Marrëdhënia me adoleshentët

Si të dialogojmë me një fëmijë adoleshent?

Të ndihmosh një fëmijë adoleshent do të thotë t'i japësh lirinë të bëhet autonom pa e nxituar, por duke e lënë në ritmin e tij vetë; ta lejosh të marrë disa vendime në liri; ta dëgjosh, t'ia respektosh opinionet, edhe kur dikush nuk i përkrah.

Si të dialogojmë më një fëmijë, sidomos me një adoleshent? Si t'i ndihmojmë fëmijët që të ndihmojnë veten kur ata kanë një problem? Shumë nga këto pyetje i kam kërkuar në takimet e bisedat që kam patur me prindërit e nxënësve në vite. 


Teoria është e thjeshtë. Të ndihmosh një fëmijë adoleshent do të thotë t'i japësh lirinë të bëhet autonom pa e nxituar, por duke e lënë në ritmin e tij vetë; ta lejosh të marrë disa vendime në liri; ta dëgjosh, t'ia respektosh opinionet, edhe kur dikush nuk i përkrah. Është bukur që tërë këto indikacione t'i dish, t'i njohësh, por është lodhje më vete t'i zbatosh në praktikë. 


Lodhja besoj, nis kur të duhet të pajtosh autoritetin me dëgjimin. Nga njëra anë në fakt, të duhet të hedhësh tej rregullat dhe vlerat bazike. Nga ana tjetër- dhe mbi gjithçka- është mirë të dëgjosh dhe të mos japësh këshilla, para papërgjegjshmërisë së adoleshentit. 


-Mos jepni këshilla, - kërcënoi një prind psikolog në profesion- përndryshe do të jeni përgjegjës të konseguencave që do të derivojnë nga kjo. 


Po si i bëhet të mos i japësh këshilla një fëmije? Është e vështirë, por nëntë raste në dhjetë, kur një fëmijë na flet (nëse na flet), nuk kërkon këshillën, por para së gjithash kërkon të dëgjohet. 


Le të provojmë ta përballim këtë çështje hap pas hapi: 

Së pari, kur një fëmijë shfaq një problem, para së gjithash është e nevojshme të lexosh realitetin për atë që është, mos ngatërrosh fokusin tënd me të tijin, përndryshe historia jote kontaminon atë të adoleshentit. 

Së dyti, kur ndeshemi me problemin e fëmijës duhet të vetëpyetemi: a ka ai fuqitë e duhura ta përballojë këtë gjë? E thënë ndryshe, problemi i tij është mbi fuqitë e tij apo jo? Sepse nëse është brenda fuqive të tij është mirë që ta zgjidhë ai vetë. Është pak si parimi montesorian: jo vetëm më ndihmoni ta bëj vetë, por edhe më lejoni të gaboj vetë, sepse kështu mësoj. 

Së treti prindi para problemit të fëmijës, nuk duhet të shpejtojë ta zgjidhë atë por vetëm të dëgjojë rrëfimin e fëmijës, pa u nxituar të japë këshilla. 


Kur e thua kështu kjo duket diçka thjeshtë (dikush ma etiketoi madje ofenduese) prandaj duhet sqaruar mirë kjo ide. Në një revistë gjeta një artikull me një shembull të cilin po e sjell me disa ndryshime të vogla. Duke qenë se në shqip përdoret gjinia mashkullore për të prezantuar të dyja gjinitë, vendosa ta jap tërë shembullin në gjininë femërore. 

Vjen vajza në shtëpi, hedh tutje çantën dhe thotë e mërzitur: "Nuk ia them fare në fizikë. Inteligjenca zero". 


Ne prindërit, nëna ose baballarë, jemi përnjëherë të gatshëm ta sigurojmë: "Jo po çfarë thua, ti je e shkëlqyer, e mençur...Kur ke qenë e vogël ti....etj., etj."...

E pra, ta mbështesësh nuk do të thotë detyrimisht t'i japësh energji pozitive apo t'i bësh komplimente, por t'i demonstrosh se si ta kalojë zhgënjimin apo dështimin ajo vetë. 

Nëse do të na vinte një mik e do të na thoshte i mërzitur "Nuk jam i zoti në punën që po bëj" ne nuk do t'i thonim "Po çfarë thua, je shumë i mirë". 

Në fakt do t'i bënim disa pyetje si për shembull: 


-Pse, ç'ka ndodhur? -Si ndihesh tani? -Pse e ke kaq problem? -Vërtetë të vjen kaq keq? -Çfarë mendon punëdhënësi yt? -Po kolegët çfarë mendojnë? -Po sikur të marrësh ca trajnime për këtë gjë? etj. 


Shembulli u mor për konkretizim argumenti, sepse natyrisht që nuk do ta dendnim me kaq shumë pyetje. Do të mjaftonin një apo dy, të cilat do ta çonin bisedën përpara. Ai do të fliste dhe do të qartësonte raportet me veten. Ky është procesi i të dëgjuarit aktiv. Pikërisht këtë duhet të bëjmë me fëmijët tanë, por për të cilën duhet kohë dhe durim. 


Sigurisht që një prind nuk është kurrë një mik dhe nuk duhet të kërkojë ta marrë këtë rrol. Kursin e anglishtes e paguan prindi dhe nga ana tjetër vajza e ka bërë këtë njeri prind. Pavarësisht gjithçkaje, duke ruajtur rolin e tij, prindi mund të jetë një dëgjues shumë i duruar. Të bëjë pyetje dhe të arrijë të dëgjojë më pas atë që vlon brenda fëmijës së tij. 


Sigurisht që kjo nuk duhet bërë shpesh. Për më tepër nuk mundet të bëhet shpesh. Nuk është një bisedë që mund ta bësh edhe për një kapriço të fëmijës (për shembull: sot nuk kam qejf të shkoj në kursin e matematikës). Por është një bisedë që duhet bërë para një problemi real, specifik e të përsëritur.  


Shkurt, një bashkëbisedim i mirë është ai në të cilin, përmes pyetjeve e dëgjimit, ndihmohet një fëmijë të kuptojë se çfarë dëshiron ai në të vërtetë, të eksplorojë motivime të reja, arsye, argumente dhe t'i shfaqë ato në progres. Përmes tyre përballet dhe zgjidhet një problem. Nëse kërkojmë të zgjidhim edhe problemet që fëmijët mund t'i zgjidhin vetë, atëherë u transmetojmë atyre mesazhin se nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. 


Kujtoj këtu një frazë të  Saint Exupery "Ndoshta dashuria është procesi me të cilin të drejtoj butësisht drejt vetes tënde". Ja pra, ndoshta dashuria është kjo, t'i kthesh njerëzit (edhe ata që janë në fazë rritjeje) drejt thelbit të tyre, t'i orientosh ata të bëhen ata që janë në të vërtetë. Edhe nëpërmjet pyetjeve e dëgjimit. 


(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

4,592 Lexime
6 vjet më parë