Në shkollën “26 Nëntori”

8 prilli, Dita e Romëve, një popull, shumë ngjyra!

Është bërë tashmë traditë që 8 Prilli- Festa e Romëve, të festohet me shumë përgatitje e aktivitete nga të gjithë nxënësit e mësuesit e shkollës “26 Nëntori”

8 Prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Në 8 Prill 1971 në Londër u organizua konferenca ndërkombëtare ku dhe u vendos që data 8 prill të jetë, “Dita Ndërkombëtare e Romëve”. U vendos edhe për flamurin dhe himnin rom “Gelem Gelem” që së bashku me gjuhën rome i bëjnë romët një minoritet qartësisht të dallueshëm për nga vlerat e tyre të pasura etno-kulturore. Popullsia rome ka mbërritur nga India në Ballkan duke u përhapur më tej nëpër Europë rreth 6 shekuj më parë.

Kjo ditë vjen si apel për më shumë të drejta dhe më shumë vëmndje nga shoqëria dhe shteti.

Në shkollën “26 Nëntori” në Tiranë ndjekin shkollën një pjesë e mirë e fëmijëve rom të zonës së Selitës. Pas një pune shumëvjeçare nga stafi i shkollës, në bashkëpunim me foondacionin “Ndihmë për Fëmijët”, është bërë i mundur frekuentimi i shumë fëmijëve rom në shkollë. Tani realiteti është i ndryshëm krahasuar me gjendjen para disa vitesh. Fëmijët rom regjistrohen që në klasën e parashkollorit. Gjithashtu nxënësit rom po vijojnë shkollën dhe në klasat e larta si dhe në shkollën e mesme.

Si çdo vit, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, u zhvillua koncert më pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve duke përçuar mesazhin “Për një botë pa diskriminim dhe rracizëm”.

(Nga Drita Kolndreu)

8,953 Lexime
8 vjet më parë