Evans Drishti: Sa i njohin prindërit librat shkollorë të fëmijëve të tyre!
Sa i njohin prindërit librat shkollorë të fëmijëve të tyre? Ky shkrim sjell një vështrim mbi njohuritë dhe botën që ofrojnë tekstet shkollore, duke theksuar rolin e prindit përtej notës: të jetë pranë fëmijës, ta orientojë, ta dëgjojë dhe ta mbështesë në formimin e tij, arsimor e njerëzor.
Nga Evans Drishti
Vit të mbarë shkollor për të gjithë!
Sheh nëpër librari të qytetit radhë të gjatë të prindërve, që kërkojnë të pajisen me librat shkollorë për fëmijët e tyre.
Sa interesohen prindërit të njihen me librat shkollorë të fëmijëve të tyre?
Nuk është aspak e vështirë të nderuar prindër të njiheni me botën e librave që mësojnë fëmijët tuaj në shkolla.
Le të shohim nga afër disa raste specifike
Gjithçka mund ta kuptoni pikësëpari që nga përmbajtja e librave:
Nëse fëmija juaj hidhet në klasën e VI-të, që këtë vit janë me libra të rinj, do të kuptojë dhe do të mësojë se kush do të jetë heroi i vet kryesor…
Ju mund të mendoni me të drejtë se heroi i fëmijës tuaj është dhe duhet të jetë vetë prindi, por ja që mund të dalë edhe ndryshe, pasi në librin e Gjuhës shqipe do të mësojë se kush janë heronjtë e vet, madje që në periudhën e parë të këtij viti…
Gjithashtu do të kuptojë disa poezi të larmishme, të cilat fillimisht mund mos ta ketë të lehtë t’i kuptojë e më pas edhe t’i mësojë përmendësh, ndaj do i duhet edhe ndihmesa juaj si prind.
Do të kuptojë se cilët janë miqtë e vërtetë që e shoqërojnë, ndërkohë që ju vritni mendjen se cfarë shokësh e shoqesh ka në klasë apo në shkollë.
Do të shohë e të lexojë për kulturën në lëndën e Qytetarisë, për larmishmërinë kulturore, për dallimet kulturore, për identitetet fetare, do të mësojë të pranojë atë që është ndryshe prej vetes…
Ashtu sikurse do të mësojë për komunitetin, për nevojat e komunitetit ku jeton, për të drejtat, përgjegjësitë dhe sjelljet në komunitetin ku jeton, siç do të mësojë natyrshëm edhe për tregun global dhe ekonominë e tregut…
Do të mësojë për qytetërimet e hershme në Histori, për qytetërimet klasike në Mesdhe, si dhe ato mesjetare, ashtu sikurse do të kuptojë Europën në Mesjetën e vonë…
Do të mësojë edhe për gjuhën dhe komunikimin artistik në lëndën e Artit pamor, për historinë e artit dhe shoqërinë…
Kështu, për fëmijën që shkon në klasë të 7-të lënda e Gjuhës shqipe do t’i mësojë për tekstet joletrare, për rrëfimet, për poezitë, ashtu sikurse do të mësojë edhe aspektet gramatikore…. Lënda e Qytetarisë do t’i mësojë për ligjet, për të drejtat e njeriut, për detyrat qytetare dhe ekonominë e një vendi… Matematika do t’i mësojë për numrat, për shprehjet numërore…
Historia e klasës së 8-të do i mësojë fëmijës Luftën dhe Paqen, sistemet politike, ekonomia e periudhave të ndryshme, shoqëria, arti, kultura në ato periudha si dhe Lufta e Dytë Botërore… Gjuha shqipe do i mësojë se çfarë është Epika, Lirika dhe Dramatika, se çfarë është Media dhe Ekrani dhe si funksionojnë… Ashtu sikurse do i mësojë edhe për Fjalëformimet dhe si ndërtohet një fjali e bukur dhe e qartë në gjuhën shqipe…
Për fëmijët që vijnë në përmbylje të ciklit 9-vjeçar Qytetaria do i mësojë fëmijës tashmë të pjekur se çfarë është Demokracia, faktorët që ndikojnë dhe pengojnë demokracinë, funksioni i demokracisë dhe pjesëmarrja qytetare… Ashtu sikurse Kimia do i mësojë për vetitë e lëndës, për kripërat, shpjetësinë e reaksioneve kimike... Historia do i mësojë për paraardhësit e shqiptarëve, për shqiptarët në mesjetë, Shqipëria dhe shqiptarët në vitet e periudhës së pavarësisë…
Për të kaluar më pas në ciklin AML, apo siç njihet ndryshe cikli i të mesmes, ku ngarkesa shtohet dhe njohuritë thellohen gjithnjë e më shumë.
