Udhëzim

Zhvillimi profesional janar 2017

Rrjeti profesional ngrihet në nivel DAR/ZA-je dhe ka për qëllim zhvillimin profesional të punonjësve të institucioneve arsimore përmes informimit, këshillimit, trajnimit, shkëmbimit të përvojave dhe mendimeve të anëtarëve.

RRJETET PROFESIONALE SIPAS UDHËZIMIT NR. 1, DT. 20.01.2017 “PËR FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË ZHVILLIMIT TË VAZHDUESHËM PROFESIONAL TË PUNONJËSVE ARSIMORË”


Neni 37


Qëllimi

Rrjeti profesional ngrihet në nivel DAR/ZA-je dhe ka për qëllim zhvillimin profesional të punonjësve të institucioneve arsimore përmes informimit, këshillimit, trajnimit, shkëmbimit të përvojave dhe mendimeve të anëtarëve të tij për tematika të punës së tyre të përditshme. 

Neni 38

Pjesëmarrja në rrjet

1. Në një rrjet profesional (rrjet), bëjnë pjesë punonjës arsimorë, si më poshtë:

a) Drejtues të shkollave;

b) Mësues të arsimit fillor;

c) Mësues të një lënde në një nivel arsimor;

d) Mësues të së njëjtës fushë të nxëni në një nivel arsimor;

e) Mësues kujdestar;

f) Etj .


2. Anëtarët e rrjetit, që e kanë të mundur, formojnë, gjithashtu, një rrjet në internet, nëpërmjet të cilit, ndërmjet dy takimeve të rrjetit, shkëmbejnë përvoja, parashtrojnë pyetje dhe marrin përgjigje nga kolegë.


Neni 39


Takimet e rrjetit

1. Në çdo takim të rrjetit shtjellohet një temë për praktikën e punës së përditshme, e cila planifikohet nga drejtuesi i rrjetit në bashkëpunim me anëtarët e tij.

2. Gjatë një viti shkollor, sipas rolit të tij, një rrjet mund të takohet disa herë në një vit shkollor, jo më pak se një herë në muaj.

3. Në varësi të tematikave të rrjetit, shpeshtësia e takimeve përcaktohet nga DAR/ZA-ja.

4. Takimet e një rrjeti zhvillohen në mjediset e një institucioni arsimor ose mund të organizohen edhe online nëpërmjet forumeve.


Neni 40


Detyra të DAR/ZA-ve

1. DAR/ZA-ja: 

a) organizon, rrjetet profesionale sipas përparësive të saj; 

b) monitoron zhvillimin e takimeve të rrjeteve;

c) vlerëson cilësinë e zhvillimit të tyre.

2. Titullari i DAR/ZA-së cakton specialistë të DAR/ZA-së për të organizuar, monitoruar dhe vlerësuar rrjete të caktuara.

3. Specialistë të DAR/ZA-së hartojnë raportin e vlerësimit për rrjetin e monitoruar (Shtojca 7) dhe i dorëzojnë nga një kopje të vlerësimit drejtuesit të rrjetit dhe përgjegjësit të sektorit të programeve të zhvillimit të burimeve njerëzore ose përgjegjësit të sektorit të kurrikulës.

4. Specialistët, që mbulojnë veprimtarinë e rrjeteve, organizojnë një herë në tre  muaj, takime me drejtuesit e tyre për të shkëmbyer mendime për përmirësimin e cilësisë së veprimtarisë së rrjeteve.

5. Çdo specialist në bashkëpunim me drejtuesin e rrjetit harton listën e punonjësve arsimorë për rrjetet që mbulon dhe ia paraqet përgjegjësit të sektorit të programeve të zhvillimit të burimeve njerëzore ose përgjegjësit të kurrikulës.


Neni 41


Kriteret për drejtuesin e rrjetit

1. Drejtuesi i rrjetit duhet:

a) të ketë punuar të paktën 10 vjet si mësues. Parapëlqehen mësues që janë vlerësuar “Shkëlqyeshëm” ose “Shumë mirë” në provimet e kualifikimit.

b) “Shkëlqyeshëm” ose “Shumë mirë” në  modulet e trajnimit, nëse ka marrë pjesë në to.

2. Drejtuesi i rrjetit zëvendësohet me kërkesën e anëtarëve të rrjetit ose nga sektori i programeve të zhvillimit në DAR/ZA në rast të mos plotësimit në mënyrë cilësore të detyrave të tij të përcaktuara në këtë udhëzim.

3. Drejtuesi i rrjetit njeh mirë legjislacionin që ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë rrjeteve profesionale.

4. Drejtuesi i rrjetit dallohet për:

a) ide novatore dhe për aftësi krijuese profesionale;

b) aftësi drejtuese dhe menaxhuese të seancave/takimeve informuese, këshilluese apo trajnuese me anëtarët e rrjetit;

c) qëndrimin etik dhe aftësi komunikuese me kolegët;

d) korrektesë në kryerjen e detyrave si anëtar i personelit të institucionit arsimor;

e) gatishmërinë për të bashkëpunuar me kolegët;

f) aftësi profesionale të transmetimit të saktë dhe të qartë të informacionit shkencor dhe didaktik tek kolegët.


Neni 42


Përgjegjësitë e drejtuesit të rrjetit


1. Drejtuesi i rrjetit:

a) harton në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të rrjetit, plani vjetor të veprimtarisë së rrjetit;

b) ka përgjegjësi për zhvillimin cilësor të takimeve të rrjetit nëpërmjet organizimit të përgatitjes paraprake të anëtarëve të rrjetit;

c) organizon dhe drejton takimet e rrjetit me një tematikë të caktuar;

d) realizon takime të rrjetit dhe përcjell informacione që merr nga institucione të tjera si DAR/ZA, IZHA, ISHA, AKP etj.

e) plotëson listën e pjesëmarrësve me nënshkrimin e çdo pjesëmarrësi dhe e dorëzon te specialisti përkatës i DAR/ZA-së.

f) Përgatit raport të shkurtër për çdo takim të rrjetit si dhe raport vjetor për veprimtaritë e rrjetit përkatës. 

Drejtuesi i rrjetit luan edhe rolin e trajnerit për tematika të ndryshme në rrjetin që ai drejton.


Neni 43


Norma e drejtuesit të rrjetit

Norma e drejtuesit të rrjetit profesional ulet nga norma e mësuesit 2 orë në javë. Kjo normë përdoret për përgatitjen, marrjen e trajnimeve, organizimin e takimeve të rrjetit si dhe organizimin e trajnimeve për pjesëmarrësit e rrjetit përkatës.


Neni 44


Përzgjedhja e drejtuesit të rrjetit

1. Në takimin e parë të rrjetit, anëtarët e rrjetit propozojnë 2 kandidatë për drejtues të rrjetit.

2. Bazuar në kriteret për drejtues rrjeti, DAR/ZA cakton njërin prej tyre drejtues të rrjetit përkatës. 

3. Drejtuesi i rrjetit drejton dhe organizon veprimtaritë e rrjetit për një periudhë 4 vjeçare, me të drejtë rizgjedhje.

4. Nëse drejtuesi i rrjetit dorëhiqet ose nuk përmbush përgjegjësitë e përshkruara në nenin 42 të këtij udhëzimi, zëvendësohet nga DAR/ZA me një pjesëmarrës tjetër të rrjetit.

6,553 Lexime
2 vjet më parë