NGARKESA E MËSUESVE

Mësimdhënia nuk është "shërbim ndaj klientit"

Këto ditë, mësimdhënia ka filluar të duket si “shërbim ndaj klientit”. Por çfarë ndodh kur "klienti nuk ka gjithmonë të drejtë?"

A ju ka ndodhur që prindi i nxënësit tuaj shpesh t’ju kërkojë rezulatet e fëmijës në orët e vona të darkës? Këto ditë, mësimdhënia ka filluar të duket si “shërbim ndaj klientit”. Por çfarë ndodh kur "klienti nuk ka gjithmonë të drejtë?". Cila është kostoja nëse dëgjojmë me vëmendje dhe i lëmë të shfryhen? Të kërkojmë falje edhe nëse nuk jemi dakord? 



Pse po e trajtojmë mësimdhënien si shërbim ndaj klientit? 


Trajtimi i shkollës si një përvojë e shërbimit ndaj klientit është një fenomen në rritje për shkak të prindërve, administratorit nervoz dhe të etur për t'u kënaqur, si dhe një brezi fëmijësh që duket se po u plotësohet çdo tekë. Trajtimi i mësuesit si "ndihma" që është atje për të bërë gjithçka argëtuese është problematike. Mësuesit ndihen përgjegjës për gjendjen e fëmijëve, madje edhe nëse duhet të vendosin në rrezik shëndetin e tyre mendor apo fizik. Ndaj kemi nevojë për një kontroll të realitetit. 



A janë kërkesat e prindërve të paarsyeshme? 


Kënaqësia e njerëzve është rraskapitëse. Mësuesit duket sikur duhet të “durojnë” dhe të “veshin një fytyrë të lumtur”. A janë edhe kërkesat e prindërve të paarsyeshme. “Prindërit kanë gjithmonë të drejtë” ngjason me shprehjen “klienti ka gjithmonë të drejtë”.  



Mësuesit nuk i detyrohen askujt një përvojë të përsosur 


Shumë prej nesh është perfeksionist kur vjen puna tek arsimimi i fëmijëve. Ndaj mësuesit ndiejmë presion të pamasë për të kënaqur nxënësit dhe familjet dhe për t'u siguruar që ata të jenë të lumtur. Prindërit duhet ta kuptojnë që edhe shkollat private nuk janë një biznes privat. Tatimpaguesit mund të financojnë pagat e mësuesve, por në fund të ditës, nëse ka ndonjë "klient", ata klientë janë fëmijët që mësojmë. A duhet që nxënësit të ndiejnë se duhet të bëjnë gjithçka në mënyrë të përsosur? Unë mendoj se do të ishte më mirë sikur nxënësit të kuptojnë se askush nuk është i përsosur dhe gabimet janë pjesë e qenies njerëzore. Mësuesit nuk janë superheronj.



Shkolla nuk do të jetë gjithmonë e lehtë ose argëtuese

 

Presioni për të bërë gjithçka të duket argëtuese dhe e lehtë është shumë i madh. Sigurisht, mësuesit duan që nxënësit e tyre të argëtohen, por ata gjithashtu e dinë që nxënësit mësojnë shumë nga përplasja me sfidat, nga gabimet apo dështimet. Nëse nxënësit presin që shkolla të jetë vetëm vend argëtimi është gabim, ashtu sikurse nuk mund të tregoheni vetëm të ngurtë. Mësuesit duket se janë gjithë kohës në provë, për të treguar standardin dhe nivelin e klasës së tyre. 



Nuk duhet të pritet që mësuesit të japin përgjigje të menjëhershme


Disa prindër nuk i kuptojnë kufijtë. Nëse ndodh diçka, prindërit kërkojnë përgjigje të menjëhershme. Aq më tepër tani, në periudhën e COVID-19. Shumë familje presin që mësuesit të menaxhojnë nxënësit edhe pasi të ketë mbaruar mësimi virtual. Në shumë mënyra, pandemia e ka bërë edhe më të vështirë punën e mësuesit. Kushdo duhet të kuptojë kufijtë mes jetës personale dhe profesionit. 



Mësuesit duhet të japin reagime reale dhe të vështira


Asnjëherë nuk është e lehtë të jesh bartës i lajmeve të këqija. Mësuesit nuk kanë asnjë kënaqësi të komunikojnë për problemet akademike apo për problemet në sjellje të nxënësve të tyre. Njohja e balancës është shumë e rëndësishme, sidomos në një periudhë të tillë. 



Trajtimi i mësimdhënies si shërbimi ndaj klientit ka pasoja


Për shkak të kësaj ngarkese pune mësuesit janë të mbingarkuar, të rraskapitur dhe kanë pak kohë për veten e tyre. Për fat të mirë, jo të gjitha shkollat e trajtojnë mësimdhënien si shërbimin ndaj klientit. Mësuesi duhet trajtuar si profesionist dhe si përcjellës i dijeve.  




Burimihttps://www.weareteachers.com/teaching-is-not-customer-service/?fbclid=IwAR1lW15HrXUzxdRvp3gmWBQxqz_ytbiUANYSrXMmRtgbDcFsbMI3hTcWVAw

Përktheu: Parajsa Shtini


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,040 Lexime
3 vjet më parë