Kohë e llogaritur

Truke për planifikimin e punës si mësimdhënës që do t'ju kursejnë orë çdo javë

Më poshtë mund të gjeni disa truqe për planifikimin e orëve mësimore në mënyrë për të kursyer kohë, dhe pa sakrifikuar cilësinë e mësimeve tuaja.

Shumica e mësimdhënësve punojnë në arsim për dashurinë që kanë për nxënësit a profesionin… jo për dashurinë që kanë për të planifikuar mësimet për orë të tëra çdo ditë. Në fakt, mësimdhënësit punojnë pa pagesë pothuajse 20 orë jashtë orarit të punës, çdo javë, dhe pjesa më e madhe vjen nga prapërgatitja pasditeve në shtëpi, por edhe nga planifikimi i mësimeve tërheqëse. Planifikimi i mësimit mund të duket shumë i ndryshëm në varësi të rrethit tuaj dhe pritshmërive të administratorëve (autoriteteve), duke filluar nga planet mësimore me disa faqe me kritere specifike dhe detaje, deri në një përmbledhje me vetëm një fjali të postuar për nxënësit dhe prindërit. Pavarësisht, mësuesit medoemos duhet të dinë se çfarë po bëjnë, sidomos  kur 30 a më shumë fytyra të vockëla i shikojnë me shumë pritshmëri. 

Më poshtë mund të gjeni disa truqe për planifikimin e orëve mësimore në mënyrë për të kursyer kohë, dhe pa sakrifikuar cilësinë e mësimeve tuaja.


1. Kuptoni se sa kohë shpenzoni për planifikimin e mësimit


A e dini se sa kohë nga java juaj i kushtohet planifikimit? A uleni ndonjëherë për të krijuar planin e mësimit dhe të kuptoni se një orë ka kaluar me pak përparim? Duke vlerësuar efikasitetin tuaj, ju keni një pikëfillim për të parë se si mund të thjeshtoni procesin tuaj. Mbani një regjistër për disa javë dhe më pas përdorni hapat e mëposhtëm.


2. Krijoni një model të personalizuar


Jo, nuk e kam fjalën për atë që kërkon drejtori juaj, por për atë që funksionon për ju. Një model i thjeshtë mund të duket si ky:

● Zilja

● Video tërheqëse

● Mini-mësim

● Aktiviteti

● Pushimi

Duke ndjekur një format të thjeshtë, nuk do të humbisni kohë duke pyetur veten se cili element është në radhë në çdo orë mësimore, dhe mund të përqendroheni në gjërat e rëndësishme.


3. Ripërdorni, mos rikrijoni 


Në vend që të rikrijoni dhe planifikoni një mësim të tërë, thjesht përdorini ato që keni nga viti i kaluar. Sekreti për këtë është ruajtja e skedarëve dhe dosjeve super të organizuara, në mënyrë që të mos humbisni të gjithë kohën tuaj duke kërkuar.


4. Kërkoni, huazoni, përdorni


Diku, dikush brilant, ka krijuar tashmë planin e mësimit që dëshironi, ose të paktën një pjesë. Përdorni burimet në internet për të kërkuar planet që janë të disponueshme, para se të krijoni tuajat nga e para. Për shembull, mësimdhënësit e historisë mund të kontrollojnë Stanford History Education Group, i cili ofron ide të fuqishme dhe interesante. Burime të tjera si Teachers Pay Teachers dhe Pinterest janë gjithashtu të mbushura me ide.


5. Krijoni plane javore, jo plane të përditshme minutë pas minute


Sa herë keni planifikuar një javë të tërë, vetëm për të kuptuar se nga e mërkura keni ndërruar krejtësisht drejtim, dhe keni ndryshuar planet tuaja? Në vend që të planifikoni mësimin se çfarë do ndodh çdo 10 minuta, krijoni plane për javën në tërësi. Për shembull, ne do t'i shfaqim këto video, do t'i bëjmë këto aktivitete dhe do t'i përfundojmë këta kapituj deri të premten. Kjo mënyrë parandalon ndryshim e planit mësimor.


6. Nuk ka "unë" në ekip


Nëse jeni mjaft me fat që jeni pjesë e një personeli që ju duket mbështetës dhe të pëlqyeshëm, ndani planifikimin me njëri-tjetrin. Megjithëse është tunduese të bësh gjithçka vetë dhe "sipas mënyrës sate", delegimi do të thotë vetëm një pjesë e kohës së harxhuar për planifikim, për çdo person.


7. Mundësoni që edhe nxënësit të zgjedhin


Shumica e vlerësimeve të mësimdhënësve inkurajojnë zgjedhjen dhe “ngritjen e zërit” të nxënësve në të nxënit. Nuk ka mënyrë më të mirë për të kursyer kohë dhe për të fuqizuar udhëheqjen në klasë sesa t'u jepet nxënësëve kontrolli i planeve. Për ta realizuar këtë, zbërthejini konceptet që duhet të mësojnë dhe lejojini të shqyrtojnë mësimet dhe t'ia shpjegojnë njëri-tjetrit herë pas here. Ose, ndani nxënësit në grupe të vogla dhe kërkojuni të krijojnë mësime për të gjithë.


8. Përdorni YouTube në avantazhin tuaj


Pse po planifikoni leksione dhe mësime të gjata kur me siguri ekziston një video në YouTube që do t'u bëjë përshtypje nxënësve tuaj, e cila mëson të njëjtin koncept, por në një format të lezetshëm në vetëm pak minuta. Mos luftoni kundër gjeneratës së YouTube-it, përdoreni atë!


9. Zgjidhni kohën optimale për të planifikuar.


A është vërtet ora 16:00 e së premtes koha që jeni më së shumti efektiv, efikas dhe kreativ me planifikimin e mësimit? Dyshoj. Në vend të kësaj, jini më preciz për zgjedhjen e kohës në të cilën keni akoma energji. Nëse e bëni këtë, mund të kuptoni se planifikimi i orëve mësimore mund të zgjasë më pak në dallim me orët kur ndiheni të rraskapitur.


10. Rishikoni efektshmërinë e proceseve tuaja brenda një muaji


Pasi të keni provuar disa nga sa më sipër, bëni një inventar të ri se sa kohë po shpenzoni për planifikimin e mësimit. Nëse koha juaj nuk është përmirësuar, provoni një mënyrë të re. Procesi, dhe një kombinim i asaj që funksionon, është i ndryshëm për të gjithë.


Burimi: https://www.boredteachers.com/post/lesson-planning-hacks 


Përgatiti: Era Baliu, gazetare/korrespondente e Portalit Shkollor Albas për Kosovën 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

6,977 Lexime
2 vjet më parë