MASR

Këshillat në ndihmë të maturantëve për provimet e Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit ka publikuar së fundi edhe disa këshilla të vlefshme për maturantët të cilët do të përgatiten për provimet në kushtet e shtëpisë, për shkak të situatës që po kalon edhe vendi ynë prej COVID-19. Ja se çfarë duhet të keni parasysh.

Disa këshilla në ndihmë të maturantëve, mbi provimin e MSH-së 2020, lënda gjuhë shqipe dhe Letërsi 

Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, është e nevojshme që maturantët:

1. Të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstet joletrare, duke u fokusuar më shumë në ato përshkruese dhe argumentuese, për shkak të peshës që zënë në Programin Orientues të Maturës Shtetërore 2020. Gjatë përsëritjes, ata duhet të përforcojnë njohuritë që lidhen me analizat e tekstit joletrar nga pikëpamja e:

  • përmbajtjes ideore;
  • strukturës dhe teknikave të shkrimit;
  • aspektit gjuhësor

2. të përpiqen të shkruajnë në mënyrë të pavarur 4 ese në javë, me tema esesh që paraqiten në rubrikat: të shkruajmë, në tekstet me të cilat punojnë maturantët në shkollat e tyre.

3. të rifreskojnë njohuritë që lidhen me tekstin letrar sipas planifikimit të mëposhtëm:

4. për autorët si: Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspir, Gëte, Hygo, De Rada, Balzak (të cilët janë studiuar gjatë viteve të shkollimit), mund të realizohet përsëritja e plotë e tyre;

5. për autorët si: Kamy, Migjeni, Poradeci, Agolli, Kadare, Shkreli, maturantët është mirë të përsëritin njohuritë që lidhen me autorët që kanë studiuar deri tani në shkollë

6. të ushtrohen me modele testesh dhe esesh të viteve të kaluara, të përfshira në librin “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia”, në mënyrë që të familjarizohen edhe me mënyrën e vlerësimit të esesë.


Disa këshilla në ndihmë të maturantëve, mbi provimin e MSh-së 2020, lënda “Matematikë”


Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, sugjerojmë që maturantët, të ushtrohen me tematikat kryesore më poshtë, nisur edhe nga pesha e madhe që ato kanë në programin orientues të MSh-së: 

• numri;

• matja;

• gjeometria;

• algjebra dhe funksioni;

• probabiliteti dhe statistika.


Është e nevojshme që maturantët të ushtrohen në zgjidhje ushtrimesh sipas tipeve të mëposhtme: 


• ushtrime që vlerësojnë vlefshmërinë e një argumenti matematikor në një situatë problemore kryesisht nga tematika e algjebrës dhe funksionit;

• ushtrime ku kërkohet paraqitja e informacionit matematikor;

• ushtrime me alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat e dhëna);

• ushtrime për zbatimin e koncepteve dhe proceseve në një situatë të dhënë nga jeta reale, (kjo vlen për të gjitha tematikat sipas programit orientues);

• ushtrime ku maturanti ndërton zinxhirin e arsyetimeve dhe interpretimin e hapave të ndjekura për zgjidhjen e një situate problemore.



Njëkohësisht, maturantët mund të ushtrohen me modele testesh të përfshira në librin “Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)”, në mënyrë që të familjarizohen me natyrën e pyetjeve.



(Portali Shkollor) 

3,793 Lexime
4 vjet më parë