
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Në një garë ku fjala shqipe u bë pasion dhe krenari, shkolla “Qamil Guranjaku” nga Elbasani u rendit e dyta në nivel kombëtar, mes qindra shkollash. Drejtoresha Anila Çota ndan emocionet dhe sfidat që shënuan këtë arritje të suksesshme.
Në një garë ku fjala shqipe u kthye në pasion, përkushtim dhe krenari, shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” nga Elbasani u dallua si një nga më të mirat në nivel kombëtar, duke fituar vendin e dytë mes qindra shkollave nga i gjithë vendi. Drejtoresha Anila Çota, e cila ka qenë frymëzim dhe mbështetje e pandalshme për nxënëset, na fton të hyjmë në botën e emocioneve që përjetuan gjatë këtij rrugëtimi.
“Ky konkurs nuk ishte thjesht një garë, ishte një mision për të treguar sa shumë vlen fjala jonë shqipe dhe sa krenarë jemi që e flasim,” shprehet ajo me emocion.
Në këtë intervistë, Znj.Çota ndan sfidat, përpjekjet dhe momentet prekëse që shënjuan një kapitull të paharrueshëm në historinë e shkollës së saj.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Znj. Çota, si e përjetuat rrugëtimin e shkollës që ju drejtoni deri në finalen e madhe të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe?
Konkursi ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm të cilin e kemi vlerësuar që në momentet e para edhe pse ne punojmë sistematikisht me nxënësit tanë pa e kthyer si qëllim ne vetvete konkursin. Ishte vërtetë një udhë plot sfida pasi nxënësve ju desh të punojnë fort me secilën nga rubrikat, të shpenzojnë kohë, të diskutojnë shpesh ndërmjet tyre dhe me mësuese Alidën që i orientoi dhe mbështeti gjatë gjithë kohës. Në të njëjtën kohë, ishte edhe një përgjegjësi shumë e madhe konkurrimi në finale, pasi nuk përfaqësuam vetëm shkollën tonë, por të gjitha shkollat e ZVA Elbasan.
Cilat ishin emocionet dhe ndjesitë e nxënësve tuaj gjatë finales kundrejt shkollës “Selim Alliu”?
Besoj se të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë përballje i kanë ndjerë emocionet e vajzave tona. Ato ishin mjaft entuziaste sepse reflektuan një përgatitje të shkëlqyer, prezantime mjaft dinjitoze, me një fjalor të pasur e të kulluar shqip. U vu re një bashkëpunim dhe pjesëmarrje e të gjitha vajzave në ekip dhe jo monopolizim i përgjigjeve të tyre. Megjithatë ankthi dhe dëshira për të qenë perfekte, i shoqëroi gjatë gjithë kohës, gjë që bëri që në momente të veçanta të nxitoheshin në përgjigjet e tyre.
Pavarësisht se nuk morët vendin e parë, jeni ndër dy më të mirat në nivel kombëtar. Çfarë përfaqëson kjo arritje për shkollën “Qamil Guranjaku”?
Shkolla jonë është një nga shkollat më të mira në ZVA Elbasan dhe natyrisht edhe pritshmëritë janë të mëdha. Sigurisht që rezultati i arritur na bën të jemi krenarë dhe të justifikojmë besimin që prindërit dhe komuniteti na kanë dhënë, por flet edhe për një punë mjaft serioze të stafit tonë që punon për formimin tërësor të nxënësve tanë.
Të jesh në vendin e dytë në një konkurs kombëtar ku garojnë 700 shkolla të Shqipërisë tregon përpjekje, përkushtim, angazhim, sakrifica, por mbi të gjitha përgjegjshmëri.
Dhe pikërisht përgjegjshmëria na bën që çdo nismë apo detyrë ne ta shndërrojmë në mision. Dhe ky ishte misioni i radhës për ne.
Si u organizua shkolla juaj për këtë konkurs? A pati ndonjë strategji ose përgatitje të veçantë?
Për të arritur një sukses të tillë nuk është e lehtë dhe padyshim kërkon një organizim të mirë të punës duke filluar në nivel nxënësi, klase, e shkolle për të përzgjedhur skuadrën përfaqësuese. Strategjia që u ndoq kishte të bënte së pari me orientimin e nxënësve për materialet që duheshin punuar, për të cilat punoi fort mësuesja Alida Feçi, interpretimin e poezisë, organizimin e kuvendit, koncepte të rëndësishme gjuhësore dhe mbi të gjitha me projektin, prezantimin, produktet, përdorimin e teknologjisë etj.
