Detyrat e verës

Mësues, kujtohuni që të korrigjoni detyrat e verës!

Unë e di fare mirë se sa të vrullshme janë ditët e para të shkollës, por nëse u kemi thënë që këto detyra do të korrigjohen, kujtohuni që t’i korrigjoni! Nëse u keni thënë që do t’i shikoni detyrat, kujtohuni t’i shihni.

Tashmë është bërë traditë që shumë nga mësuesit, u  japin nxënësve detyra gjatë pushimeve verore. Një pjesë e fëmijëve i kryejnë me rigorozitet ato. Një pjesë e fëmijëve i bëjnë pjesshëm, siç ka dhe nxënës që nuk i kryejnë këto detyra.

Këto detyra mund të jenë kërkimore, mund të jenë përsëritjee njohurive të marra gjatë vitit të kaluar, mund të jetë plotësim apo lexim i ndonjë libri, pra mund të jenë të formave të ndryshme.


Por çfarë ndodh me ardhjen e vitit të ri shkollor? A korrigjohen këto detyra nga mësuesit? A duhet të vlerësohen apo vetëm të shihen?


Më ka rënë rasti të dëgjoj biseda mes prindërve dhe fëmijëve:

-      Hë, çfarë note more tek detyrat e verës?

-      As m’i pa fare, - përgjigjet vogëlushi i dëshpëruar.


Di që ka mësues që i korrigjojnë, di që disa i vlerësojnëme notë, disa vetëm i shohin dhe ka nga ata që as kujtohen fare për këto detyra. Secili nga këta mësues e ka një përgjigje.

Unë mendoj se, qëllimi i dhënies së këtyre detyrave nuk është vlerësimi i nxënësve dhe as për të dhënë detyra, thjesht se duhet t’u japim nxënësve detyra, por për të ndihmuar nxënësit që të mos harrojnë atë çfarë kanë mësuar gjatë vitit. Pra, nëse nxënësit i kanë kryer këto detyra, qëllimi është arritur dhe nëse ka nxënës që nuk i kanë kryer ato, nuk duhet të zemërohemi me këta nxënës. Thelbësore është që nxënësit të rikujtojnë njohuritë. Ajo që duhet të mbajmë  parasysh është t’u bëjmë të ditur prindërve dhe nxënësve për mënyrën se si do veprohet me këto detyra.


Unë e di fare mirë sesa të vrullshme janë ditët e para tëshkollës, por nëse u kemi thënë që këto detyra do të korrigjohen, kujtohuni që t’i korrigjoni! Nëse u keni thënë që do t’i shikoni detyrat, kujtohuni t’i shihni. Sido që t’u keni thënë, mos harroni të zhvilloni një bisedë rreth detyrave të verës. Nxënësit do të ndihen të vlerësuar për atë çfarë kanë bërë dhe do mësohen të punojnë me përgjegjësi detyrat në të ardhmen.


Ju uroj një vit shkollor sa më të mbarë!


(Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

3,165 Lexime
7 vjet më parë