Botime Albas

Recension për librin “Kënga e turmës” të Rita Petros

... Poetja parapëlqen të mbetet realiste dhe artiste në poezinë e saj që na provokon për të na kujtuar edhe një herë, se është më mirë të marrësh veten në dorë sesa të presësh nga të tjerët, qoftë kjo edhe nga tribuna...

POPULLI DHE TURMA

“ …populli është lart dhe turma është poshtë”

Viktor Hygo (Kënga e rrugëve dhe e pyjeve)


Midis të dyjave, Viktor Hygoi zgjodhi popullin. Por, pasi kishte njohur e stërnjohur, pasi kishte kënduar e stërkënduar këngën e turmës së tij.

Në këtë vijë është edhe Rita Petro, që e di se nuk mund të ngrihesh në nivelin e popullit, pa kaluar nëpërmjet turmës, pa njohur çfarë ndodh poshtë ndërgjegjes së saj.

Nuk mund të jesh poet i thellë pa mbresat e turmës, pa u zhytur në pjesën më të lirë, më të brishtë, pjesën e vërtetë që është “…e përlyer, erëdjersë, …gojëprishur, budallaqe, kokëkrisur, zemërplagë, e pandalueshme” (R. Petro), pa njohur turmën, të cilën Hygoi e quante në kohën e tij: “dobësia e errët dhe forca e errët”, turmën e cila qëlloi poeten me baltë e me gurë…” e që prapëseprapë e deshi, sikur pa të, nuk mund të jetonte.


Secili poet përshkruan turmën e epokës së tij

Dhe Rita përshkruan me nota surrealiste turmën e kohës së saj, atë të fundshekullit XX, ku politika krijoi urrejtjen, ku “na humbi puthja e na mbeti kafshimi”, ku kafshimi të vjen edhe kur i merr erë një luleje të bukur, ku i “çmenduri hap gropën e të tjerët bëjnë sehir”.

Në turmë, poetja gjen strehën e qelqtë të vetmisë, ku je dhe nuk je vetëm. Një turmë e tronditur thellë në shpirtin e saj. Prandaj njerëzit e ndarë nga mërgimi bashkohen e qeshin në dreka vdekjesh dhe qajnë në darka festash. “Nuk ka ndërgjegjësim pa dhembje,” thoshte Karl Jung. Poetja e spikat ndërgjegjësimin e realitetit të ri të turmës dhe e përshkruan me antitezën e saj, sa të fuqishme, po aq të dhimbshme.


Rita përshkruan turmën, por dhe i flet asaj duke gjetur gjuhën e saj në dy tema universale: të dashurisë dhe të lirisë. Këtë ajo e bën duke prekur të vërtetat e individit në artin e saj.

Të vërtetat, herë i thotë hapur (Portat e fundit) herë t’i hedh në zemër, pa t’i thënë fare, (Bashkëshortët e vdekur); të vërtetën e politikanit dhe të vërtetën e vjellë të të dehurit; të vërtetën e burrit dhe të vërtetën e gruas.


Ajo na e jep të vërtetën e dashurisë në shumë format e saj, nga dashuria e lirë te dashuria e kapur nga “kthetrat e syve, veshëve dhe e gjuhëve”. Kështu ajo këndon çfarë i përket turmës: nga ankthi, frika, besimi e tradhtia, deri te liria e virgjër ose liria e robëruar, nga jeta te vdekja. Gjithçka që ndodhet e mbyllur në subkoshiencën e popullit. Kjo subkoshiencë prodhon te turma reagimet e saj surreale e në pyesim veten, nëse surrealizmi nuk është prodhuar më parë nga turma e më pas nga poetët. Dhe ne pyesim, nëse për këtë arsye poeti tërhiqet nga turma.


Idetë kryesore i hedh në konceptet e lirisë dhe dashurisë

Ngjan sikur presioni i moralit sipërfaqësor prodhon artin kryengritës të Ritës.

Dashuria në vargjet e saj ka vlerë më të madhe se morali, që duket sipërfaqësor në krahasim me lirinë dhe dashurinë. Morali është i epokës historike dhe infiltrohet në atë që quhet opinion publik. Ndërsa dashuria ka lindur me njeriun. Për poeten, dashuria është liria dhe vetë kufiri i lirisë.


Ajo e shikon që si dashuria ashtu dhe liria, koncepte krejt të veçanta, nuk janë pa kufi.

