Botimi i ri

Akademiku Sabri Hamiti promovon veprën “Naim Frashëri”, 120 vjet nga amshimi i poetit kombëtar

U promovua sot në Muzeun Historik Kombëtar libri më i ri i akademik Sabri Hamitit, “Naim Frashëri”.Ky libër i botuar nga shtëpia botuese ALBAS, është një punim monografik kushtuar romantikut të madh shqiptar me rastin e 120-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.

Me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u promovua libri më i ri i akademik Sabri Hamitit, “Naim Frashëri”. 


Ky  libër i botuar nga shtëpia botuese ALBAS, është një punim monografik kushtuar romantikut të madh shqiptar me rastin e 120-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.


Në librin 170 faqesh thuret profili i shkrimtarit të dashur e të adhuruar të letërsisë shqipe, i cili kishte arritur statusin e pakontestueshëm të poetit kombëtar, por që për vite kishte qenë edhe i censuruar nga diktatura. 


“Poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të dashurisë”, shkruan Sabri Hamiti në tekstin nistor të monografisë, për të konstatuar që “Edhe pse me Naimin na ndan një shekull, gjuha e poezisë së tij mbetet frymëzim edhe sot, si dikur”.


Ligjëruesja e studiuesja e letërsisë, Persida Asllani, librin “Naim Frashëri” e quan “Naim jete”, sepse “Është një Naim jete, me një lexim të gjatë e ngulmues, shtresëzuar nga përvojat e thella të jetës, nga përvojat edhe më të thella të letërsisë, nga metodologjitë studimore e kritike të subjektivizuara e sidomos nga një përsosje e pashoqe ndër vite e shkrimit për poetin e poezinë, si finalitet fundor i çdo shkrimi për letërsinë. Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pat ndjerë poetikisht shenjtërinë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë”. 

“Leximi i këtij libri mbetet, për shumëkënd prej nesh, një rizbulim i thellë e i hijshëm i Naimit, e mandej edhe një mësim. Shkruar me dashuri, për Naimin, në 120-vjetorin e ikjes së tij.Kushtuar poetit që rikthehet teksa e lexojnë ata që e duan e që ai vetë i desh, përmes mirësisë e shpresës, po aq shumë”, u shpreh gjatë këtij promovimi Persida Asllani.


Ky është libri i dytë që ka botuar sivjet akademiku Sabri Hamiti. Para disa muajsh ka dalë libri i tij për epikun më të madh shqiptar, Gjergj Fishtën. Të dy librat janë rezultat i leximit sistematik që u ka bërë Hamiti këtyre shkrimtarëve klasikë shqiptarë.



Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

266 Lexime
1 muaj më parë