Rritja e pagës së mësuesve

Në perspektivë të rritjes së pagave për punonjësit e Arsimit Parauniversitar: Shpjegime dhe orientime për llogaritjen e tyre

Më poshtë po paraqesim disa llogaritje të rastësishme të pagës së punonjësve të arsimit parauniversitar të emëruar në pozicione të ndryshme. Në këtë tabelë nuk janë përfshirë shtesat për orë jashtë norme, kompensimi për largësi apo ndalesa të tjera, përveç sigurimeve shoqërore dhe tatimit mbi pagën.

Përgatiti Fiqiri Çifliku 


Gjatë vitit 2023 kreu i qeverisë, Z. Edi Rama ka deklaruar me shifra konkrete se nga prilli i 2024, një mësues i shkollës 9 vjeçare do të ketë një pagë ku minimumi do të jetë 95.550 lekë, e mësuesit në gjimnaze 106.800 lekë. Ai shtoi se procesi i rritjes së pagës për mësuesit do të bëhet në 2 hapa. Buxheti i miratuar në fund të dhjetorit, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka parashikuar një shtesë të konsiderueshme fondi, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2023.


Shtesa përfshin edhe fondin e rritjes së pagave për mësuesit gjatë vitit 2024, gjë e cila nga Ministrja Manastirliu është konsideruar historike për mësuesit, edukatorët dhe punonjësit e tjerë në shkolla. Sipas saj synohet që paga mesatare për mësuesit të shkojë në 90 mijë lekë të reja.


Vështirësitë dhe problematikat që sistemi arsimor reflekton sot (jo vetëm në Shqipëri), për shkak të ndyshimeve në sferën sociale, kulturore, teknologjike apo në kushtet e globalizimit të shpejtë të shoqërisë, kërkon ndërhyrje dhe mbështetje. Përveç pasionit që i shoqëron mësuesit në punën me fëmijët, ku siç thotë C. S. Lewis: “Fëmijët nuk janë një largim vëmendje nga puna më e rëndësishme. Ata janë puna më e rëndësishme”, stimuli financiar është shumë i rëndësishëm për të tërhequr dhe mbajtur staf të kualifikuar, të gatshëm të punojnë në sistemin arsimor. 


Pagat e sistemit arsimor parauniveristar llogariten sipas vendimit nr. 175, datë 8.3.2017, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve në mësimdhënie dhe të punonjësve jo në mësimdhënie në arsimin parauniversitar”, i cili është ndryshuar vit pas viti, me VKM nr. 351, datë 19.4.2017; nr. 265, datë 16.5.2018; nr. 60, datë 13.2.2019; nr. 191, datë 5.4.2019; nr. 421, datë 26.6.2019; nr. 1149, datë 24.12.2020; nr. 465, datë 6.7.2022. Ndryshimi i fundit është ai i Prillit të vitit të kaluar, sipas VKM-së nr. 241, datë 20.4.2023, i cili përcakton se struktura e pagës për punonjësit e arsimit parauniversitar përbëhet nga: 


     a) paga e grupit ose paga për nivelin arsimor të kërkuar dhe lidhet me nivelin e diplomës, e cila për diplomat Bachelor është 11,000 lekë, për Master të nivelit të dytë (profesional dhe shkencor) 14,000 lekë dhe  për diplomat e arsimit të mesëm pedagogjik 10,000 lekë.


b) shtesa për vjetërsi pune aplikohet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi pagën e grupit sipas pikës a, më sipër. Në vlerë monetare shtesa për vjetërsi shkon maksimalisht deri në 7000 lekë, për një punonjës që ka 25 vite punë ose më shumë.


c) shtesa për kualifikim, jepet sipas dëshmisë së kualifikimit individual dhe llogaritet mbi pagën e grupit, në përqindje, 5% ose 10%, pas përfitimit të shkallës “Mësues specialist” (shkalla e III pas 5 vjet punë/ Shkalla II pas 10 vjet punë) dhe 20%, pas përfitimit të shkallës “Mësues mjeshtër” (shkalla e I pas 20 vite pune). Shtesa për kualifikim shkon 700, 1 400 apo 2 800 lekë në muaj, në varësi të shkallës së kualifikimit të përfituar nga punonjësi mësimor.


ç) shtesa e pozicionit, është e përcaktuar për çdo vend pune, sipas emërtesës përkatëse të pozicionit të punës psh., mësues, zvdrejtor apo drejtor është e ndryshueshme në vlerë, në varësi të pozicionit të punës. 


Punonjësit arsimorë, të cilët për nevoja të procesit mësimor japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore, mund të paguhen me orë mësimore shtesë, në vlerën 390 lekë/për orë, në shkollat e arsimit të mesëm të lartë dhe 300 lekë/për orë, në shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe i shtohen vlerës së pagës mujore në varësi të orëve shtesë që kryhen.


Më poshtë po paraqesim disa llogaritje të rastësishme të pagës së punonjësve të arsimit parauniversitar të emëruar në pozicione të ndryshme. Për efekt llogaritje janë marrë punonjës në vitin e njëmbëdhjetë të punës dhe kanë përfituar shkallën e dytë të kualifikimit, “Mësues specialist”. Pagës së grupit të secilit prej rasteve (Bachelor, Master, Pedagogjike), i shtohet vlera për shkallën e kualifikimit, vlera e vjetërsisë dhe shtesa për pozicion. Të gjitha së bashku japin pagën bruto mujore, e cila i nënshtrohet përllogaritjeve të vlerës së tatimit mbi pagën dhe për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që paguhen nga punëmarrësi. Tatimi mbi pagën sot përllogaritet mbi pagat bruto, në vlerën 13% duke zbritur më parë 30.000 lekë, ndërkohë që për sigurimet shoqërore ndalen 9.5% dhe për sigurimet shoqërore 1,7% të pagës bruto.


Në këtë tabelë nuk janë përfshirë shtesat për orë jashtë norme, kompensimi për largësi apo ndalesa të tjera, përveç sigurimeve shoqërore dhe tatimit mbi pagën.


Mbetet për t’u parë se kur do të fillojnë efektet e rritjes së pagave për vitin 2024 dhe sa do të jetë realisht rritja në terma financiarë bruto apo neto për punonjësit në sistemin arsimor parauniversitar.



Tabela më poshtë në PDF

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,802 Lexime
6 muaj më parë