Në mungesë të dashurisë liria vetëm përpiqet të bëhet e pakufizuar. Poetja e ëndërron lirinë e pakufizuar dhe dashurinë pakufizuar. Në mënyrën e saj. Në ëndërr. Kështu, në S’kam parë pemë që të fluturojnë, ajo simbolizon në këtë ëndërr, veten, në një pemë që fluturon drejt qiejve, pasi i janë shkulur rrënjët nga toka e pasi i kanë rënë të gjitha frutat dhe degët. Dhe e mbyll poezinë me betimin se vetëm po të shikojë shenjën e dashurisë, ajo mund të zbresë në tokë, pranë saj, për t’u tharë përfundimisht me të. Duket se për autoren, liria është ende e pamjaftueshme në mungesë të dashurisë. Por ajo nuk ka parë pemë që fluturojnë… Prandaj liria e pakufizuar nuk ekziston. Pemët që fluturojnë e Rita Petros është metafora më e bukur në letërsinë shqiptare e idesë që liria absolute shkatërron vetë lirinë. E lë atë pa rrënjë, pa degë e pa fruta.


Poetja është vërtet poete e erosit, por ai nuk do të thotë liri e pakufizuar. Erosi është një liri vetëm brenda dashurisë. Dashuria ka kufijtë e saj, të cilat nuk e pengojnë erosin të shprehet.

Në prani të dashurisë, ajo apostrofon:

Mos më lësho, shtrati yt m’u ktheftë në parajsë… duke shënuar kështu kufirin joreal të dashurisë.


Por ajo ndien edhe kufirin real të saj dhe pyet: Dashuria thyen prangat apo vë pranga? Zotërimi pa dashuri, ashtu si dhe flijimi i vetes në emër të dashurisë, nuk janë të pafajshëm në këtë histori. Me të humbur dashuria, zotërimi bëhet një zotërim i thatë, i pronës private, ndërsa flijimi humb kuptimin e tij. Në të dyja rastet shkaktohet vuajtje, aq sa të duash të ikësh drejt majës së malit të lartë “ku jeton dhia e egër”. Dhe Rita i shton dhisë, me plot kuptim, epitetin “virgjëreshë” (Më jepni bekimin tuaj), duke menduar një liri të virgjër, të padjallëzuar, të pastër, të vërtetë, një liri që vetëm poeti mund ta shprehë kaq bukur, megjithëse, i ndërgjegjshëm se ajo nuk ekziston. Gjërat që nuk ekzistojnë mund të jenë edhe të bukura, madje akoma më të bukura, sepse ekzistojnë vetëm në ëndërr. Bukurinë e tyre e shikon jo vetëm poeti, por dhe turma.


Kur poetja i drejtohet turmës

Rita Petro nuk mjaftohet vetëm me soditjen dhe shpjegimin. Ndihet te vargjet e saj shpresa e artistit për të transformuar, për të ndryshuar njerëzit, me artin e tij, për t’i dhënë më gjerësi e më lartësi rrugëve të lirisë.


Në këtë vëllim ajo, e zhveshur nga komplekset, e me një vullnet inteligjent, takon sukoshiencën e saj me turmën. E provokon dhe i këndon vargjet e përfolura, bukurinë e frikës nga mëkati si një psikanaliste që synon të çlirojë pacientin e saj. Ajo kërkon t’i hedhë pak dritë turmës hygoiane, kësaj dobësie dhe force të errët.


Ajo nuk lë rastin pa folur me turmën, pa i dhënë “këshilla” që mund të jenë dhe “koti”. Por koti nuk janë, ashtu siç nuk është koti modestia e poetes.

Ajo fton, i jep kurajë me “Këshilla”-t, njeriut të dëshpëruar nga gabimi ose dështimi i tij:

“Në çdo kohë mund ta fillosh jetën tënde nga fillimi  “jetën që ti ke ëndërruar dhe vazhdon të ëndërrosh…

Përballë pamundësisë, si individi dhe turma thërrasin : “O Zot!!”

Por ajo nuk i drejton njerëzit drejt tij. Ajo i fton ata të hedhin shikimin te vetja, të shohin veten në pasqyre, për të zbuluar “lakuriqësinë e mëkateve” dhe nuk kërkon ndihmë as nga Niçe, as nga Zoti për të kaluar mesazhin e saj humanist dhe shumë realist: të luftojë për “cilësinë më të lartë të njeriut: Guximin për të parë veten në sy”. Të mos presë nga të tjerët , as nga vdekja që nuk ka ditur kurrë të gjykojë.


