Margarita, mësuesja që frymëzoi Ermal Metën
Në tekstin e këngës fituese të çmimit të tretë në Sanremo “Vietato Morire” të këngëtarit shqiptar Ermal Meta, përmendet emri i mësueses së tij të parë. Mësuesja Margarita Feka ka frymëzuar kantautorin shqiptar.
Shpeshherë kantautorët, në tekstet e tyre përdorin histori të vërteta e personazhe reale. Një gjë të tillë ka bërë edhe Ermal Meta me këngën e tij “Vietato Morire”, fituese e vendit të tretë në Festivalin e Sanremos. Në vargjet e saj, Meta përmend mësuesen e tij të parë. E në fakt, Margarita është pikërisht mësuesja e tij në shkollën artistike “Jakov Xoxa” në Fier. Sot ajo është 74 vjeç, por kujtesa e mësueses vijon ende të mbetet e fortë.
“Megjithëse isha shtrirë, dëgjova që thanë se do të këndonte Ermal Meta. Unë u çova menjëherë. E kisha emër të dëgjuar dhe nisa të përqendrohesha. Menjëherë i thashë djalit se ai ishte ish-nxënësi im”, shprehet Margarita Feka.
Por si u ndje ajo kur dëgjoi se në tekst përmendej emri i saj, në një këngë të kënduar në një prej festivaleve më në zë në Europë?“Të nesërmen më mori mbesa nga Shkodra. Më tha ta dëgjoja këngën me vëmendje, e të m’i përkthente fjalët daja (djali) sepse aty përmendej emri im. Kur e dëgjova u preka shumë, tej mase. Mendova, ky fëmijë kaq i vogël, i ikur kaq vite larg. Ka kaluar shumë mësuese të tjera, si nuk e harroi emrin tim?”, flet më tej e përlotur Margarita Feka.
Përmasat e një artisti ndonjëherë vlerësohen dhe nga veprime të vogla, të cilat ngjallin emocione te personazhe që nuk janë të njohur për të tjerët, por që duket se kanë lënë shenjë në jetën e tyre.
Nëse nxënësit po kalojnë një situatë traumatike, ndiqni këto sugjerime
Aktivitetet që mund të organizojnë shkollat me rastin e Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.