ROBIN SHARMA

13 mësimet që nxorëm nga karantina

Në mars 2020 bota ndryshoi. Ne do t’u tregojmë për këtë brezave të ardhshëm. Do t’u flasim atyre rreth dhimbjes dhe lëndimit, por edhe për mençurinë dhe mësimet që nxorëm.

Në mars 2020 bota ndryshoi. Ne do t’u tregojmë për këtë brezave të ardhshëm. Do t’u flasim atyre rreth dhimbjes dhe lëndimit, por edhe për mençurinë dhe mësimet që nxorëm.

Unë reflektova rreth të mirave që mund të përfitojmë gjatë qëndrimit brenda, të strehuar në një vend, duke përjetuar më shumë qetësi.


1. Shërimi, transformimi dhe evolucioni i vërtetë nuk ndodh jashtë, nëpër botë, por thellë nëpër skutat e heshtjes, vetmisë dhe qetësisë.


2. Të jesh i detyruar të qëndrosh në një vend për një kohë të gjatë të ofron mundësinë e rrallë për të qenë më tepër krijues.


3. Kohët e trazirave janë momentet që na rrisin më shumë. Ne nuk formësohemi kur çdo gjë shkon mirë.


4. Për shkak të virusit, shumë familje i forcuan lidhjet mes tyre, janë bërë më të afërt. Njerëzit që e kanë ndier të nevojshme të kërkojnë falje, e kanë bërë. Muret mes njerëzve janë rrëzuar. Vaktet së bashku janë rikthyer dhe kanë rëndësinë e tyre. (Aftësitë e mia në gatim janë përmirësuar).


5. Tashmë nuk i marrim gjërat për të mirëqena. Ua dimë rëndësinë perimeve të freskëta, një shëtitjeje në park, të shkuarit në restorant, një udhëtimi me avion. Të gjitha këto na duken si ngjarje të veçanta.


6. Pandemia na ka detyruar të gjithëve të ndalojmë. Ky është një rast i mirë për ta njohur veten, talentet, frikërat, dallgët tona emocionale. E ndërsa në këtë periudhë ne ndërtojmë një “vete” më të sofistikuar, rindërtojmë tragjedinë në triumf.


7. Të gjithë e kanë kuptuar se gjithçka që duket bukur nëpër rrugë, ka zero vlerë, përderisa askush nuk është aty për ta parë.


8. Njerëzit i janë rikthyer sërish librit, thesareve klasike dhe moderne, poezive dhe biografive. Kështu ne pasurohemi dhe nuk jemi vetëm të zënë, si navigues “zombie” të internetit.


9. Vuajtja ka detyruar shumë njerëz të hapin zemrën e tyre në këtë botë të re. Fqinjët po e ndihmojnë njëri-tjetrin. Të panjohurit po i buzëqeshin njëri- tjetrit. Ai mur që njerëzit i kishin vendosur zemrës së tyre, për ta mbrojtur, po rrëzohet.


10. Po shikojmë nënën natyrë të marrë frymë sërish. Pa avionët, fabrikat, anijet, qielli, toka dhe oqeanet po i rikthehen shkëlqimit të tyre fillestar. Ky është një përfitim i shenjtë.


11. Shumë njerëz po përdorin bllokimin si një laborator për të mësuar aftësi të reja, që kur gjithçka të hapet sërish, të kenë më shumë vlera në tregun e punës, në mënyrë që të shpërblehen më mirë.


12. Shumë prej nesh po bëhen më produktivë. Po humbasim më pak. Po kujdesemi më shumë. Këtë po e realizojmë me atë që kemi, duke u ndier shumë mirënjohës.


13. Ka ardhur koha për një hapje shpirtërore. Kur gjërat humbasin, qenieve njerëzore u jepet mundësia të rilindin sërish. Pjesë tonat vdesin, kështu që një njeri kreativ, i guximshëm, mirënjohës dhe i dobishëm del në pah. Ne e lëmë pas atë se çfarë ishim, për t’u shndërruar në variantin më të mirë të vetes. E gjitha kjo është një bekim. Jo një dënim.


Shpresoj shumë që këto mësime t’ju kujtojnë të mirën kur gjërat shkojnë keq. Shpresoj t’ju ndihmojë të pohoni madhështinë tuaj, ndërsa shumë të tjerë përreth përballen me një frikë të tmerrshme.

Unë jam këtu për t’ju ndihmuar. Ndihem tmerrësisht i nderuar t’i shërbej këtij qëllimi në këto kohë. Ju falënderoj për besimin që keni në punën time. Së bashku, do t’ia dalim mbanë.

Gjithashtu po punoj për disa projekte, të cilat do t’i shërbejnë rrugës suaj të lidershipit, përsosmërisë dhe këmbënguljes suaj.

Shpresoj që e gjitha kjo t’ju ndihmojë.

Qëndroni të fortë dhe kurajozë!

Me dashuri dhe respekt,

Robin


Së shpejti në shqip, përveç Klubi 5 e mëngjesit, mund të lexoni edhe dy titujt e rinj të Robin Sharmës, Murgu që shiti Ferrarin dhe Kush do të qajë kur të vdesësh.




Përktheu: Parajsa Shtini


Burimi: https://www.robinsharma.com/article/important-growth-lessons-from-life-in-lockdown?fbclid=IwAR1Q-T1lSI8G_8maGS9uX6sLG11HPQuXgWraFbPoWVkTp0QJOic8hPVRkts


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,749 Lexime
3 vjet më parë