Profil

Rrugëtimi i veçantë i mësuesit Borsion Spaho

Personazhi që do të prezantojmë sot është një përfaqësues i denjë i heronjve që janë përçues të dijes. Ai vuri të gjitha kapacitetet e tij intelektuale dhe humane, për të mos i lënë ëndrrat thjeshtë ëndrra, por për t'i kthyer ato në realitet, duke u bërë kështu modeli që duam për rininë tonë.

Ndërtimi i njeriut është po aq i rëndësishëm sa dhe ndërtimi i vendit. Mënyra më e mirë për të brumosur njeriun me dije është të krijojmë kushtet dhe mundësitë për t'i marrë këto aftësi. E kujt tjetër përveç arsimdashësve, mësuesve të nderuar, do t'i dhimbte e do të sakrifikonin rininë e tyre duke ecur e punuar mes maleve. Personazhi që do të prezantojmë sot është një përfaqësues i denjë i këtyre heronjve, përçues të dijes. Ai vuri të gjitha kapacitetet e tij intelektuale dhe humane, për të mos i lënë ëndrrat thjeshtë ëndrra, por për t'i kthyer ato në realitet, duke u bërë kështu modeli që duam për rininë tonë. 


Borsion Spaho ka lindur në Poliçan më 17 shkurt të vitit 1987. Mësimet e para i mori në shkollën "Refat Keli" në qytetin e tij të lindjes, duke vazhduar më tej në shkollën 9-vjeçare "70 - Vjetori i Pavarësisë". Në shkollën e mesme “Muhamet Kondi” përfundoi studimet e mesme, duke e mbyllur këtu arsimimin në qytetin e tij të dashur. Borsioni është pjesëtar i një familje me tradita të larta atdhetare, e cila pavarësisht kushteve jo të favorshme ekonomike, përparësi kishin arsimimin e fëmijëve të tyre. Ata ishin krah i fortë për t'i dhënë jetë ëndrrës së Borsionit, i cili mësonte dhe shprehte dëshirën që rrugëtimi i tij mos mbyllej aty, në qytetin e tij. Viti 2006 do ta gjente Borsionin, si student, në universitetin “Ismail Qemali" në Vlorë. Ato kanë qenë vite vendimtare për të ardhmen e tij, sepse aty ai do të edukohej dhe do të formohej si mësues i ardhshëm. Formimin e tij intelektual e kanë shënjuar disa mësues, që kanë qenë model frymëzimi për të gjatë jetës së tij si nxënës, por me vonë edhe si mësues. Do të veçonim dy prej tyre: Vangjeli Kondi (mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe) dhe Lavdie Salillari ( mësuese e lëndës së gjeografisë). 


Pasi përfundoi studimet e larta në 2010 bashkë me praktikën mësimore, rikthehet në vendlindje, këtë radhë si mësues, i gatshëm për të dhënë kontributin e tij atje ku kishte nevojë më tepër. Realiteti me të cilin u ndesh, nuk ishte ai që Borsioni e kishte parashikuar dhe ëndërruar. 

Në shtatorin e vitit 2011 ai u emërua si mësues shumë larg qendrës së tij të banimit, në fshatin Gjerbës, Skrapar, por kjo nuk do ta pengonte Borsionin të shkonte dhe të punonte me seriozitet, dashuri dhe ndërgjegje te pastër. Kur mori shkumësin për të shkruar në dërrasën e zezë, duart iu drodhën. Në fillimet e para kanë ekzistuar edhe pikëpyetjet e shumta, nëse do ia dilte mbanë, nëse kishte bërë zgjedhjen e duhur, por duke punuar dhe mësuar ditë pas dite, profesioni filloi dhe iu kthye në pasion. Për herë të parë u njoh me klasat kolektive, një realitet krejt i panjohur për të n ë at ë koh ë. Në këtë sfidë të arsimit të tij në terrenet malore, ku ishte bashkudhëtar dhe kolegu Klement Nako, do të bindeshin edhe më shumë se mësuesia nuk është thjesht profesion, por është një mision. Herë pas here ai kërkonte të afrohej në një shkollë afër shtëpisë, madje ai kurrë nuk i humbi shpresat, se puna e drejtë dhe e sinqertë do të shpërblehej një ditë. 


Në vitin 2014 Ministria e Arsimit dhe Sportit, vendosi të aplikonte një mënyrë tjetër të punësimit të mësueseve, atë të konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, ashtu siç ndodh edhe sot. Në këtë portal, Borsioni doli i pesti në renditje në rang qarku. Kjo i dha të drejtë të afrohej tanimë në shkollën “20 Gushti” Therepel. Menjëherë u ndie i mirëpritur, si në shtëpinë e tij, ngaqë mjedisi dhe kolegët u treguan shumë dashamirës me të. 


Pas një viti pune në këtë shkollë, më 2016 do t’i duhej të largohej edhe një herë në një fshat të largët, por që më pas do të kthehej në një vend të pazëvendësueshëm në historinë e jetës së tij. Fshati quhej Vëndreshë Mal, një vend pak më larg se Therepeli. 


