Si t’i ndihmojmë fëmijët të krijojnë miqësi të mira dhe të zgjedhin shokët e shoqet?
Kur nis shkolla, bashkë me librat e rinj vijnë edhe miqësitë e reja. Por a duhet t’ua zgjedhim ne fëmijëve shokët? Ndoshta jo. Ajo që mund të bëjmë është t’i mësojmë të dallojnë një shoqëri të mirë, të vendosin kufij dhe të kuptojnë kë meritojnë pranë vetes.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
Shkolla po afron dhe bashkë me çantat, librat,fletoret e këpucët e veshtjet e reja, kthehet edhe një nga shqetësimet e vjetra të prindërve: Me kë do të shoqërohet fëmija im?
Është një pyetje që nis ndoshta që në ditët e para të shtatorit.
“Mos u shoqëro me atë fëmijë.”
“Mos bëj siç bëjnë ata.”
“Rri me fëmijët e mirë.”
E kemi thënë të gjithë. Ndonjëherë me të drejtë, nga frika se mos fëmija ynë ndikohet keq. Por ka një problem të vogël: fëmijët nuk janë gjithmonë dakord me listën tonë të “shokëve të mirë” dhe “shokëve të këqij”.
Dhe ndoshta kjo është edhe një nga gjërat që duhet të mësojmë të bëjmë ndryshe.
Në vend që t’i zgjedhim shokët fëmijës, duhet ta ndihmojmë atë të mësojë si të zgjedhë vetë njerëzit me të cilët ndihet mirë, i respektuar dhe i sigurt.
Sepse shoqëria është një nga ato gjëra që fëmija do ta marrë me vete gjatë gjithë jetës.
“Mami, ai është shoku im!”
Mund të na ndodhë që fëmija të vijë në shtëpi dhe të na tregojë për një shok të ri.
Ne e shohim nga larg, e dëgjojmë si flet, dimë ndoshta që ka bërë ndonjë rrëmujë në klasë dhe menjëherë na ndizet alarmi.
“Jo, me atë mos u shoqëro.”
Por përpara se ta themi këtë, ndoshta ia vlen të bëjmë një hap pas dhe të pyesim:
- Çfarë të pëlqen tek ai?
- Si të bën të ndihesh kur je me të?
- Çfarë bëni bashkë?
- A të dëgjon kur flet?
- A të respekton kur thua “jo”?
Këto pyetje janë shumë më të vlefshme sesa një urdhër i thatë.
Sepse fëmija nuk ka nevojë vetëm të dëgjojë nga ne se kush është “i mirë” dhe kush është “i keq”. Ai ka nevojë të mësojë të lexojë marrëdhëniet e veta.
Sipas ekspertëve të pediatrisë dhe zhvillimit të fëmijëve, miqësitë janë një hapësirë ku fëmijët mësojnë empatinë, komunikimin, dëgjimin, zgjidhjen e konflikteve dhe mënyrën se si të përballojnë zhgënjimin. Prindërit mund t’i mbështesin këto aftësi pa i marrë vetë në dorë marrëdhëniet e fëmijës.
Po si duket një shok i mirë?
Këtu mund ta ndihmojmë shumë fëmijën.
Jo duke i thënë: “Shoqërohu me fëmijët që kanë nota të mira.”
Jo duke i thënë: “Rri me fëmijët e qetë.”
Dhe, mbi të gjitha, jo duke e mësuar të gjykojë një fëmijë nga rrobat, familja, ekonomia, pamja apo nga fakti nëse është “popullor” në klasë.
Një shok i mirë është ai që:
- të respekton edhe kur nuk mendon si ti;
- nuk të detyron të bësh gjëra që nuk dëshiron;
- nuk të poshtëron për të bërë të tjerët të qeshin;
- di të kërkojë falje;
- të dëgjon;
- gëzohet kur ti ke sukses;
- nuk të kërkon të bëhesh dikush tjetër për të qenë pjesë e grupit;
- të lë të kesh edhe miq të tjerë;
- nuk përdor frikën, kërcënimin apo sekretet për të të kontrolluar.
Këto janë gjëra që fëmija mund t’i mësojë gradualisht. Dhe sa më herët të flasim për to, aq më natyrshëm do t’i kuptojë.
Mos e trembni me shokun “e keq”
Kjo është pjesa ku ne prindërit gabojmë shpesh.
Shikojmë një fëmijë që nuk na pëlqen dhe mendojmë se zgjidhja është ta largojmë menjëherë fëmijën tonë.
Ndonjëherë ndërhyrja është absolutisht e nevojshme. Sidomos kur kemi dhunë, bullizëm, kërcënime, presion ose sjellje që e vënë fëmijën në rrezik.
Por jo çdo konflikt mes fëmijësh është një alarm i kuq.
Fëmijët zihen. Mërziten me njëri-tjetrin. Nuk i ftojnë të gjithë në lojë. Një ditë janë “shokë të ngushtë”, të nesërmen nuk flasin fare dhe pas dy ditësh luajnë përsëri bashkë.
Edhe këto janë pjesë e të mësuarit të marrëdhënieve.
Akademia Amerikane e Pediatrisë thekson se prindërit mund t’i udhëzojnë fëmijët në zgjidhjen e konflikteve, duke i ndihmuar të kuptojnë edhe këndvështrimin e fëmijës tjetër dhe të shprehin emocionet pa dhunë.
Pra, ndonjëherë pyetja nuk është:
“Si ta largoj nga ai shok?”
Por:
“Si ta mësoj fëmijën tim të përballet me këtë situatë?”
Një bisedë e vogël që mund të bëjë shumë punë
Nuk kemi pse të ulemi përballë fëmijës me një “leksion” gjysmëorësh për miqësinë.
