JETESË E RE

Koronavirusi dhe ditari i një mësueseje (pjesa e dytë)

"Lidhja mes mësuesit dhe nxënësit është pak e magjishme dhe jo domosdoshmërisht lidhet me paranë. Më shumë se kurrë e kuptova sot!"- shkëputur nga një ditë e ditarit të mësueses nga Shkodra, Teuta Lagja.

"Dita e 58-të e karantinimit.

Tashmë jemi ekspertë të të folurës me vete .

Tashmë fëmijët e mi u mësuan dhe nuk më pyesin më nëse po flas me ta.

E dinë ,po i flas vetes. 

Kam një muaj që shpjegoj raportet në matematikë dhe më duket sikur flas në ajër .E bukura është se të thonë të gjithë e kuptova dhe kur u kërkon  detyrat të gjithë të shkruajnë “Nuk kuptova asgjë”.

Shkolla ime është 10 km larg nga unë.

Vendosa t’i hip biçikletës dhe me dëshirën e fëmijëve të bënim një takim në oborr të shkollës .

Ishin të lirë të mos vinin ,por ata po më prisnin aty prej minutash aq sa vonova unë t’i devijoja policisë që gjeta rrugës .Sikur po bëja krim,do shkoja të takoja fëmijët!

Aman sa u gëzuan dhe nënat! Më pritën me ëmbëlsira, se kishin merak mos isha dobësuar gjatë karantinës!

Fëmijët e shkretë ishin porositur,qëndruan larg edhe pse donin të më përqafonin .

U ulëm në lulishte,larg nga njëri-tjetri.U shpjegova edhe njëherë raportet me gjethe e gurë.

E kuptuan në çast, biles edhe vëllai i njërës në klasë të tretë.

-E kuptojmë kollaj me ty prezent mësuese, -u shprehën ata.

Më surprizoi prezenca e fëmijës që e ka shtëpinë një orë larg nga shkolla.I ishte lutur të atit ta sillte tek ne.

Ndërsa një tjetër që u njoftua nga e ëma në minutën e fundit vrapoi drejt meje duke mos pyetur për virus, derisa i bëra me dorë të mos afrohej.

Sa dhimbje, në sytë e fëmijës!

Edhe 10 km të tjerë kthim, po kurrë nuk isha ndier aq mirë në punë sa sot.

Lidhja mes mësuesit dhe nxënësit është pak e magjishme dhe jo domosdoshmërisht lidhet me paranë.

Më shumë se kurrë e kuptova sot!"


TEUTA LAGJA, mësuese e klasës së V – Shkodër 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,924 Lexime
3 vjet më parë