Analizë

Ata që nxënë do trashëgojnë botën

“... ata që janë të aftë të nxënë do të trashëgojnë botën, ndërsa ata që dinë do ta gjejnë veten të kompletuar plotësisht për t’u përballur me një botë që nuk ekziston më”

Arsimi ynë po përjeton fazën e tretë të reformimit. Në këtë proces, po pohojmë shumëçka, me dëshirën për të ndryshuar, por duket kjo nuk mjafton. Nuk mjafton, jo pse agjentët e ndryshimit dhe drejtuesit nuk janë kompetentë, por për arsyen se vetë procesi i ndryshimit është i ndërlikuar dhe i mbushur me të papritura, ndaj, do duhet të jemi syçelë dhe të përfshihemi në shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemeve. Sot, shkolla dhe arsimi shohin përpara vetes çështje themelore. Kjo bën që universitetet – si qendra të kërkimit shkencor – të mos shqetësohen vetëm për autonominë e tyre, por edhe për atë që filozofi frëng Zhan Fransua Ljotar (Jean-François Lyotard) e quante “aftësia e dijes për të bërë gjëra”. Pasi, sa vjen e po zgjerohet ndarja ndërmjet atyre që diskutojmë sot e gjithë ditën dhe atyre me të cilat do duhet të merremi vërtet. Më së pari, me bindjen se problemet arsimore të shekullit të ri nuk mund t’i zgjidhë mendimi pedagogjik i shekullit të shkuar.


Inteligjenca është cilësi e mendjes që nuk ndryshon, apo na duhet një qasje tjetër për inteligjencën dhe nxënien?

Vetë koncepti i inteligjencës po përjeton fazën e kalimit nga inteligjenca krejtësisht njohëse (kognitive) në inteligjencën e shpërndarë mbi larmi burimesh njohëse ose jo, individuale apo të ndërtuara nga shoqëria. Modeli tradicional e pa inteligjencën si tipar të pandryshueshëm të mendjes (të themi, si ngjyra e syve) mbi të cilën “natyra” llogaritej se ndikonte shumë më tepër se sa “ushqimi”. Ky theks për pandryshueshmërinë e aftësive e çoi shkollën të përqendrohej më shumë mbi çfarë nuk mund të ndryshonte në mendjen e të riut, se sa mbi atë që mund të ndryshonte. Pikëpamja e vjetër për inteligjencën është sfiduar dhe përshtatur mjaft nga shkencëtarët gjatë 20 viteve të fundit. Ata po e perceptojnë inteligjencë më shumë si tërësia e zakoneve të mendjes që mund të kultivohen. Kur ky modeli i vjetër të lihet mënjanë, do të shohim të çlirohen shumë praktika arsimore të reja. Shkollat do mund ta pyesin veten si të kultivojnë të nxënësit aftësi si ato për punën në grup, komunikimin, zgjidhjen e konflikteve etj., si dhe intuitën ose ndjeshmërinë, mendimin kritik etj. Kështu, shkollat do mund t’i ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë inteligjencën funksionale, praktike dhe të gjerë, duke u përqendruar më pak mbi mësimdhënien e pafundme rreth gjërave, duke i transmetuar, analizuar dhe shpjeguar ato vazhdimisht.


Sot, gjithnjë e më shumë, po merren parasysh veprimi aktiv vetjak i nxënësit dhe ndërtimet e tij mendore, përmasat shoqërore dhe kulturore të nxënies, bashkë me natyrën kontekstuale të saj. Modelet e mëdha didaktike dhe nxënia e njëjtë për të gjithë po ngjallin gjithnjë e më pak interes. Të rrallë janë sot kërkuesit në psikologjinë arsimore që do donin të identifikoheshin si “bihevioristë”, “konstruktivistë”, “kognitivistë”, “funksionalistë” apo diçka tjetër. Ajo që u intereson sot nuk është me “Nxënia” me “N” të madhe si objekt i përcaktuar dhe i pandryshueshëm, por, pikërisht, aspektet shkencore të këtij problemi të vendosura në një kontekst të dhënë.


Ku duhet të jetë fokusi i dijeve disiplinore?

Organizimi tradicional i dijeve në sistemin e ngurtë të disiplinave shkencore ishte hartuar nga Ogyst Komt (August Comte). Ky sistem me 6 disiplina, me pikënisje matematikën dhe skaj sociologjinë, ka dalë nga moda. Disiplina të reja lindin rregullisht dhe revolucionarizojnë paradigmat shkencore të pranuara. Kështu, p.sh., fraktalet e Mandelbro-it po vënë në diskutim gjeometrinë e letrave të palosura, të cilat fëmijët i presin në shkollën fillore. Nga ana tjetër, vetë shkolla do kohë t’i integrojë dijet e reja. Të shumta qenë pengesat që njohu teoria e relativitetit përpara se të futej, p.sh., deri në programet e Shkollës Politeknike në Francë, 31 vjet pas formulimit si teori. Shndërrimet e shoqërive të sotme dhe evoluimi i dijeve janë madhore dhe pështjellojnë përmbajtjet e nxënies në shkollën që bazohet tradicionalisht mbi parimin e transmetimit të dijeve të fiksuara dhe të pandikuara nga rrjedha e kohës.


