QASJET NË MËSIMDHËNIE

A sjellin detyrat e shtëpisë telashe?

Mësuesit e disa prej shkollave në Florida kanë zgjedhur të mos i japin nxënësve detyra shtëpie, por në vend të kësaj ata duhet të lexojnë 20 minuta letërsi artistike çdo mbrëmje. A jeni dakord me këtë zgjedhje?

Në këtë artikull, ju sjellim mendime të ndryshme mbi një çështje tejet të diskutuar: detyrat e shtëpisë. Detyrat e shtëpisë nuk duhen eliminuar, por duhen individualizuar, përshtatur me nevojat e nxënësit, ose duhen zëvendësuar me një tjetër aktivitet. Mësuesit e disa prej shkollave në Florida kanë zgjedhur të mos i japin nxënësve detyra, por në vend të kësaj ata duhet të lexojnë 20 minuta letërsi artistike çdo mbrëmje dhe duhet ta faktojnë. A jeni dakord me këtë zgjedhje? 


Mosmarrëveshje për detyrat e shtëpisë?


Prej një kohe të gjatë, janë zhvilluar debate në lidhje me detyrat e shtëpisë. Ka nga ata që i kritikojnë fort mësuesit që japin shumë detyra shtëpie, ashtu sikundërse, ka edhe nga ata që e mbështesin këtë metodë. Ata që i refuzojnë detyrat e shtëpisë, mendojnë se detyrat vrasin kuriozitetin e fëmijëve dhe i bëjnë ata shumë automatikë. 


Për vite me rradhë, mësuesit dhe prindërit i konsideruan detyrat e shtëpisë një mjet të domosdoshëm për procesin arsimor. Por, studimet për efektivitetin e tyre, deri më tani janë sa kontradiktore, aq edhe të paqarta. 



Ku konsiston rregulli i 10 minutëshit?


Sipas profesorit Harris Cooper, nga Universiteti Duke, është thelbësore që nxënësit të kenë detyrat shtëpie. Metanalizat e tij mbi detyrat tregojnë për një lidhje mes ekzekutimit të detyrave dhe arritjeve akademike, sidomos në arsimin e mesëm të lartë. 


Ai rekomandon të ndiqet rregulli i 10 minutëshit. Në klasën e parë, fëmija duhet të ngarkohet me 10 minuta detyrë shtëpie dhe çdo vit të rritet kjo ngarkesë me 10 minuta. Kur mbërrin në vit të fundit të gjimnazit, një nxënës duhet të jetë i ngarkuar me rreth 120-130 minuta detyrë shtëpie. 


Fëmijët që bëjnë detyra shtëpie janë më të përgjegjshëm dhe më të gatshëm për të bërë punë cilësore në shkollë. 


Disa studiues mendojnë se në vend të pyetjes “A duhet të kenë nxënësit detyra shtëpie?”, duhet bërë pyetja “Çfarë lloji detyrash shtëpie duhet të bëjnë nxënësit?”. Për të qenë efektive, detyrat e shtëpisë duhet të përshtaten me nevojat e nxënësve. Detyrat për secilin nxënës duhet të jenë të ndryshme, në varësi të arritjeve, performancës dhe specifikave të tyre.


Studiuesit në Universitetin e Indianas kanë zbuluar se detyrat e shtëpisë së matematikës dhe lëndëve shkencore ndikojnë në arritjen e rezultateteve të larta në provimet e maturës.  



A sjellin detyrat e shtëpisë telashe?


Në një artikull të botuar në faqen e Javës së Edukimit, mësuesja Samantha Hulsman dëshmon se merr shpesh ankesa nga prindërit. Një detyrë 30 minutëshe kthehet në betejën e përditshme. Psikologu Kenneth Barish shkruan në revistën “Psychology Today” se lufta që shkakton detyra e shtëpisë, nuk e ndihmon nxënësin të përparojë. Fëmijët që nuk i bëjnë detyrat, thotë ai, nuk janë dembelë, por ndoshta janë të zhgënjyer, të dekurajuar dhe të shqetësuar. 


Ai këshillon prindërit të punojnë me fëmijët e tyre, me anë të një plani të mirëorganizuar, duke ua marrë çdo pajisje teknologjike. Kjo do i ndihmojë ata të fokusohen dhe të mos shpërqëndrohen.  



Disa shkolla në Florida vendosën të mos jepnin detyra shtëpie, por në vend të kësaj nxënësit të kryenin një nga aktivitet e mëposhtme:

- 20 minuta lexim në mbrëmje

- Një lojë inteligjente

- Darkë me familjen

- Një krijim imagjinar

Nëse fëmija nuk kryen një nga aktivitet e mësipërme, atëherë duhet të bëjë detyrat. Kjo ishte një nga praktikat që gjeti shumë mbështetje. 



Para se të marrin një vendim, të gjithë mësuesit duhet të rishikojnë qasjen e tyre ndaj detyrave të shtëpisë. Duke kufizuar sasinë dhe duke përmirësuar cilësinë e tyre, ju mund t'i bëni studentët tuaj të arrijnë rezultate më të mira.



Nga Parajsa Shtini

Burimi: https://www.skolskiportal.hr/sadrzaj/iz-stranih-medija/prijepori-o-domacoj-zadaci/

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,149 Lexime
9 muaj më parë