Zgjedhja e profesionit

Blerina Mërtiri: Shkollimi është si një mal, sa më lart të ngjitesh aq më e gjerë është pamja

"Të zgjedhësh një degë studimi gjithmonë e kemi menduar si një vendim shumë kompleks dhe të vështirë. Mundësitë e zgjedhjeve janë të shumta por thjesht mendoni se cila do të ishte zgjedhja më e mirë për ju", këshilla për zgjedhjen e degës së studimeve nga mësuesja Blerina Mërtiri.

Jemi në një moment delikat për sa i përket maturantëve. Ata duhet të zgjedhin degët  për të vazhduar studimet e larta. Të zgjedhësh një degë studimi gjithmonë e kemi menduar si një vendim shumë kompleks dhe të vështirë. Mundësitë e zgjedhjeve janë të shumta, por thjesht mendoni se cila do të ishte zgjedhja më e mirë për ju.

Pyesni veten :


  • Cili është pasioni yt për te cilin do të studioje dhe punoje me përkushtim. Pasioni dhe puna duhet te jenë e njëjta gjë?
  • Në cilën lëndë ti je më i aftë, aftësi të cilat janë shumë të marketueshme ne tregun e punës?
  • Cilat  janë interesat dhe hobit tuaj?


Shmangni influencën e pamenduar që vjen nga shokët e shoqet, dëshirat e pabaza te rrethit familjar ,por edhe konceptet e një shoqërie konsumatore mbi mbivlerësimin e disa profesioneve “në modë”që do tu siguronin një jetë më të mirë. Zgjidh një degë për të cilën ti do të  doje të punoje.


Pyetja që bëjnë  shpesh kandidatët është:

Ne cilën degë është më lehtë të gjesh punë?

Nuk mund të gjesh një degë studimi në të cilën ti mendon se mund të marrësh shumë të ardhura. Asnjë diplomë nuk ta garanton atë. Përgjigja më e mirë është që ti duhet të studiosh shumë  për diçka për të cilën ti je i apasionuar.


Një pyetje  që shumë maturante ia bëjnë vetes është:

Po sikur të bëj një vit pushim pas shkollës së mesme?

Ka shumë histori studentesh të cilët kanë bërë një vit pushim ose kanë ndërruar degët e tyre të studimit. Këshillimi gjithmonë është pozitiv. 


Po cilët janë personat e duhur për t'u këshilluar?

Shumë persona mund të të ndihmojnë duke dhënë idetë e tyre. Por mënyra më e mirë është duke  vizituar universitete në të cilat ti mendon të marrësh informacionet e duhura. Mund të bëni konsulta me pedagoget, zyrat e këshillimit se cila do të ishte zgjedhja e duhur për një maturant. Gjithashtu ekzistojnë mënyra online për të komunikuar dhe marrë informacionet e duhura.

Në faqet e universiteteve gjeni kurrikulat që të interesojnë dhe te flasësh me personat e duhur. Ti po përcakton të ardhmen tënde prandaj merr kohën që të duhet.


Hannah Arend (shkrimtar kritik, filozof gjerman) thotë:- Informacioni është fuqi.


Universiteti nuk mbaron me bachelor, kemi mundësitë për të zgjedhur degë të tjera të masterit pasi shkollimi nuk ka fund. Ndodh që një maturant të fitojë në shumë degë që ai ka aplikuar. Të parat duhet të jenë degët që ata preferojnë më tepër, ndërsa në preferencat e fundit degë që i duan më pak, por që kanë mundësi reale për të fituar njërën prej tyre. Më idealja do të ishte që, një i ri të zgjidhte atë degë që e pëlqen më shumë, drejt së cilës shkon në mënyrë të natyrshme, përmbajtja e së cilës i zgjon interes dhe ku rruga drejt saj do të zbulojë aftësitë e tij natyrale. 


Por ka edhe  kandidate te cilët janë të vendosur në zgjedhjen e tyre.

"Unë dua të vazhdoj studimet për psikologji sepse më pëlqen të trajtoj probleme sociale. Familja më kanë lënë të lirë të zgjedh, por ama më kanë lajmëruar duke më thënë: mendohu mire, por kjo nuk më shqetëson".

"Më pëlqen të studioj biologji sepse mendoj që është një degë që ka të ardhme. Familja ime e pëlqen këtë degë dhe nuk ka shprehur ndonjë kundërshtim deri më tani. Kjo është preferenca ime".


Sipas  një vëzhgimi  në shkollat e mesme  për të kuptuar më shumë se cilat janë preferencat e gjimnazistëve për profesionet e tyre, ajo që të bie në sy është se nuk gjykojnë në bazë të pasionit, por mbi të gjitha duan një profesion që t’ju sjellë të ardhura. Ky është kushti i parë. Dhe janë të shumtë ata që duan të ndjekin traditën familjare në mënyrë që të trashëgojnë biznesin e prindërve. Ata që gjenden në këtë pikë në një farë mënyrë e kanë të ardhmen e garantuar për sa i përket profesionit  pasi gjysmën e punës e kanë gati, u duhet vetëm të shkollohen.


Degët më të kërkuara nga të rinjtë e sotëm vazhdojnë te jenë  ekonomiku, juridiku, arkitektura, farmacia, artet, mjekësia, etj. Maturantët kryesisht kërkojnë degë që janë në “modë”. 

Shumë të rinj sot  janë shumë kaotikë në kërkimin e tyre dhe shpesh kjo i drejton ata drejt një “humnerë” profesionale dhe  tendencave të tregut. Procesi i globalizimit dhe ndryshimet e shumta në tregun e punës diktojnë nevojën për specialistë të kualifikuar në të gjitha fushat e edukimit e më gjerë.


C. G. Jung (psikoanalist), shkruan: “Talentet e mëdha janë shpesh frutat më të rrezikuar në pemën e njerëzimit. Ata varen në degë të brishta që mund të thyhen lehtë”.  Prandaj çdo zgjedhje duhet të jetë e menduar mire.



Nga Blerina Mërtiri


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,780 Lexime
2 vjet më parë