Virusi te fëmijët

Dr. Ilsa Kraja: Prezenca e virusit Dorë-Gojë-Këmbë, çfarë duhet të dinë prindërit dhe edukatorët

Mjekja Pediatre Dr. Ilsa Kraja flet për virusin Dorë-Gojë-Këmbë, virusin e hasur më shpesh tek fëmijët gjatë këtij sezoni. Çfarë është? Cilat janë simptomat? Si trajtohet? Përgjigjet i gjeni më poshtë.

Teksa në një pjesë të madhe të shërbimeve ambulatore vihet re një numër i shtuar i fëmijëve të diagnostikuar me sëmundjen dorë, gojë, këmbë, një prej pediatreve më të mira në vend, doktoreshë Ilsa Kraja Mula ka rrëfyer për të kuptuar pak më tepër nga kjo virozë dhe çfarë duhet të kenë parasysh prindërit, edukatorët dhe mësuesit nëse u rastis të vegjëlve apo nxënësve të tyre.


Dr.Ilsa Mula: Bëhet fjalë për një sëmundje të shkaktuar nga virusi coxsakie, e cila prek përgjithësisht grupmoshat e fëmijëve deri në 5-6 vjeç. 

Është një sëmundje vetkufizuese, që karakterizohet nga prezenca e temperaturës, lodhjes, dhimbjes së fytit dhe puçrrave (rash) në lëkurë, përgjithësisht përreth gojës, në këmbë dhe duar, pa përjashtuar praninë e tyre edhe në pjesë të tjera të trupit.

Një karakteristikë e  rëndësishme, e kësaj sëmundjeje,  është prezenca e afteve në fyt, e cila shpesh herë shoqërohet me dhimbje dhe vështirësi gjatë ushqyerjes së fëmijëve.

Kohëzgjatja e sëmundjes shkon nga 5- 7 ditë, dhe gjatë kësaj periudhe është shumë e rëndësishme që të kihet kujdes në drejtim të monitorimit dhe kontrollit të temperaturës, hidratimit të mirë, pushimit dhe  mënjanimit të kontakteve me fëmijët e tjerë, eliminimit të kruarjes dhe larjes se duarve, duke qenë se virusi transmetohet me rrugë fekalo-orale.

Duke qenë një sëmundje virale, nuk është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve.

Këshillohet që fëmija të mbahet në shtëpi për të shmangur sigurisht transmetimin e virusit, por njëkohësisht edhe eliminimin e mundësisë së marrjes së ndonjë tjetër infeksioni, ndërkohë që trupi po lufton për të përballuar këtë sëmundje.

Në shumë raste, në një periudhe 2 javore pas kalimit të infeksionit, mund të kemi një deskuamim në nivelin e lëkurës së gishtave dhe thonjve. Prindërit nuk duhet te alarmohen, pasi bëhet fjalë për një pasojë të kësaj sëmundjeje, që nuk ka nevojë për trajtim apo thellim në diagnozë.

Shpeshherë, diagnoza diferenciale bëhet me tonsilitin purulent nga streptokoku (nga prania e elementeve aftoze në fyt, e po ashtu dhe me variçelën  (linë), e cila është gjithashtu një sëmundje virale, që shkaktohet nga varicela zoster, virus që gjithashtu ngjason për nga prania e temperaturës, lodhja dhe puçrrat në lëkurë, por që ka karakteristika që e diferencojnë, nga prania e  puçrrave ne nivelin e skalpit apo përhapja në të gjithë trupin, si dhe prezenca e vezikulave (flluskave të mbushura me ujë).

Fatmirësisht, të dyja sëmundjet mund të shkaktojnë komplikacione të rralla, si encefaliti apo dehidratimi, ndërkohë që komplikacione me të shpeshta të variçelës janë pneumonia apo otiti. Në një periudhë afatgjatë, variçela mund të shfaqë edhe  të ashtuquajturën herpes zoster (flaka e natës), si pasojë e riaktivizimit pas shume vitesh, të virusit, i cili ka qëndruar në formë latente në nivelin e nervave spinale)

Për variçelën ekziston një vaksinë dhe për format e rënda të saj, edhe trajtim me aciclovir. Ndërsa për coxsaki virus nuk ka një trajtim specifik apo vaksinë.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,928 Lexime
2 vjet më parë