Tashmë gjimnazisti i klasës 10-të do të merret me Artin pamor, me Muzikën, me Teatrin si dhe natyrshëm me lëndët thelbësore, shkencore e natyrore…
Gjimnazisti në klasën e 11-të do të njihet me Filozofinë dhe periudhat e ndryshme filozofike, për të vijuar me filozofinë e shekullit XIX, XX, XI… Do të njihet me klasikët botërorë si Gëte, Hygo, Bajron, me De Radën, me Frashërin, me Balzakun dhe Dostojevskin… Ashtu sikurse do të njihet me Gjeografinë rajonale, me Europën, rajonin dhe trevat shqiptare…
Më pas në përmbyllje, gjimnazisti maturant do të merret me Psikologjinë dhe Sociologjinë duke njohur fushat specifike dhe konfigurimet në vend e më gjerë… Ashtu sikurse do të ketë përveç lëndëve bërthamë edhe lëndë me zgjedhje si Biologji me zgjedhje, Gjeografi me zgjedhje, Letërsi me zgjedhje…
E teksa shihni një rezyme të këtillë, që natyrshëm është vetëm një copëz nga oqeani i gjerë i njohurive që ofron shkolla këtë vit e në vazhdimësi, kuptoni dhe ndërgjegjësoheni se fëmija, sado i mençur të jetë do ta ketë shumë të vështirë ta përballojë i vetëm nxënien e këtij bagazhi të larmishëm njohurish.
Fëmijës tuaj i duhet patjetër ndihmesa juaj, që ta orientoni saktësisht dhe qartësisht, t’i lexoni librat bashkë me të, t’i analizoni bashkë me të, t’i shpjegoni e t’i argumentoni bashkarisht.
Jeni i detyruar si prind të jeni gjithnjë konsulenti më i afërt dhe më i mirë për të, në mënyrë që fëmija juaj të jetë sa më i qetë në rrugëtimin e vet arsimor, social e kulturor.
Mos të harrohet:
gjithçka e marrë gjatë këtij procesi është burimi qëndror i formimit të karakterit dhe personalitetit të fëmijës tuaj.
Në shumë raste femija juaj mund të vijë në kundërshtime dhe mospërputhje idesh me ju në shumë fusha të jetës.
Botëkuptimet e mësuesve që japin lendët përkatëse, natyrshëm që janë të ndryshme, të cilat ndikojnë dhe reflektojnë në formimin e një mendësie sado e pakët të jetë apo edhe në shtrirje të gjerë, e një mendësi e tillë mund të jetë e papranueshme për ju, pasi tjetër gjë është ajo që paraqitet në librin shkollor e tjetër gjë trajton mësuesi/sja në klasë.
Në të tilla raste, kur njihni nga afër atë çfarë ofron lënda, keni përgjegjësinë dhe të drejtën të kërkoni llogari tek mësuesi përkatës edhe për përplasjet në mendësitë e krijuara.
Nuk është thjesht dhe vetëm nota që përcakton nivelin e fëmijës tuaj, përkundrazi
- mënyra e të shprehurit të fëmijës,
- mënyra si i përzgjedh fjalët,
- si i lidh mendimet,
- sa qartësisht flet,
- sa me rrjedhshmëri komunikon,
- sa dhe si prezantohet në rrethe të ndryshme,
- çfarë arsyetimesh përdor,
- sa në gjëndje është të rrëfejë, të përshkruajë, të argumentojë,
- sa aftësi ka të ofrojë opinionin individual për fenomenet e kohës,
- ç’zgjidhje ofron për situata të vogla apo të mëdha…
Atëherë përgatituni për këtë! Afrohuni sa më shumë me fëmijën tuaj, që mos të ngelet i huaj / e huaj në këtë rrugëtim.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindër, ja se si të përdorni Platformën digjitale SMIP, për të parë notat e fëmijës tuaj, mungesat por dhe sjelljen në shkollë
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Dita e parë e shkollës: Kur një buzëqeshje bëhet hapi i parë drejt përfshirjes