Organizimi

Si ndikojnë pushimet e fundvitit te fëmijët me Çrregullime të Spektrit të Autizmit? Orientime për prindërit

Çdo familje ka ritmin e saj, asgjë nuk është absolute! Por këto janë disa orientime se si ju të organizoheni më mirë. Gjithsesi ju bëni atë që e bën fëmijën tuaj të lumtur!

Pushimet e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë më të bukurat dhe të veçantat e të gjithë vitit. Ato përfshijnë emocione dhe surpriza të mëdha. Por gjithashtu, pushimet nënkuptojnë ndryshime në orare, në rutina, vizitorë, zhurma etj. Në këtë mënyrë ato bëhen stresuese dhe ankthioze, për fëmijët me ÇSA të cilët, kanë vështirësi me ndryshimin e rutinave. Nga ana tjetër, ato mund të bëhen, edhe shqetësuese për prindërit dhe familjarët e tyre. Më poshtë, po listoj disa mënyra sesi ju t’i bëni këto pushime sa më të bukura dhe të lumtura për fëmijën tuaj.


1. Vendosni se si t’i zhvilloni takimet dhe pritjet e familjarëve


Anëtarët e familjes mund të kenë mendime dhe dëshira të ndryshme sesi të bashkohen më njëri-tjetrin për festa, por e rëndësishme është të bëni kompromise. Jini të qartë me ata se çfarë do të funksionojë dhe çfarë jo. P.sh gjyshja mund të dëshirojë, që të gjithë së bashku të shkoni në shtëpinë e saj dhe më pas të shkoni në kishë. Por, ju e dini se ambientet me shumë njerëz, janë bezdisëse për fëmijën tuaj me ÇSA. Ato mund t’i shkaktojnë stres, ankth dhe ta bëjnë fëmijën tuaj agresiv. Prandaj zgjidhni më mirë të vizitoni gjyshen dhe më pas të konsumoni një darkë të qetë me familjen. Në këtë mënyrë, mbeten të gjithë të kënaqur!


2. Zgjidhni kohën e duhur për aktivitete


Duke qenë se janë pushime festash, ditët janë të ngarkuara dhe të mbushura me aktivitete. Kjo është një mënyrë e mirë për të angazhuar fëmijën tuaj dhe për të kaluar ditën. Por duhet pasur parasysh, që të zgjidhni momente të përshtatshme. P.sh nëse doni të shëtisni bëheni më mirë paradite, se ka më pak lëvizje dhe është më pak ftohtë. Kjo do të bëjë që të mos përballeni me shumë njerëz, që mund të jenë bezdi për fëmijën tuaj. Gjithashtu edhe temperaturat e ajrit ndikojnë në humorin e fëmijës suaj, prandaj është më mirë paraditja. Ndërsa, nëse vendosni të hani darkë është mirë shkoni në orën 17:00 ose pas orës 19:00, sepse ka më pak njerëz dhe lëvizje.


3. Ruani rutinat


Përpiquni vazhdimisht të ruani rutinat si koha e gjumit, e dushit, vaktet ushqimore, për fëmijën tuaj. Në këtë mënyrë, fëmija ka diçka për të cilën mund të llogarisë se është njësoj. Atyre u pëlqen parashikueshmëria, prandaj nëse bëni një ndryshim në rutinë njoftojeni fëmijën ose parapërgatiteni më parë. Fëmijëve me ÇSA nuk u pëlqen tu ndryshojë rutina dhe kanë vështirësi të përshtaten me ndryshime ose gjëra të reja, prandaj është mirë t’i përgatisni ata më parë.


