GABIMET E FËMIJËVE

Si t'i motivojmë fëmijët kur bëjnë gabime?

Një prind që e inkurajon, që i shkon pas fantazisë dhe lojës së fëmijës, që pranon ritmin e tij pa e krahasuar me fëmijë të tjerë, që është pranues, që nxit tolerancën dhe komunikimin, padyshim që ofron një model shumë të përshtatshëm.

Ishte një pasdite e zakonshme teksa duke u kthyer për në shtëpi, në lulishten përballë Presidencës në kryeqytet, pashë një familje shumë të bukur të përbërë nga prindërit e dy fëmijët e tyre. Vajza po qëndronte me babin, ndërsa djali pak më i madh me mamin. Djali kishte skicuar një lojë me prosto, siç dikur, kemi bërë edhe ne në fëmijëri ndaj e shikoja teksa demonstronte lojën. Ai mund të ishte rreth pesë vjeç dhe ishte mëse e kuptueshme që mund të bënte gabime gjatë lojës. Por, ajo që më bëri shumë përshtypje nga ajo skenë ishte fakti se e ëma, edhe pse ishte larguar shumë nga bashkëshorti dhe vajza, ndërkohë që ata po e prisnin, qëndronte stoike pranë të birit. Me shumë delikatesë ajo po përpiqej t’i mësonte lojën, pa i vënë në dukje në asnjë moment se ai po e bënte gabim. Në fakt, gabimet e tij ishin të dukshme (të kuptueshme për një fëmijë në atë moshë, që ndoshta e provonte lojën për herë të parë), por ajo me shumë entuziazëm i thoshte: Bravo! Je i mrekullueshëm! Veprove mirë, por herën tjetër këtë bëje kështu (duke i rregulluar gabimet). Dhe nëna priste e qëndronte aty derisa djali ta bënte lojën siç duhej.


Ai e provoi disa herë, shumë prej të cilave gabim, por e ëma vazhdonte t’i thoshte bravo dhe ta inkurajonte ta përsëriste derisa ta bënte siç duhej. Kaluan kështu disa minuta e deri në tentativën e fundit, vogëlushi e kishte mësuar mirë si duhej bërë hedhja në lojë. Në atë moment kuptova sa i rëndësishëm është stimulimi që prindërit i bëjnë një fëmije. Sa inkurjauese mund të jetë këmbëngulja e një prindi dhe mbështetja e tij në suksesin e një fëmije.


Nga ana tjetër mendova si do të ndihej fëmija, nëse e ëma do t’i vinte në pah paaftësinë që herën e parë! Si duhet të sillemi me fëmijët në të tilla situata?


Durimi që kërkon mirërritja dhe edukimi i një fëmije është shpeshherë sfidë më vete; por është pikërisht ky durim i pakufi dhe i palodhur celësi i një prindërimi të mirë efikas.

Për të rritur fëmijë të qetë dhe të shëndetshëm psikologjikisht, motivimi i vazhdueshëm i prindërve dhe nxitja e besimit tek aftësitë e të vegjëlve, është shumë e rëndësishme.

Në këtë pikë, sjelljet shumë ndihmuese për të rritur fëmijë me vetëbesim kanë të bëjnë me mënyrën sesi prindi i përgjigjet gabimit dhe vështirësive të ndryshme që has fëmija.

Një prind që e inkurajon, që i shkon pas fantazisë dhe lojës së fëmijës, që pranon ritmin e tij pa e krahasuar me fëmijë të tjerë, që është pranues, që nxit tolerancën dhe komunikimin, padyshim që ofron një model shumë të përshtatshëm. Do të thotë se mbështetja e pakushtëzuar, por mbi të gjitha motivimi, e ndihmojnë fëmijën të krijojë besim tek vetja, tek familja, mjedisi, duke e perceptuar realitetin dhe botën në të cilën jeton, një vend më të sigurt e mbështetës.


(Lorela Garuli, psikologe)

2,223 Lexime
5 vjet më parë