Mbështetja që vajzat i bënin njëra-tjetrës gjatë gjithë kohës, por edhe në përgjigjet në konkurs, ishte një element tjetër strategjik që fliste për frymën e përbashkët në skuadër, pasi edhe pse detyrat ishin të ndara të gjitha vajzat ishin përgatitur për gjithçka në lidhje me konkursin. Fryma e bashkëpunimit që mbizotëroi gjatë gjithë kohës ishte një tjetër element i strategjisë sonë.
Cili ka qenë roli i mësuesve në përgatitjen e nxënësve dhe si është ndjerë mbështetja brenda komunitetit shkollor?

Mësuesit kanë qenë një mbështetje e madhe për nxënësit tanë së pari duke mirëkuptuar peshën e madhe të ekipit. Ata kanë ndihmuar shumë në lehtësimin psiko-emocional të vajzave tona. Gjithashtu mësuesit kanë inkurajuar nxënësit hap pas hapi duke i nxitur dhe motivuar dhe duke shprehur besim të palëkundur në suksesin e tyre. Edhe drejtoria e shkollës ka mundësuar dhe lehtësuar tërë procesin e përgatitjes së nxënësve dhe duke garantuar bazën e nevojshme materiale. Nuk mund të lë pa përmendur mbështetjen nga ZVA Elbasan, nga prindërit, nga nxënësit e tjerë të shkollës që na kanë dhënë forcë me fjalët e tyre inkurajuese.
Cilat vlera të gjuhës shqipe mendoni se nxori në pah ky konkurs tek nxënësit tuaj?
Sa e bukur kjo pyetje!
Konkursi i ka bërë nxënësit tanë më të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që ka gjuha shqipe për kombin tonë, si dëshmitare për historinë dhe lashtësinë e tij. Besoj fort se ata do të dinë të përçojnë më tej dhe thellojnë njohuritë dhe studimet e tyre për vlerat që mbart dhe shpreh gjuha jonë në ndërtimin dhe marrëdhëniet e paqta mes njëri-tjetrit dhe shtimin e krenarisë së të qenit shqiptar.
Gjuha shqipe ka një sërë vlerash të rëndësishme, si në aspektin kulturor, historik dhe identitar.
Gjuha shqipe është elementi kryesor që ruan dhe shpreh identitetin kombëtar të shqiptarëve. Ajo është simbol i përkatësisë sonë si komb dhe mjet i unitetit mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Përmes gjuhës shqipe ruhen dhe transmetohen pasuritë kulturore të popullit shqiptar, përfshirë gojëdhënat, legjendat, letërsinë dhe traditat.
Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës dhe pjesë e një dege më vete në familjen indoevropiane. Kjo e bën atë një pasuri të rrallë gjuhësore dhe shkencore.
Gjuha shqipe është mjeti themelor i komunikimit dhe i përvetësimit të dijes për brezat e rinj. Ajo është baza mbi të cilën ndërtohen të gjitha disiplinat e tjera shkollore në arsimin në shqip.
Gjuha shqipe është ura që lidh njerëzit në bashkësi, forcon komunikimin, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën në shoqëri.
Si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar (dhe njohur edhe në institucione të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe komunitete të tjera shqiptare), shqipja ka rol të rëndësishëm në administratë, arsim, drejtësi dhe media.
Pra, të gjitha vlerat identitare, kulturore, historike, shoqërore, edukative ligjore e zyrtare dolën në pah gjatë zhvillimit të konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.
Si do të vijoni të nxisni dashurinë për gjuhën shqipe tek nxënësit, pas kësaj eksperience?
Pjesëmarrja në këtë konkurs ishte një eksperiencë e mrekullueshme për nxënësit tanë, pasi përmes saj kuptuan se të mirëpërdorësh gjuhën shqipe, të mos e cungosh e të mos e deformosh atë, të mos përdorësh huazime gjatë komunikimit etj është një detyrë e gjithkujt, veçanërisht e këtij brezi, me qëllim që të ruajmë të pastër si kristali fjalën e ëmbël shqipe dhe gjuhën tonë amtare.
Nxitja e dashurisë për gjuhën shqipe kërkon një qasje të shumanshme që përfshin edukimin, përvojat personale, përfshirjen kulturore dhe shembullin nga mësuesit e prindërit. Një mënyrë e mirë do të ishte edukimi me pasion dhe kreativitet.