4. Bëni kujdes me ushqimin


Gjatë festave, një rëndësi të veçantë merr ushqimi dhe sidomos ëmbëlsirat. Është mirë të angazhomi fëmijën tuaj, t’i përgatisë ato, së bashku me ju. Në këtë mënyrë, fëmija juaj argëtohet dhe kalon kohën e lirë. Por nga ana tjetër duhet bërë kujdes i veçantë. Nëse fëmija juaj ndjek një dietë të veçantë, njoftojini të gjithë për këtë dhe kërkojuni të mos ofrojnë shumë ushqime, veçanërisht ëmbëlsirat. Miqtë e të afërmit përgatisnin ushqime, ëmbëlsira të ndryshme dhe nuk duan, që kurrsesi fëmijët t’i humbasin. Por, ju duke ditur pasojat e ndryshimit të dietës së fëmijës suaj, është mirë t’i vini ata në dijeni dhe që të mos ngulmojnë. Kujdes i veçantë duhet tek sasia e ëmbëlsirave, sepse ato shkaktojnë shumë pagjumësi tek fëmija juaj, gjë e cila përkthehet, më pas në irritim dhe nervozizëm.


5. Bëni kujdes me vizitat


Kur bëni vizita jashtë ose tek miqtë apo të afërmit tuaj kufizoni kohëzgjatjen e vizitës dhe sigurohuni që fëmija juaj ka dëshirë të shkojë atje. Nëse kuptoni se fëmija juaj nuk është i qetë ose nuk ka dëshirë, lëreni vizitën për ditë tjetër. Ose zgjidhni të shkoni në një ambient ose vend të qetë për tu relaksuar.


6. Bëni kujdes me vizitorët


Gjatë ditëve të festave, vizitat janë të shumta. Ju duhet tu bëni të ditur vizitorëve se ato të paparalajmëruara janë stresuese dhe të bezdisshme për fëmijën tuaj. Kërkojini që ata tu telefonojnë më parë, dhe të vijnë në momente të përshtatshme, që funksionojnë në familjen tuaj. Gjithashtu tregojuni oraret që janë më të përshtatshme dhe për fëmijën tuaj, pa prishur rutinën e tij në orarin kur duhet të flejë ose të ushqehet.


7. Programoni aktivitete gjatë ditës


Duke qenë se pushimet zgjasin disa ditë, mundohuni të zhvilloni aktivitete të ndryshme për të mbushur ditën. Mund të zgjidhni të shikoni filma krishtlindjesh ose komedi, të luani me lodra, të lexoni libra me përralla, ose të dekoroni shtëpinë tuaj. Një mënyrë shumë e mirë është të përgatisni mjete zbukurimi të bëra me dorë me fëmijën tuaj. Nëse jeni në punë ose të zënë mund t’ua sugjeroni këto kujdestarëve të fëmijës ose të afërmve, që mund të kujdesen për ata. Gjithashtu mund ta njihni fëmijën tuaj me Babagjyshin e Vitit të Ri. Është mirë t’i flisni më parë për atë dhe t’i tregoni foto ose imazhe të tij. Duhet të keni kujdes me dritat dhe ngjyrat e forta, sepse ato ndikojnë në gjendjen emocionale të fëmijës suaj. Gjithashtu aktivizoheni fëmijën tuaj me lojëra ose festa, që zhvillojnë qendra të ndryshme ose shkolla, për tu socializuar me të gjithë fëmijët e tjerë.


8. Bëjini dhurata fëmijës suaj


E veçanta e festave janë dhuratat. Ashtu si çdokujt tjetër, edhe atyre u pëlqejnë dhuratat, e madje janë shumë kuriozë. Por duhet pasur parasysh, që grisja e letrës së ambalazhimit mund të jetë një sfidë për fëmijët me motorikë të dobët. Disa të tjerë mund të shqetësohen ose tremben duke mos ditur se çfarë ka brenda. Prandaj është mirë, që për fëmijët me motorikë të dobët të vendosen dhuratat në çanta me një lidhëse të lehtë dhe praktike për tu hapur. Ndërsa për të tjerë mund të vendosësh një foto ose imazh të saj, që është brenda kutisë. Kështu fëmija do të kuptojë çfarë është konkretisht.


Çdo familje ka ritmin e saj, asgjë nuk është absolute! Këto janë disa orientime se si ju të organizoheni më mirë, por gjithmonë ju bëni atë, që e bën fëmijën tuaj të lumtur!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,864 Lexime
2 vjet më parë