Guximin për të parë veten në sy!

Thirrja e saj tingëllon tepër aktuale, sot ku shoqëria njerëzore ka marre tipare narciste. Asaj i pëlqen vetja dhe zgjedhja që ka bërë, ndërkohë që vlera “para” po rrënon të gjitha vlerat e tjera.

Këtu ajo hedh dritë në atë pikë të psikologjisë njerëzore, të psikologjisë së një populli, ku rrallëherë përqendrohet vëmendja: te rivënia e vetes në dyshim, te gjykimi i vetes, për të mos pritur nga të tjerët që ta gjykojnë. Vetëm kështu mund t’ju lindë një besim i ri: besimi në vetvete. Kjo është rruga më e sigurt drejt emancipimit të tij, drejt një lirie më reale.


Optimizmi i turmës

Të gjitha cilësitë e mira e të këqija i ka kjo turmë, por Rita të befason me njërën prej tyre: aftësinë e saj për mbijetesë.

Kur qyteti nuk kishte drita, kur një pjesë kishte ikur larg vendit dhe e kishte braktisur nënën, babanë, vëllanë, motrën, shokët :

“Atje poshtë këndohet …” “Nuk jemi keq këtu, derisa këndohet”, ky është optimizmi organik i turmës, optimizmi i pakushtëzuar nga lënda, paraja, politika, ideologjia. Është optimizmi i vetë natyrës.

“Atje poshtë këndohet…”

Pse këndohet në atë kohë, atëherë kur kënga pritet më pak se çdo gjë tjetër?

“Sepse muzika është tingull që mendon” thoshte Hygoi, sepse “Ku ka muzikë nuk ka vend për të keqen,” thoshte Servantesi, sepse “Muzika gërryen qiejt” thoshte Bodleri. Dhe turma duke kënduar, mendon. Largon të keqen. Shpreson e ëndërron. Tri elemente bazë të kënaqësisë së të kënduarit ose të ndjesisë së jetës.

Në këtë këndvështrim titulli “Kënga e turmës” i përgjigjet drejt gjendjes së saj shpirtërore.


Shpresa e turmës së epokës së sotme

Ajo është pambarimisht e njëjta. E njëjta me ato të shekujve të kaluar, pavarësisht se turma e sotshme mban në dorë telefona inteligjentë dhe fluturon me avionë.

Ne jemi të gjithë këtu poshtë, por jemi vetëm…

ndërsa tribuna pothuaj gjithnjë bosh

Dhe kur dalin ata duan vetëm t’i dëgjosh

Vetëm një tribunë që di të dëgjojë këngën e turmës mund ta kthejë atë në popull. Turma kërkon identitetin e saj në popull. Dhe kjo me sa duket ndodh një herë në shekull ose disa shekuj, sepse tribuna edhe kur mbushet “nuk ka shkrepëse” për të ndezur dritën për turmën.

Poetja realiste përfundon:

Puthemi buzë më buzë dhe në heshtje betohemi:

Nëse ngjitemi ndonjëherë atje Lart

Do përpiqemi t’i dëgjojmë ata Poshtë

Pse Rita Petro zgjedh në betimin e saj fjalën: Do përpiqemi? Kur thua: Do përpiqem, nuk ke dhënë ende siguri. Atëherë si mund të quhet ky një betim? A është e infektuar nga fataliteti tribunës që nuk dëgjon? Apo nga shpresa shumë e dobët e ngjitjes atje Lart?

Një siguri dhe një shprehje e tillë e sigurisë do të ishte e denjë për një manifest politik e jo për një betim poetik. Poetja parapëlqen të mbetet realiste dhe artiste në poezinë e saj që na provokon për të na kujtuar edhe një herë, se është më mirë të marrësh veten në dorë sesa të presësh nga të tjerët, qoftë kjo edhe nga tribuna. Çdo popull ka tribunën që meriton, sepse ose e ka zgjedhur vetë ose tribuna ka dalë prej tij. Prandaj ajo na lë në mendim.

Ky mendim na shkëput pa e kuptuar nga turma për të na ngritur në nivelin e popullit.


(Nga Kujtim Drishti)


3,048 Lexime
7 vjet më parë