrova dhe rishkrova çdo rresht me një frymë, derisa në agim sytë e mi pushuan në faqen e fundit. Të nesërmen e gjeta tregimin tim të shtypur në gazetë. Flija vetëm katër orë në ditë dhe kur zgjohesha ndihesha edhe më e lodhur. Ia kushtoja tërë netët shkrimit të tregimeve me pjesë në sallën e redaksisë. Më shtynte përpara një forcë që deri para pak kohësh nuk e dija që ekzistonte. 


Fakti që lexuesit e vlerësonin atë që shkruaja më bënte të mos hiqja dorë. Por shumë shpejt krenaria e prekur e kolegëve të gazetes që i kisha konsideruar familjen time, i shtyu të më hidhnin nga pas shprehje sarkazmi dhe përbuzjeje. Fati im i mirë i atribuohej Filipes dhe për sa i përkiste veprës sime ishte provë paaftësie dhe mungesë meritash. Jo nuk munda t’i duroja. Shpifjen nuk e honepsja dot, por ajo që më frikësonte më shumë ishte se mund të kishin të drejtë. Se ndjenjat na e mjegullonin të dyve arsyen e ftohtë. Lashë çdo gjë në një ditë të ftohtë dimri. Nxitova për në stacionin e trenit pa u menduar gjatë. Bleva një biletë në sportel dhe u ula të prisja në platformë. Vetëm atëhere ndjeva me të vërtetë peshën e valixhes që kisha marrë. Pak e nga pak filluan të shfaqeshin udhëtarët njeri pas tjetrit duke nxituar drejt trenit. Zura një vend e mbështeta kryet mbi xhamin e dritares. Në fund të platformës më zunë sytë një burrë me pallto të zezë që po më vëzhgonte përmes tymit të cigares së tij. E kisha zhgënjyer. Por e dija se nuk do të më harronte dot kurrë. Si do të mbetesha në kujtesën e tij? Çfarë isha për të?


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

213 Lexime
1 muaj më parë