Njohja me shkollën

Përgatitja e fëmijës për ditën e parë të shkollës

Nëse fëmija juaj është i emocionuar apo nervoz, ka disa mënyra se si mund ta ndihmoni atë që të përgatitet për ditën e parë të shkollës.Përgatitja e fëmijës suaj mund të zvogëlojë ankthin e ndarjes dhe frikën nga e panjohura. Më poshtë gjeni këshilla konkrete për këtë periudhë nga psikologia Sofiona Lakuriqi.

Dita e parë e shkollës është një ditë e madhe për ju dhe fëmijën tuaj. Nëse fëmija juaj do të shkojë në kopsht, parashkollor apo shkollë, dita e parë nënkupton një mjedis të ri, miq të rinj dhe rutinë të re.


Sigurohuni që ta përgatitni fëmijën tuaj emocionalisht dhe t’i kushtoni vëmendje të veçantë aftësive të tij social-emocionale në mënyrë që ai të mund të bëjë miq dhe të shkëlqejë në një mjedis klase. Pavarësisht nëse fëmija juaj është i emocionuar apo nervoz, ka disa mënyra se si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të përgatitet për ditën e parë të shkollës. Përgatitja e fëmijës suaj mund të zvogëlojë shumë ankthin e ndarjes, frikën nga e panjohura dhe të bëjë të mundur që ata ta arrijnë këtë moment me një përvojë pozitive.


Vendosni pritshmëri realiste


Është normale që një fëmijë të jetë i shqetësuar apo edhe i frikësuar për ditën e parë të shkollës. Ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të përballet me këto emocione duke vendosur pritshmëri realiste. Për shembull, ju mund t’i tregoni fëmijës suaj se çfarë ka të ngjarë të ndodhë në ditën e tij të parë dhe t’i përgjigjeni në mënyrë të përshtatshme çdo pyetjeje që ai mund të ketë. Në këtë mënyrë, ata mund të fillojnë të mësohen me idenë shumë përpara ditës së madhe.


Lexoni libra për ditën e parë të shkollës


Leximi i librave të ilustruar për ditën e parë të shkollës do ta ndihmojë fëmijën tuaj të imagjinojë dhe të përgatitet mendërisht për të shkuar në shkollë. Ju inkurajoj t’i lexoni këto libra gjatë verës, në mënyrë që fëmija juaj të jetë i përgatitur mirë në ditën e parë të shkollës.


Përfshini fëmijën tuaj


Inkurajimi i përfshirjes së fëmijës për t’i përgatitur për ditën e parë të shkollës mund t’i ndihmojë ata. Disa ide për t’i dhënë fëmijës tuaj një ndjenjë pjesëmarrjeje për fillimin e shkollës: 

  • shkoni për të blerë mjete shkollore me ta;
  • lejojini të zgjedhin vetë çantën e shpinës;
  • lexoni së bashku libra për ditën e parë të shkollës;
  •  lejojini të zgjedhin veshjen për në shkollë;
  • inkurajojini të praktikohen për përgatitjen e çantës.


Filloni rutinën tuaj të shkollës herët


Me hyrjen e muajit shtator, filloni të përshtatni ngadalë fëmijën me rutinën e vitit shkollor. Nëse ata janë mësuar tashmë me rutinën e re, ata mund ta kenë më të lehtë të përshtaten kur të vijë koha. Nëse fëmija juaj është mësuar të flejë vonë dhe të zgjohet vonë, filloni të rregulloni orarin e tij të gjumit disa javë përpara ditës së parë të shkollës. Ndryshoni kohën e gjumit me 15 minuta çdo ditë derisa fëmija juaj të jetë në gjendje të zgjohet në orën e dëshiruar në mëngjes.


Vizitoni shkollën


Nëse është e mundur, caktoni një kohë për ju dhe fëmijën tuaj për të vizituar shkollën e re. Fëmija juaj mund të hedhë një sy në klasën e tij të re, oborrin, bibliotekën dhe mjediset e tjera që do të përdorë gjatë gjithë vitit shkollor. Nëse nuk keni akses në klasat ose mjediset e tjera të brendshme të shkollës, mund ta çoni fëmijën tuaj në këndin e lojërave të shkollës për argëtim gjatë pasdites ose në fundjavë. Lidhja e shkollës me emocionet pozitive do të rrisë besimin e fëmijës suaj dhe do ta bëjë atë të presë me padurim ditën e parë të shkollës! Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijës së tyre një pyetje shumë të thjeshtë pasi të dinë emrin e mësuesit të tyre: “Ju lutem, a mund të më ndihmoni...?” . 



Uroj që fëmijët tuaj të rriten njerëz të sjellshëm dhe të zgjuar!



Nga Sofiona Lakuriqi, psikologe shkollore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,485 Lexime
8 muaj më parë