Pas emërimit të tij në këtë shkollë ai do të përballej me një situatë vërtetë të pazakontë. Nga qyteti i Çorovodës, ku tashmë jetonte, së bashku me bashkëshorten e tij, i duhej të udhëtonte 50 minuta me makinë dhe gati një orë në këmbë, që më në fund të arrinte deri te vendi i punës. Të gjithë kësaj do t'i shtohej edhe moti i keq gjatë dimrit, me reshje të shumta; shiu dhe bore. Duhej gjithmonë që të vishte këpucë mali për të përballuar rrugën e vështirë që i jepte koha dhe terreni malor. 


Peripecia nuk mbaronte me mbërritjen në shkollë, pasi ajo nuk ishte një shkollë normale, por shtëpia e marrë me qira, e një banori aty në fshat, e cila shërbente që nxënësit të merrnin dije. Borsioni shpejt u përshtat me vendin e punës, vështirësia nuk po i bënte më përshtypje kur shikonte nxënësit që vinin çdo ditë në shkollë dhe nuk mungonin asnjëherë. Dëshira e tyre për të mësuar arrinte të tejkalonte kufijtë e vështirësive të tij. 


Ka qenë shtatori i vitit 2017, kur miku, shoku, kolegu dhe drejtori i shkollës njëkohësisht, vendosi ta shikonte nga afër shkollën, ku Borsioni po jepte mësim për gati dy vjet me radhë, ndryshe nga dy drejtorët e parë të shkollës, që nuk e morën asnjëherë mundimin për ta vizituar këtë shkollë. Këtu nisi edhe udhëtimi i tij bashkë me Donaldin për të rikonstruktuar dhe ndërtuar nga fillimi shkollën e Vëndreshës Mal. Gjatë atij viti, Vëndresha u bë një fshat i dëgjuar edhe në media, deri në momentin përfundimtar të aventurës, sepse të dy kolegët patën mundësinë të ishin të ftuar në disa televizione. Si fillim ishte diçka që nuk mund të imagjinohej, por më pas të vendosur të dy filluan dita ditës të besonin në ëndrrën e tyre të përbashkët. Ishte muaji tetor kur Borsioni aplikoi te emisioni televiziv “100 Milionë” në Top Chanal, ku së bashku me Donaldin si lojtarë e partnerë dolën fitues të 250 mijë lekëve të rinj. Kjo do të ishte shuma e parë që do të shërbente si gur themeli për fillimin e mbledhjeve të fondeve për shkollën. Rrugës iu bashkuan njerëz të ndryshëm, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ftesave që patën në media dhanë kontributin e tyre si në vlerë monetare edhe materiale. 


Shtatori i vitit 2018, në kohë rekord prej 20 ditësh nga fillimi dhe mbarimi i punimeve, do ta gjente Vëndreshën Mal me një shkollë të re dhe nxënësit me një mjedis të ri, tek i cili nuk do të kishin me ftohtë gjatë orëve të gjata të mësimit. 


Në shtator 2019 vendosi të lëvizte nga Skrapari drejt Tiranës. Aplikoi për punë në disa shkolla, por shkolla jopublike "Qatar College" do të ishte ajo që do ta bënte për vete, duke i ofruar pozicionin e mësuesit të klasës së tretë, cikli fillor. Ky ndryshim për të ka qenë një emocion i veçantë si nga ana personale dhe ajo profesionale. Vërtetë la disa nxënës, për të cilët ai shpresonte të kishte dhënë një kontribut të vyer në mësimdhënie, ama gjeti nxënës të tjerë të panjohur, me të cilët krijoi një lidhje shumë të fortë . Komunikimi profesional dhe eksperiencat e marra në vite i shërbyen Borsionit të gjendej si shef departamenti në këtë shkollë, shumë ndryshe nga ato që ai kishte parë deri tani, i mundësoi atij, që shumë shpejt ta gjente veten të pranuar dhe vlerësuar nga kolektivi i shkollës. 


Pas një pune të palodhur gati dy vjeçare, në janar të 2021 do të vinte dhe emërimi i tij si drejtor i një shkolle jopublike, e cila si moto të saj ka "Drejt dijes dhe vlerave", e cila përshtatej më së miri me parimet e Borsionit. Kjo për të ishte një sfidë që e entuziazmoi dhe e vuri para përgjegjësisë. Ai punon dhe shpreson se ky fillim i ri për të, do t'i shërbejë si mundësi rritjeje të mëtejshme në karrierën e tij profesionale. 

Aktualisht është mësues i klasës së pare në këtë shkollë. 

E mbyll këtë shkrim me falënderimin që shkon për familjen e tij të vogël dhe familjen e madhe të miqve, kolegëve, dashamirësve, që kanë kontribuar në arsimimin dhe krijimin e personit që është sot! Motoja e tij më e pëlqyer është : 


“Të gjitha ëndrrat e tua mund të bëhen realitet, nëse ke kurajën t’i ndjekësh ato."




Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,452 Lexime
1 vit më parë