Tua mësojnë nxënësve gjuhën shqipe me metoda aktive dhe frymëzuese, si letërsia artistike, lojërat gjuhësore dhe rrëfimet.
Të përzgjidhen tekste që prekin ndjenjat, identitetin dhe përvojat personale të nxënësve.
Shembulli i mësuesve dhe prindërve do të ishte një mënyrë tjetër.
Kur mësuesit dhe prindërit flasin shqip pastër, me respekt dhe dashuri, fëmijët frymëzohen ta bëjnë po njësoj. Të shmanget përdorimi i fjalëve të huaja pa nevojë dhe të theksohet bukuria e fjalorit shqip. Të lexohen vepra të autorëve shqiptarë që ngjallin emocione dhe krenari. Të organizohen aktivitete si recitime, drama, orë letrare apo konkurse shkrimi. Lidhja me rrënjët dhe historinë duhet të jetë e pashmangshme. T’u tregohen fëmijëve sakrificat që janë bërë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe roli i saj në mbijetesën kombëtare. Organizimi i vizitave në vende historike, muze dhe takime me figura të letrave shqipe mund të jenë shumë frymëzuese. Përdorimi i teknologjisë në mënyrë të zgjuar. Krijimi i aplikacioneve, lojërave apo kanaleve në rrjetet sociale që promovojnë gjuhën shqipe në mënyrë argëtuese. Inkurajimi i përdorimit të shqipes në komunikimet digjitale, në vend të zhargonit apo përzierjes me gjuhë të huaja. Përfshirja në festivale dhe veprimtari kombëtare si ky konkurs që u zhvillua nga MAS. Festat kombëtare, si Dita e Alfabetit apo 7 Marsi, të shfrytëzohen për të vlerësuar rolin e gjuhës shqipe me aktivitete të pasura.
Po këtë konkurs a e konsideroni një model të suksesshëm për të nxitur arsimin cilësor dhe dashurinë për gjuhën në shkolla?
Konkurse të tilla janë forma mjaft të efektshme të nxitjes dhe dashurisë për gjuhën, duke inkurajuar të menduarit kritik dhe duke garantuar një arsim më cilësor përmes përmirësimit të komponentëve të rëndësishëm të kurrikulës dhe përdorimit me etikë të komunikimit virtual e atij real.
Çfarë mesazhi do të donit të përcillnit për nxënësit që përfaqësuan shkollën në këtë garë?

Së pari dëshiroj t'i falënderoj nxënëset tona të mrekullueshme për përgatitjen, paraqitjen dhe prezantimin e tyre dinjitoz dhe përfaqësimin e shkollës sonë në këto nivele. Së dyti dëshiroj të nxis vetëbesimin e tyre dhe t'i inkurajoj të ecin përpara në udhën e tyre e të mos tërhiqen nga sfidat. Kontributi i tyre është një gur i çmuar në kështjellën e dijes dhe një garanci se me nxënës të tillë shoqëria jonë do jetë padyshim më e mirë.
Doni të ndani ndonjë moment të veçantë nga finalja që ju ka mbetur në mendje?
Unë sigurisht i kam ende para syve lotët e trishtuara të vajzave që prisnin të ishin fituese të vendit të parë. Emocionet e tyre ishin të papërshkrueshme në ato çaste kur përfaqësuesja e jurisë bëri dallimet e dukshme në prezantimin e projekteve të të dyja shkollave, por jo vlerësimin me pikë, gjë që i la në vendin e dytë duke i thyer shpirtërisht, por jo moralisht, pasi ato janë realisht fituese.
Ndoshta ishte e tepërt ta përmendja në këtë intervistë, por meqë më pyetët për emocionet e veçanta, po ua them me shumë çiltërsi dhe po ju transmetoj ndjesitë e vajzave. Nuk kishte gjë më të bukur se sa kur përfaqësuesja e jurisë u shpreh se sot juria kish mësuar një emër të bukur shqiptar, emrin Lumora të prezantuar nga vajzat si një emër që tregon se lum ora që ti erdhe në jetë. Po ju a nuk do të emocionoheshit?
:)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600
Hapen aplikimet për provimin e licencës 2025, regjistrimet mbyllen më 14 prill
QSHA: Regjistrimet për licencën e mësuesisë deri më 7 prill, provimi do të zhvillohet në muajin maj, ja procedurat