MËSIMDHËNIA

Aserla Drinaj: Dashuria e mësuesit për nxënësit nuk ka kufi

Mësuesi është përgjegjësi kryesor në mbarëvajtjen e mësimit, ai gjithashtu është përgjegjës për krijimin e një klime sa më pozitive në klasë. Por çfarë udhëzimesh duhet të ndjek një mësues që të krijojë një klimë sa më pozitive gjatë mësimdhënies dhe si ndikon kjo gjë tek nxënësit?

Në mënyrë që të kemi mbarëvajtje sa më të mirë të mësimit, mësuesit duhet të krijojnë një atmosferë pozitive në klasë. Personi kyç në krijimin e kësaj klime pozitive në klasë është mësuesi. Meqenëse mësuesi është përgjegjësi kryesor në mbarëvajtjen e mësimit, ai gjithashtu është përgjegjës për krijimin e një klime sa më pozitive në klasë. Çfarë udhëzimesh duhet të ndjek një mësues që të krijojë një klimë sa më pozitive në klasë dhe si ndikon kjo gjë tek nxënësit?


Së pari mësuesi duhet të jetë i hapur me nxënësit e tij, të mos paragjykojë, të jetë fleksibël dhe të pranojë kritika. Kur mësuesi është i hapur me nxënësit, ai kërkon mendimin e tyre se si duhet ta zhvillojnë mësimin apo se çfarë gjërash duhet të përmirësoj ai për të qenë sa më efektiv tek nxënësit. Nxënësit në këtë mënyrë ndjejnë që mësuesi i do dhe i respekton mendimet e tyre.


Së dyti duhet të jetë parimor pra të jetë sa më i drejtë me nxënësit pavarësisht prejardhjes së tyre, gjinisë apo edhe pozitës që ata kanë. Mësuesi duhet të sillet me të gjithë njëlloj. Asnjëherë nuk duhet të jetë i njëanshëm apo të mbaje me hatër. Në qoftë se ai e zbaton me rigorozitet këtë parim, atëherë është e sigurt që do të fitojë besimin e nxënësve dhe ku ka më mirë se sa të fitosh besimin e nxënësve.


Së fundmi, mësuesi duhet të jetë ndihmës. Ai gjithmonë duhet t’i orientojë nxënësit për mësimet, duhet t’i lehtësojë procesin e të nxënit dhe t’i ndihmojë. Nëse mësuesi mundohet t’i kombinojë të gjitha cilësitë që përmendëm më lart, atëherë krijimi i një klime pozitive në klasë nuk është diçka e paarritshme. Nëse arrihet krijimi i një klime pozitive në klasë, atëherë edhe mësuesi e ka më të lehtë të shpjegojë mësim, kurse nxënësit hyjnë në atmosferën e mësimit dhe mësojnë më shumë. Në këtë mënyrë mësuesi arrin objektivat e tij, por më e rëndësishme se arritja e objektivave është nxënia e nxënësve.


Për ta përfunduar unë dua të theksoj se mësuesi përpara se të fillojë të shpjegojë mësimin, duhet para së gjithash të mundohet të krijojë një klimë sa më pozitive në klasë. Nëse arrihet kjo gjë atëherë edhe mësuesi do e shpjegojë mësimin me dëshirë, por edhe nxënësit do të vijnë me dëshirë dhe me qejf në klasë.



Nga Aserla Drinaj, mësuese në shkollën Paçram Shkodër



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,167 Lexime
3 vjet më parë