MËSUESI-PRIND I DYTË!

Atashimi me mësuesin influencon suksesin e nxënësve në shkollë

Të dashur prindër biologjikë dhe ju shkollorë, bëhuni miq e mirëkuptojeni njëri tjetrin. Në momente të ndryshme të ditës, keni qëllime të njëjta! Ju jeni një skuadër! Mbështesni njëri-tjetrin! Jini mirëkuptues dhe bashkëpunues!

Artikull nga Sonila Dubare MSPH, MA 


Të dashur prindër,

Edhe pse ky shkrim ka në fokus mësuesin, duam së pari t’jua dedikojmë juve.

Të dashur mësues,

Ju shpesh përmendni shprehjen: “Mësuesi është prind i dytë”. 

Sot duam t’i shkojmë pak më thellë kësaj shprehje. 

Si fillim, le të lexojmë gjetjet e një studimi në lidhje me Atashimin në klasë, të kryer nga studiuesit Christi Bergin & David Bergin. 

Publikuar online: 21 Maj 2009 në Springer Science + Business Media, LLC 2009


Abstrakti: Atashimi me mësuesin influencon suksesin e nxënësve në shkollë


1. Është e vërtetë që nxënësit atashohen me mësuesit e tyre në të njëjtën mënyrë siç ata atashohen edhe me prindërit. Atashimi i sigurt është i lidhur me nota më të larta dhe pikë më të larta në e testet standardizuara, krahasuar me atashimin e pasigurt.

2. Atashimi i sigurt te nxënësit gjithashtu, lidhet me rregullim emocional më të mirë; kompetenca sociale dhe gatishmërinë për të ndërmarrë përsipër sfida; dhe nivele të ulëta të ADHD dhe delikuencës, gjë e cila përkthehet me rezultate më të larta nga nxënësit.

3. Këto efekte kanë tendencën të jenë më të forta për nxënësit që janë në risk të lartë. Pra, në nxënësit që janë më vulnerabël, por që kanë atashim të sigurt me mësuesit e tyre, ky efekt ndihet edhe më shumë.

4. Në këtë epokë llogaridhënie që ne jetojmë, marrëdhënia mësues-nxënës nuk është thjesht diçka shtesë, por është thelbësore në arritjen e rezultateve me të mira tek nxënësit.

5. Kuptimi i rolit të atashimit në klasë, do ti ndihmojë mësuesit të jenë më efektiv, veçanërisht me nxënësit sfidues. Janë dhënë dymbëdhjetë sugjerime për të përmirësuar marrëdhëniet mësues-nxënës dhe lidhjen shkollore. (Të cilat ne do t'i postojmë në një moment të dytë).


Nuk e dimë për ju, por ne na shkund ky studim. Na tregon se sa e rëndësishme është që prindi dhe mësuesi të jenë “miq për kokë”. 

Le t’i marrim pikat me radhë:


Nxënësit atashohen me mësuesit e tyre në të njëjtën mënyrë siç ata atashohen edhe me prindërit. 


Pra, me fjalë më te thjeshta: “Mësuesi është prind i dytë”. 

Prandaj, ju prindër zgjidhini me kujdes mësuesin. Ai/ajo është “ju” në shkollë. 

Sigurohuni që fëmija juaj të ketë miqësi të ngushtë me mësuesin/en. Nëse kjo nuk ka ndodhur ende është detyra juaj ta lehtësoni këtë proces. 

Dhe ju mësues, mendojeni se edhe pse në klasë, në mendjen e fëmijës, po prindëroni. Nxënësit jo ju japin në pafajësinë e tyre gjënë më të shtrenjtë që kanë: Besimin dhe nderin ti përmbushni më ngrohtësi prindërore. Çdo frikë që mund të kenë në klasë, çdo merak, çdo pasiguri, kanë nevojë ta flasin me atë që ata u kanë dhënë rolin dhe privilegjin e prindit, siç njihet në psikologji rolin e Parajsës së Sigurt/Strehës së Sigurt (safe heaven). Një fëmijë i duhet shumë guxim ta zëvendësojë Parajsën e Sigurt më një të panjohur. 

Ashtu sikurse privilegj, është tashmë përgjegjësia juaj të mos e thyeni besimin e tyre. Nëse ndodh, ata ndihen të braktisur, në vetmuar dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë. Prandaj vetë-rregullimi emocional pëson krizë, me efekte tepër të gjata e shpesh, të vështira për tu trajtuar.


Nxënësit me atashim të sigurt e paraqesin atë në nota të larta në mësime dhe rezultate më të larta në teste krahasuar me nxënësit me atashim të pasigurt. 


Duam t’ju theksojmë se atashimin e ka më shumë në dorë mësuesi. Nxënësi është pritësi. Nëse marrëdhënia e ofruar nga mësuesi nuk i jep ndjesi sigurie, mbështetje emocionale, fëmija nuk do të zhvillojë një atashim të sigurt.


Pse atashimi jo i sigurt ndikon në arritjet akademike?


