Talent

Vajzat si Bora, që nuk ndalen...

Bora Beqa është vajzë shumë e talentuar. Pëlqen shumë pikturën dhe muzikën. Bora na thotë që do shumë të studiojë në Paris dhe të bëhet artiste. Por jo vetëm kaq, Bora edhe pse për pak mbush 10 vjeç nuk ndalet për ta mbushur kohën me shumë aktivitete cilësore...

Bora Beqa, pret me padurim ditëlindjen e saj të 10-të, më 25 tetor. Arsyeja pse e theksoj këtë datë, është se përkon me lindjen e Pablo Pikasos, që ajo e preferon shumë si artist. Bora është një vajzë e qetë dhe shumë e sjellshme. Në klasë ka një përkushtim ndaj të gjitha lëndëve dhe kujdeset që të jetë e përgatitur ashtu si duhet. 


Dita e Borës


Bora ka një regjim ditor të ngarkuar dhe e racionon kohën, që të mos lerë pas dore asnjë nga angazhimet që ajo ka. Pas shkolle Bora ndjek disa kurse si piano, programimi, robotika, basketbolli. Kursi që i pëlqen më shumë së fundmi, është kodimi. Ajo me shumë durim dhe përgjegjësi, ndjek këto aktivitete dhe përpiqet që asnjë detyrë mos ta lerë pas dore. Përgjegjësia e saj kryesore janë mësimet dhe detyrat, të cilat i bën sapo kthehet nga shkolla. 

Më besoni që nuk e ka të lehtë, por me kurajë dhe vullnet ajo ja del më së miri. Bora dëshiron të ketë rezultate sa më të larta në mësime, që të arrijë në jetë të bëjë profesionin që e ka më për zemër, por thotë ajo, akoma nuk e kam zbuluar se kë dua më shumë nga pasionet që kam.


Lidhja me pikturën


Bora është vajzë shumë e talentuar. Pëlqen shumë pikturën dhe muzikën. Bora na thotë që do shumë të studiojë në Paris dhe të bëhet artiste. Ajo ka një lidhje të ngushtë me pikturën, sepse që e vogël ka vizatuar dhe prindërit e saj, duke parë këtë prirje të Borës e kanë motivuar duke i dhuruar telajo, bojëra, penela.Bora ka bërë shumë piktura në telajo. Një herë na thotë ajo, kam kopjuar një pikturë të Pikasos, sepse e ka dhe piktorin e preferuar dhe i bashkon data e lindjes, 25 tetori. Bora nuk ndalet së pikturuari, madje ka patur raste kur ajo është ngritur në mes të natës e frymëzuar dhe ka hedhur ngjyrat në telajo. Prindërit e kanë mbështetur gjithmonë në pasionet e saj, sidomos në pikturë. Ajo është shumë e talentuar.


Lidhja me muzikën


Bora ka një lidhje të ngushtë me muzikën. Kjo lidhje filloi që kur Bora ka qenë në barkun e mamit, kur ajo i këndonte me zërin e saj të ëmbël. Mami i Borës, Orgesa këndon shumë bukur. 

Bora ka shumë kujtime të bukura me mamin e saj në skena të ndryshme dhe koncerte. Madje edhe në aktivitetet e shkollës që ajo ndjek bashkë me vëllanë e saj Kronin, kanë kënduar në festën e shkronjave së bashku. 

Piano


Bora që prej moshës 7-vjeçare ndjek kursin e pianos profesionalisht me një specialist të fushës. Ajo studion shumë dhe ka arritur të luajë disa pjesë klasike, por luan edhe këngë pop për piano. Ajo kur luan në piano edhe këndon. Bora është vërtetë vajzë shumë e aftë dhe e talentuar në disa fusha. 


Televizioni dhe radio


Borës i pëlqen shumë televizioni. Ajo ka një zë shumë interesant dhe mund ta keni dëgjuar nëpër reklama të ndryshme duke kënduar ose duke folur. Ajo ka pasur eksperienca edhe në “Radio Tirana Fëmijë”, ku ka prezantuar disa herë këngët e fëmijëve në një emision dedikuar këngëve shqip. 

Pjesa që i pëlqen më shumë është kur ajo dublon këngët e “Mashës dhe Ariut” në Tring. Zëri i saj u përzgjodh nga vetë kompania ruse e prodhimit të filmit të animuar. Bora na thotë që është argëtuar shumë duke kënduar dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë për të. 


Koha e lirë


Në kohën e lirë Bora kujdeset që të luajë me vëllanë e saj më të vogël, Kronin, të cilin e do shumë. Asaj i pëlqen shumë të luajë futboll me Kronin. Bora na thotë që edhe vajzat mund të luajnë futboll. 

Asaj i pëlqen shumë kur në kohën e lirë del me vëllanë jashtë dhe luajnë me fëmijët e tjerë. 

Ajo e do shumë vëllanë edhe pse ai është pak çamarrok. Bora dhe Kroni kanë një serial të dashur që e shijojnë të dy “Sponge Bob, Square Pants”. Vëllai i Borës, është në klasën e dytë, ndërsa Bora në klasën e pestë. Ata shkojnë shumë mirë bashkë dhe ndajnë të njëjtën dhomë.

Borës i pëlqejnë shumë bimët dhe lulet. Ajo ja ka dalë të mbjellë vetë disa vazo dhe të kujdeset për to. Ajo ndihmon edhe mamin në punët e shtëpisë duke sistemuar dhe duke bërë punë për moshën e saj në ndihmë të familjes.


Aktivitet sociale


Bora ka shumë për zemër temat sociale dhe ka qenë pjesë e aktiviteteve të fëmijëve me Sindromën Down, ku prej disa vitesh bashkë prindërit marshojnë për të ndërgjegjësuar shoqërinë tone, për gjithëpërfshirjen e tyre në shoqëri. Bora dhe Kroni janë shumë të dashur dhe të sjellshëm me të moshuarit në lagjen ku ata banojnë dhe kujdesen për ta, duke i ndihmuar me pazaret ushqimore apo dhe me shërbime të vogla sipas mundësive. 


Leximi

Borës i pëlqejnë shumë librat. Ajo këtë verë ka lexuar 6 libra, disa enciklopedi dhe tregime të shkurtra dhe një libër me legjenda të vjetra shqiptare. Libri i saj i preferuar është “Mobi Dik”, sepse historia që përshkruhet në libër asaj i ka mbetur në mendje. Bora i do shumë kafshët dhe nuk i pëlqen që ato të vuajnë apo të vriten dhe të keqtrajtohen nga njerëzit.


Interneti


Bora studion shumë edhe gjuhën angleze që e flet dhe e shkruan shumë mirë. Ajo na thotë që ndonjëherë harron dhe në shtëpi flet anglisht pa e kuptuar. Prindërit e saj e lejojnë me orar të caktuar të përdori internetin, sepse ajo merr ide për artin, teknikat artistike të cilat i ndjek me shumë dëshirë si dhe video për kafshët. Në këtë mënyrë ajo perfeksionon edhe anglishten. 


Prindërit


Prindërit e Borës na thonë që e mbështesin në të gjitha pasionet, dëshirat dhe aftësitë që ajo ka, në mënyrë që ajo kur të rritet të zgjedhë rrugën që do dhe të vendosi vetë për të ardhmen e saj kur të vijë koha e duhur. Ata duan më të mirë për fëmijët e tyre. Dhe ne i urojmë Borës shumë suksese në rrugëtimin e saj.


Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,409 Lexime
1 vit më parë