Psikologji

Mos paragjykoni prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Psikologia Mirjeta Pestisha përshkruan jetën e prindërve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Mos paragjykoni prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara



Një numër i prindërve i mbajnë fëmijët e tyre të fshehur, a e dini pse? Sepse paragjykohen nga shoqëria dhe komuniteti. 


Fëmijët me aftësi të kufizuara qëndrojnë më shumë në shtëpi, a e dini pse? Sepse bashkëmoshatarët nuk i pranojnë në grupin e tyre. Mësoni fëmijët tuaj që t’i pranojnë në shoqëri fëmijët pavarësisht aftësive.


Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar kanë turp te dalin me fëmijët e tyre në hapësira publike, a e dini pse? Sepse sytë e njerëzve përreth janë të kthyer nga sjelljet e fëmijëve te tyre.


Fëmijët me aftësi të kufizuara duhen dërguar në market që të mësohen me blerjet. Këtë prindërit e bëjnë rrallë, sepse herën e parë edhe të vetmen që prindi me fëmijën ka qenë në market, jeni ndalur dhe keni pyetur prindërit se çfarë ka femija që qan, ndërsa nëna është duke e mësuar fëmijën që të marrë vetëm një gjë në market.


Fëmijët me aftësi të kufizuar kanë nevojë të mësohen të udhëtojnë me transport publik por këtë prindërit rrallë e bëjnë, sepse nga sjelljet e fëmijëve ju jeni afruar dhe keni pyetur nënën “a është autik fëmija?”.


Fëmijët me aftësi të kufizuar kanë nevojë të mësohen të qëndrojnë ulur në restorant, sepse familja ka nevojë të dalë së bashku, por këtë prindërit rrallë e bëjnë, sepse kur fëmija qan, ju shikoni me ironi prindërit se pse kanë ardhur me fëmijë me aftësi të kufizuara në restorant, dhe ktheheni e bisedoni mes vete se a thua çfarë kanë bërë këta prindër apo paraardhësit e tyre që fëmija është kështu.


Nuk ka asgjë të keqe me familjen, babanë apo nënën. Ne duhet që t’i bëjmë ata të jenë pjesëmarrës, të shkojnë në kinema, të shkojnë në shkollë, t’i ndihmojmë ata që të jenë pjesë e jetës.


Njerëzit me nevoja të veçanta janë gjithkund, por po ashtu askund. Ju e dini që janë në apartament, por nuk mund t’i shihni në rrugë. Ju e dini se janë duke jetuar, por ata nuk janë duke kontribuar aktivisht në shoqëri. Aty mendoj se është përgjegjësi e më shumë se një institucioni.


Është përgjegjësi e gjithsecilit.



Nga: Mirjeta Pestisha, psikologe


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,371 Lexime
2 vjet më parë