Përveç shpjegimit psikologjik, ka arsye bio-kimike. Njëlloj si të rriturit, edhe fëmijët, në situata stresuese, sekretojnë Kortizol, i njohur ndryshe si Hormoni i Stresit (C21H30O5). Kortizoli punon me adrenalinën (epinefrinën) për të krijuar kujtime të ngjarjeve emocionale afatshkurtra; Si fillim dëmton memorjen afatshkurtër, por ekspozimi afatgjatë ndaj kortizolit dëmton qelizat në hipotampus (tru) dhe ky rezulton në paaftësi për të mbajtur mend, pra, dëmtim të aftësinë për të nxënë.

Pra, edhe pse fëmija përpiqet me mish e me shpirt, nëse ndihen të frustruar, kortizoli i krijuar, nuk do ti lejojë të përqendrohen. Edhe neve si adultë na ndodh e njëjta gjë, por fëmijët nuk janë të maturuar ende mjaftueshëm emocionalisht dhe fizikisht për ta menaxhuar situatën dhe për tu vetë-rregulluar në kohë. Kujtoni që edhe pse zakonisht trupi arrin maturimin në moshën 18 vjeç, disa pjesë të trurit si hipofiza dhe hipotalamusi vazhdojnë maturimin deri në moshën 25 vjeç.

Mbajeni këtë në mendje edhe kur nxirrni një nxënës para klasës për të thënë vjershën përmendësh. Jini të hirshëm dhe mirëkuptues: Nëse thotë së e ka mësuar por e harroi, besojeni dhe shprehjani. Ndoshta dalja para dërrasës është event i ri, apo emocionues, apo stresues për të. 

Nëse ju i flisni ashpër apo nuk e mirëkuptoni, më besoni, tashmë fëmija ka mjaftueshëm arsye që ta asociojë daljen para dërrasës me stres të shumëfishuar: përveç arsyes së parë, do ti shtohet turpi, ndjenja e fajit, mendime nënvlerësuese për veten, frikë, ndonjë bullizëm i mundshëm, po mbi të gjitha do të kujtojë se e ka humbur Parajsën e Sigurt në shkollë.


Madje edhe kur të largohet nga ambienti i tij i stresit (dërrasa e zezë apo e gjithë klasë), sa herë të bëjë detyrat, truri dhe kujtimet do ti japin imazhet e klasës, ndjesinë e krijuar dhe menjëherë kortizoli do ti rritet sërish. E kështu fëmijë futet në një rreth vicioz, në një zinxhir pa fillim e mbarim.  

Ne të rriturit arrijmë ta dallojmë kur është faji ynë e kur nuk është në dorën tonë, por fëmijët nuk e kanë këtë maturi ende dhe më shpesh e shohin problemin te vetja.


Shahida Arabi ka thënë:

Një fëmijë i keqtrajtuar nga prindi, nuk ndalon së dashuri prindin. Ai ndalon së dashuri veten!


I/e dashur mësues/e, (edukator apo dado), a nuk kë thënë se ti je një prind i dytë? 

E pra, dije se nxënësi do të pushojë së dashuri veten, por jo ty!

Të dashur prindër biologjikë dhe ju shkollorë, bëhuni miq e mirëkuptojeni njëri tjetrin. Në momente të ndryshme të ditës, keni qëllime të njëjta! 

Ju jeni një skuadër! Mbështesni njëri-tjetrin! Jini mirëkuptues dhe bashkëpunues!


Qëndrojini afër fëmijës dhe ndihmojeni të ndërtojë marrëdhënie të fortë, të sigurt e të qëndrueshme më Parajsën e Sigurt në shtëpi dhe atë në klasë.


Në këtë kohë COVID-i ku fëmijët po “hanë” mjaftueshëm të bërtitura e dënime nëpër shtëpi, e Parajsa e sigurt “po pëson tërmet”, instinktivisht do ti kthejnë sytë nga Parajsa e Sigurt e shkollës. Plus edhe pse ndoshta nuk ka pasur marrëdhënie të mirë me mësuesi/en i ka marrë malli për ta. Në fakt, për çdo gjë në lidhje me shkollën: bankën, shokët, shkallët, oborrin, shkumësat...çdo gjë!

Iu desh të largohen papritur nga ambienti dhe e përditshmja në shkollë; janë të lodhur nga mësimi në distancë. Fëmijët i shkatërron mungesa e marrëdhënieve dhe i mpak largësia fizike me njerëzit e dashur. Në këtë kohë më shumë mundësi nxënësit tuaj, ju shohin si shpëtimtarët. Ti shpëtoni nga “mësuesi” në shtëpi.

Prandaj, mbushuni me urtësi, me dashuri, e jini të duruar me ta. Kaloni kohë shoqërore (online) me klasën tuaj. Ata mezi po presin!

Prind, ti ke në dorë rezultatet e fëmijës tënd! 

Mësues/e, ti ke në dorë rezultatet e nxënësit tënd! 

Ke në dorë mirëqenien e tij/saj. 

Tashmë ti e di si funksionon magjia...

Përdore! 



Sonila Dubare MSPH, MA


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,048 Lexime
3 vjet më parë