Intervistë

Xhuliana Murati, mësuesja e ekselencës dhe e pasionit për librat

Është nga të paktat raste që një studente të zgjedhë të vazhdojë studimet e larta për mësuesi kur mesataren e ka mbi 9. Po kështu, e rrallë është të takosh një mësuese të re që mbart pasion në punën që bën, e mbi të gjitha që është lexuese e qindra librave. Ju njohim me Xhuliana Muratin.

“Rruga nëpër të cilën po ecën nuk është aspak e lehtë dhe nëse  guxon të japësh  mësim, kurrë nuk duhet të pushosh së mësuari”, ky është mesazhi që ajo ja thotë shpesh vetes, jo vetëm në këtë ditë të shënuar sic është 7-Marsi. Profili i saj është tejet interesant si mësimdhënëse e re, ndaj ne ju ftojmë të lexoni më poshtë intervistën që kemi realizuar me Xhuliana Muratin. 



Xhuliana, gjëja e parë që më tërhoqi vëmendjen në CV tuaj ishin rezultatet e larta të mesatares së studimeve në të dy nivelet, Bachelor dhe Master.  I keni përfunduar këto nivele me mesataren mbi 9. Çdokujt do t’i bënte përshtypje ky fakt , pasi janë gjithnjë e më të paktë ata kandidatë për mësues që zgjedhin të ushtrojnë këtë profesion duke pasur një mesatare të tillë. Pse zgjodhe të bëheshe mësuese? Nga nisi e gjitha?


Sa herë më është drejtuar kjo pyetje jam përgjigjur gjithmonë shumë shkurt duke thënë se më ka frymëzuar mësuesja ime e klasës së parë. Duke parë sesi arrinte ajo të krijonte një atmosferë aq të paqtë në klasë, ku dashuria nuk mungonte në asnjë çast dhe përkushtimi për secilin nxënës ishte i veçantë, fillova të ndjeja brenda vetes dëshirën për t’u bërë si ajo, dëshirë që me kalimin e viteve u kthye në bindje. Sa më shumë kalonte koha aq më shumë e kuptoja që  i përkisja kësaj fushe, se në çdo çast e gjeja veten duke studiuar mësuesit e mi të mëvonshëm e duke u munduar të rrëmbeja prej tyre teknika, metoda që  funksiononin mirë në klasë apo duke imagjinuar si do të sillesha unë po të isha në vendin e tyre, në të njëjtën situatë . Kështu, nuk e pata aspak  të vështirë të zgjidhja, synimet i kisha goxha të qarta.



Ndërkohë ju keni dy vite përvojë pune si mësuese, si po gjendesh tashmë mes kësaj eksperience? Çfarë do të thotë për ju të jeni mësuese? 


Edhe pse rruga ime në këtë profesion sapo ka nisur, mendoj që mësimdhënia është një sfidë  sa e bukur aq edhe  e vështirë, sfidë që vetëm me pasionin dhe dashurinë e duhur mund të shkosh drejt suksesit.  Jam e vetëdijshme që më është besuar një detyrë fisnike dhe mundohem që të marr çdo ditë më të mirën prej saj. Për mua, të jesh mësuese, do të thotë të kesh superfuqi, të jesh e gjithanshme. Është e vërtetë që detyrë parësore ke të ndihmosh nxënësit të zgjerojnë njohuritë e tyre, duke i nxitur drejt të menduarit kritik por në një moment a një tjetër do të të takojë të jesh edukues, prind, shok, psikolog, mik, gjyqtar etj. Në fund të fundit, dhënia e dijeve  mbetet thelbi i procesit të mësimdhënies por mësuesit i takon gjithashtu të frymëzojë, të japi kurajë, të forcojë besimin ne vetvete te nxënësi, të motivojë vazhdimisht duke u treguar mbi të gjitha empatik.  



Dimë që keni pasur mundësinë të jepni mësim si në një shkollë private ashtu edhe publike. Ndryshon për ju kjo eksperiencë apo roli juaj sigurisht mbetet i njëjtë përballë nxënësve?


Ndryshojnë disi situatat por në vija të përgjithshme roli im si mësuese përballë nxënësve mbetet i njëjtë. Për aq kohë sa synimi im ka qenë krijimi i një ambienti pozitiv në klasë, ku nxënësi ndihet rehat gjatë procesit mësimor, gjë që rrit dhe efektivitetin e tij në të nxënë, nuk kam hasur ndonjë dallim thelbësor midis sektorit privat dhe atij publik, në fund ndjesitë kanë qenë të njëjta.



Nëse ka diçka tjetër interesante në profilin tuaj si mësimdhënëse është edhe fakti se ju jeni keni lexuar me qindra libra (rreth 700). Është një pasion juaji? Sa ndikon kjo gjë në formimin tuaj si mësuese? A keni praktikuar ju parime të nxjerrë nga këta libra në punën tuaj?

Nëse ka një gjë me të cilën krenohem është biblioteka ime personale. Vetëm kur e mendoj në ngjizje të saj me 5-10 libra, kryesisht libra me përralla, dhe e shoh tani me gati 2000 tituj, emocionohem.  Pasioni për leximin ka nisur qysh herët, me “Përrallat e Andersenit” dhe “Zemra” e Edmond de Amicis, ky i fundit qe ai që më futi njëherë e mire në ‘vesin’ e te lexuarit. Me kalimin e kohës kuptova që kisha krijuar një varësi (të bukur) dhe se pa lexuar, qoftë dhe 10 faqe në ditë, nuk rrija dot. Kështu fillova të grumbulloj libra; nuk më pëlqente vetëm t’i lexoja, doja t’i kisha në bibliotekën time dhe vit pas viti ajo u rrit ndjeshëm. Qe ndoshta dhe ky pasion për librin që më shtyu të studioja për gjuhë-letërsi.  Kryesisht lexoj letërsi artistike, disi më pak libra shkencorë që i përkasin fushës time dhe të dyja më kanë ndihmuar në punën si mësuese sepse lidhen ngushtë me lëndët që unë jap, qoftë përsa i përket zotërimit të lëndës nga ana teoriko-praktike  aq edhe lehtësisë në komunikim. 


Çfarë këshillash i jepni ju nxënësve ose fëmijëve tuaj për librat dhe leximin?

Në fakt, më shumë se këshilla, deri tani jam munduar t’ua paraqes leximin dhe librin si një magji që u hap porta të paimagjinueshme. Jam e mendimit se fëmija/nxënësi nuk shkon drejt librit se i thua që duhet të lexojë, aq më tepër nëse e detyron ( folja “lexoj” nuk e duron dot mënyrën urdhërore – thotë Daniel Pennac në një libër të tij). Por nëse ata vërejnë tek ti, si mësues a prind, shkëlqimin e syve tek flet për një libër që ke lexuar, kohën fizike që kalon duke shfletuar faqet e një libri apo pasionin me të cilin e përshkruan këtë proces kaq të rëndësishëm, diçka brenda tyre do ndryshojë, herët a vonë do bien në kurthin e ëmbël të leximit. Mendoj se çelësi i suksesit është te dhënia e një shembulli të duhur.


Po sot në festën e mësuesve, çfarë mesazhi dëshironi të shpërndani? 


Mesazhin do doja t’ia adresoja se pari vetes e pastaj të gjithë atyre që kanë zgjedhur këtë profesion fisnik:  Rruga nëpër të cilën po ecën nuk është aspak e lehtë dhe nëse  guxon të japësh  mësim , kurrë nuk duhet të pushosh së mësuari.





Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,357 Lexime
1 vit më parë