Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600

Ky shkrim shpjegon procedurat e konkurrimit për t’u bërë oficer sigurie në shkolla, kriteret që duhen plotësuar, fazat e përzgjedhjes dhe trajnimet, si dhe ndryshimet në VKM nr. 600, që përcakton numrin dhe shpërndarjen e oficerëve sipas shkollave.

Siguria në shkolla është një temë e rëndësishme dhe aktuale në Shqipëri. Oficerët e sigurisë luajnë një rol kyç në parandalimin e dukurive negative si dhuna, bullizmi, përdorimi i substancave abuzive dhe siguria fizike në shkolla. Ata ndërveprojnë me nxënësit, stafin pedagogjik, prindërit dhe komunitetin për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm.


Ndryshimet e fundit të Vendimit nr. 600, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e shërbimit të sigurisë”, i ndryshuar, kanë sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimin e sigurisë publike në shkolla. Sipas vendimit të ndryshuar, numri i oficerëve të sigurisë do të rritet bazuar në kapacitetin e nxënësve të shkollës, si më poshtë:


a) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 (tetëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie;

b) Institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 350 (treqind e pesëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie;

c) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, institucionet e arsimit të mesëm të orientuar, institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 900 (nëntëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie;

ç) institucionet e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbi 700 (shtatëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie.


Sipas parashikimit pritet që në këtë skemë të përfshihen rreth 370 shkolla nga 276 që janë mbuluar deri tani, pa përfshirë në këtë numër shkollat profesionale. Pothuajse do të ketë një shpërndarje të barabartë midis numrit të shkollave të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm, si dhe dyfishimin e punonjësve aktual të sigurisë. Sipas parashikimeve numri i tyre mund të shkojë në mbi 400 punonjës.


Për punësimin e oficerëve të sigurisë është Ministria e Arsimit dhe Sportit që shpall procedurat për punësimin e tyre, duke përfshirë kriteret e pranimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe fazat e konkurrimit. Kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar, të ketë diplomë në fushën e edukimit, shkencave sociale, psikologjisë, sociologjisë ose drejtësisë, të ketë njohuri të mira kompjuterike, si dhe të mos ketë precedentë penalë. Gjithashtu duhet të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse, si dhe të mos ketë marrë masën disiplinore të largimit nga detyra në institucionet ku ka qenë i punësuar më parë.


Procesi i konkurrimit përfshin verifikimin e dokumentacionit dhe intervistën gjysmë të strukturuar. Kandidatët e kualifikuar ndjekin një trajnim njëmujor nga Akademia e Sigurisë dhe duhet të certifikohen pas testimit. Aktualisht në muajin dhjetor ka pasur një thirrje dhe rreth 70 oficerë të certifikuar janë në listë pritje.


Ministri i Arsimit dhe Sportit, me urdhër të posaçëm përcakton institucionet arsimore të cilat do të kenë oficerë sigurie, si dhe rregullat për punësimin e oficerëve të sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar publik,


Janë Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, që kryejnë punësimin e kandidatëve për vendet e lira të punës sipas procedurës së përcaktuar.


Vendet e lira të punës ju ofrohen kandidatëve sipas listës dhe renditjes të ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit duke filluar nga kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme është renditur me numrin më të madh të pikëve, të cilët kanë të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës.


Për kandidatët me pikë të barabarta në total, përparësi i jepet kandidatit që ka më shumë pikë në intervistë, dhe në rastin kur përsëri rezultojnë me pikë të barabarta në intervistë, përzgjedhja e vendit të punës realizohet me short.


Pas kryerjes së procedurave të punësimit të oficerëve të sigurisë nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, AKAP vijon me procedurat e njoftimit të kandidatëve të papunësuar në të gjitha Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar duke respektuar listën dhe renditjen e dërguar nga MAS.


Me ndryshimet e fundit sigurisht do të ketë ndryshime në vendimet aktuale të punonjësve të emëruar aktualisht ndërkohë që parashikohet se oficerët e sigurisë, që ushtrojnë detyrën në institucionet arsimore parauniversitare, të cilave u hiqet shërbimi i sigurisë publike, transferohen në institucionet arsimore parauniversitare, brenda së njëjtës zyrë vendore arsimore. Kjo pikë është tepër e rrezikshme pasi u heq mundësin oficerëve aktual të trajnuar dhe me përvojë të mund të punësohen edhe në zyrat më të afërta nëse do të dëshirojnë apo të vendosen në një listë pritje për t'u punësuar në një nevojë të mundshme më vonë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

545 Lexime
14 orë më parë