Mjaftojnë disa pyetje gjatë ditës.
“Me kë u ule sot?”
“Me kë qeshe më shumë?”
“A pati ndonjë moment kur dikush të mërziti?”
“Po ti, a bëre ndonjë gjë që mund të ketë mërzitur dikë?”
“Si u ndjeve kur ishe me shokët?”
“Çfarë të pëlqen tek shoku yt?”
“Po sikur shoku të të kërkojë të bësh diçka që ti nuk do?”
Këto biseda të vogla i japin fëmijës fjalët që mund t’i duhen nesër.
Sepse një fëmijë që di të thotë “nuk dua”, “kjo nuk më pëlqen”, “mos më fol kështu” ose “dua të iki”, ka fituar një aftësi shumë më të madhe sesa thjesht të dijë të zgjedhë një shok.
Ka mësuar të vendosë kufij.
Dhe nëse fëmija është ai që mbetet vetëm?
Edhe kjo është një anë e rëndësishme e historisë.
Sepse ndërsa disa prindër shqetësohen se fëmija po shoqërohet “shumë”, të tjerë kanë një fëmijë që nuk po gjen dot askënd.
Fëmija vjen nga shkolla, lë çantën në korridor dhe thotë:
“Askush nuk do të luajë me mua.”
Dhe kjo fjali, për një prind, dhemb.
Në këtë rast, përgjigjja nuk është gjithmonë “mos e vrit mendjen”.
Fëmijët mund të kenë nevojë për ndihmë konkrete për të hyrë në një grup, për të nisur një bisedë ose për të krijuar një miqësi. Ekspertët sugjerojnë edhe situata të vogla dhe pa presion, si një lojë me një shok, një aktivitet i përbashkët apo një interes që fëmijët e ndajnë.
Dhe jo, fëmija nuk ka nevojë të ketë dhjetë shokë.
Edhe një mik i mirë mund të jetë shumë.
Le t’i njohim shokët e fëmijëve tanë
Një nga mënyrat më të mira për të kuptuar shoqëritë e fëmijës është shumë më e thjeshtë nga sa duket:
- Lërini shokët të vijnë në shtëpi.
- Mos i shikoni si “problemin që duhet kontrolluar”, por si fëmijë që po njihni.
- Bëni një kek. Hapni një lojë. Lërini të qeshin.
Në këtë mënyrë, ne shohim shumë më tepër sesa do të shihnim duke pyetur çdo mbrëmje:
“Me kë u shoqërove sot?”
Edhe Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon prindërit t’i mirëpresin miqtë e fëmijëve në shtëpi dhe të njohin familjet e tyre, duke ruajtur një prani të arsyeshme dhe jo kontrolluese.
Sepse ndonjëherë, kur e njohim më mirë “atë shokun që nuk na pëlqente”, kuptojmë se historia ishte pak më ndryshe nga sa mendonim.
Një gjë që nuk duhet ta harrojmë
Fëmija ynë nuk do të zgjedhë gjithmonë shokët që do të zgjidhnim ne. Dhe kjo është në rregull. Nuk mund t’i kontrollojmë të gjithë fëmijët që do të hyjnë në jetën e tij.
Nuk mund të jemi në çdo pushim të madh.
Nuk mund të dëgjojmë çdo bisedë në korridor.
Nuk mund të dimë çdo mesazh që do t’i vijë në telefon.
Por mund të bëjmë diçka shumë më të rëndësishme:
Mund t’i mësojmë fëmijës çfarë meriton nga një miqësi.
Mund t’i mësojmë se një shok nuk të bën të ndihesh keq për të të mbajtur pranë.
Se të thuash “jo” nuk të bën të keq.
Se të kërkosh ndihmë nuk të bën të dobët.
Se mund të largohesh nga një marrëdhënie që të dëmton.
Dhe se edhe ti duhet të jesh një shok i mirë për të tjerët.
Ndoshta ky është mësimi më i mirë për shtatorin
Kur të hapen dyert e shkollës dhe fëmijët të hyjnë përsëri në klasa, ne do të shqetësohemi për notat, detyrat, mësuesit, librat, oraret...
Por le të mos harrojmë një nga mësimet më të rëndësishme që fëmija merr në shkollë:
Si të jetë me të tjerët.
Prandaj, në vend që t’i themi:
“Mos u shoqëro me atë.”
Ndoshta këtë shtator mund t’i themi:
“Unë nuk mund të zgjedh shokët për ty. Por mund të të ndihmoj të kuptosh se si duket një shoqëri e mirë.”
Dhe pastaj ta lëmë të rritet. Pak nga pak.
Me gabime, me pajtime, me miqësi që zgjasin dhe me disa që përfundojnë. Sepse edhe kjo është pjesë e rritjes.
Dhe ndoshta, në fund të fundit, qëllimi nuk është të rrisim fëmijë që zgjedhin gjithmonë njerëzit “e duhur”. Qëllimi është të rrisim fëmijë që dinë ta dallojnë kur një marrëdhënie u bën mirë dhe kur duhet të largohen prej saj.
Burimet
American Academy of Pediatrics – What Parents Can Do to Support Friendships
American Academy of Pediatrics – Getting to Know Your Child’s Friends
American Academy of Pediatrics – Problems With Peers: How to Help Your Child Navigate Social Challenges
Child Mind Institute – How to Help Your Child Make Friends
Child Mind Institute – Friends & Socializing
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Fëmija juaj nuk dëgjon asnjë? Përdorni metodën Gandi
Nga përqafimi i prindit te duart e ngrohta të mësuesit - Si ta përgatisim fëmijën për klasën e parë me besim e qetësi