“Vatra e dijes”

Vizitë në Mozaikun e Tiranës

Nxënësit e klasës së pestë të shkollës 9-vjeçare “Vatra e dijes” zhvilluan një vizitë te “Mozaiku i Tiranës”. Arkeologu Luan Nezha iu përgjigj pyetjeve të shumta të nxënësve, për gjithçka që ata panë te Mozaiku i Tiranës

Nxënësit e klasës së pestë të shkollës 9-vjeçare “Vatra e dijes” zhvilluan një vizitë te “Mozaiku i Tiranës”. Arkeologu Luan Nezha iu përgjigj pyetjeve të shumta të nxënësve, për gjithçka që ata panë te Mozaiku i Tiranës. Kjo vizitë studimore u mundësua falë projektit “Të lexojmë qytetin” nga Shtëpia Botuese Albas, në bashkëpunim me drejtorinë dhe mësuesit e shkollës “Vatra e dijes”.

Nxënësit spikatën me pyetjet e tyre, por edhe treguan se i kanë përvetësuar njohuritë e marra në shkollë. Aulona Imeraj, nxënëse e klasës së pestë ishte e saktë në çdo gjë që tha dhe kërkoi të dinte akoma më shumë. Gjithashtu, nxënësit e tjerë dëgjuan me kureshtje të gjitha shpjegimet e arkeologut.

Mozaiku i Tiranës, i shpallur monument kulture që në vitin 1973, vazhdon të mbetet siti arkeologjik më i vizituar i qytetit. Është zbuluar në vitin 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e një banese në bllokun Partizani. Ky sit është në vëmendjen dhe përkujdesjen e vazhdueshme të specialistëve.

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku “narteksi” dhe “naosi” kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Sipas specialistëve kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik, e pajisur edhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj. Arkeologët mendojnë edhe që në shek. V-VI, vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. 

Më kryesoret ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tri stela varresh të periudhës romake. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane, të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ‘70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”. Ai është restauruar në vitin 1976. 

(Portali Shkollor)

1,377 Lexime
3 vjet më parë