Por dhe disiplinat shkollore nuk mund të izolohen më si “ishuj të vegjël” në programe studimi dhe vite shkollore. Tani dialogu ndërmjet tyre është i pashmangshëm dhe rigrupimi në fusha nxënieje kërkon qasje ndërdisiplinore. Futja e situatave për nxënien aktive detyron përdorimin e burimeve që mobilizojnë dijet me origjina disiplinore të ndryshme. Njëherazi, dhe burime të tjera me natyrë materiale, njerëzore, trupore dhe emocionale-volitive etj. Ka ndryshuar deri vetë statusi i dijeve dhe teksteve shkollore; ata nuk janë më absolutë dhe nuk përbëjnë më prurjet e vetme për kurrikulën, as dhe të vetmin objekt të nxënies shkollore. Për më tepër, kur ka të dhëna të qarta që tregojnë se kontakti me sistemet abstrakte si algjebra, nuk i bën të rinjtë më të zgjuar. Një studim madhor i Dejvid Perkins-it (David Perkins) – një figurë e shquar kjo në botën e “inteligjencën që mund ta nxësh” – ka treguar se, pas shkollës fillore, arsimi tradicional thuajse nuk ndikon më mbi mënyrën si mendojnë njerëzit në jetën e përditshme, kur ata janë jashtë fushës së tyre të specializimit. Kur atyre iu kërkua të mendojnë rreth një çështjeje të përgjithshme, të tillë si ndikimi i dhunës televizive mbi sjelljen e njerëzve, u konstatua se, as katër vitet e shkollës së mesme, as tre vitet në arsimin e lartë dhe as tre vitet pas përfundimit të tij, nuk bënë dot dallimin në cilësinë e të menduarit të personave. Kjo është tronditëse, por është e vërtetë. Ato 5000 orë (ose afërsisht aq) të shpenzuara pas shkollës fillore për të shkruar ese, për të ndërtuar grafikë dhe zgjidhur ekuacione nuk e kanë përmirësuar mënyrën sipas të cilës mendojnë të rinjtë 18-vjeçarë kur janë jashtë klasës ose sallës së provimit. E, nëse gjeometria, përkthimet mekanike apo shumëçka tjetër, nuk përdoren kaq shumë në vetvete dhe nuk ju ndihmojnë të mendoni më mirë në jetën reale, atëherë, saktësisht, për çfarë qëllimi zhvillohen?


A funksionon sot koncepti i copëtimit dhe i veçimit të përmbajtjeve lëndore të nxënies?

Punëdhënësit, gjatë dekadës së fundit, po zbatojnë një organizim të punës që shkolla duket se nuk është ende e gatshme ta kuptojë dhe t’i përgjigjet. Kurrikula shkollore, që i organizon përmbajtjet e nxënies sipas një hierarkie mikro temash mësimore (pedagogjia me objektiva), është farë pranë modelit të Frederik Tejlor-it (Frederick Taylor), për “ndarjen e punës në mikro njësi”. Ky zbërthim i detyrës/ punës në porcione të vogla, të përsëritshme dhe jashtë kontekstit, ishte baza e punës në sistemin zinxhir, i ironizuar mjeshtërisht nga Çaplini në filmin “Kohët moderne”.


Sot, në mjediset e punës po zhvillohen qasje të tjera. P.sh., në uzinat e reja të montimit të automobilave SMART puna është organizuar në skuadra shumëdisiplinore që grupojnë në ekipe specialistë të fushave të ndryshme të ndërtimit të automobilave. Ekipi monton automobilin, zgjidh të gjithë problemet, menaxhon projektin si një të tërë deri në vlerësimin e cilësisë së automjetit të përfunduar. Kjo qasje globale, ndërdisiplinore, nëpërmjet projektit dhe si përgjegjësi e ekipit, i kthen tërësisht krahët ndarjes së punës sipas këndshikimit të F. Taylor-it. Pedagogjia e kontrollit e zhvilluar nga B. Bloom-i dhe pedagogjia me objektiva, që i përgjigjen këtij modeli organizativ të punës, nuk janë më të përshtatshme për organizimin e saj. Sot, bota e punës i bën thirrje shkollës dhe i kërkon t’i formojë ndryshe njerëzit.


Shoqëria jonë po evoluon dhe përgatitet t’u përshtatet devijimeve që e pështjelluan jo pak, duke riorganizuar themelet, duke ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet, çka kërkon të zhvillojmë një vizion imponues për nxënien në shekullin e ri, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojnë që ai të konkretizohet në të gjithë nivelet e sistemit. Sepse “ata që janë të aftë të nxënë do të trashëgojnë botën, ndërsa ata që dinë do ta gjejnë veten të kompletuar plotësisht për t’u përballur me një botë që nuk ekziston më” (E. Hoffer). Përpjekjet për reforma, qofshin ato edhe madhore, në një mjedis arsimor që nuk përgatitet të ndryshojë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e keqësojnë më tej sistemin që përpiqet të ndryshojë, duke mbetur konservator.


(Nga Pëllumb Karameta, GSH, Portali Shkollor)

5,349 Lexime
6 vjet më parë